Miratohet struktura e re e klubit “Tirana”
Miratohet struktura e re organizative e klubit “Tirana”. Nën drejtimin e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, është zhvilluar mbledhja e Këshillit Mbikëqyrës të sh.a Tirana. Në këtë mbledhje është vendosur ndryshimi i strukturës aktuale të organizimit, diktuar kjo edhe nga shndërrimi i ‘Tiranës’ në shoqëri aksionere. Në strukturën e re, drejtimi i ‘Tiranës’ ndahet në administrativ dhe teknik. Këshilli Mbikëqyrës emëroi në postin e administratorit Salih Taganin dhe në postin e drejtorit teknik, Alban Tafajn. Një takim i veçantë është zhvilluar nga kryetari i Bashkisë me futbollistët, trajnerin dhe Këshillin Mbikëqyrës të sh.a Tirana. Në këtë takim u analizua edhe gjendja financiare e klubit “Tirana”, ku Basha premtoi zgjidhje të shpejtë të ngërçit të krijuar. Kryebashkiaku shprehu angazhimin dhe vendosmërinë e Bashkisë së Tiranës për të mbështetur me të gjitha mjetet dhe mënyrat në dispozicion klubin “Tirana”, sikundër garantoi se fondet dhe donacionet do të rriten për klubin, për të krijuar kushte më të mira për futbollistët në ambientet e tyre sportive, por edhe në ndeshjet jashtë Tiranës.