E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hoxha transferohet te Palermo

Nga Express më 02 shkurt 2011 në ora 12:15

Palermo vazhdon të jetë fidanishtja e talentëve shqiptarë të futbollit. Pas Samir Ujkanit dhe Edgar Canit, që luajnë te Novara, respektivisht Modena në formë huazimi, më i fundit që i bashkohet klubit të Serisë A është Jurgen Hoxha, i cili është blerë nga Achuila në Divizionin e Dytë të Ligës Pro.

Afrimi i shqiptarit me pasaportë italiane është realizuar në “fotofinish”, ndërsa fillimisht ai do të luajë me ekipin e të rinjve, që njihet ndryshe si Palermo “B”. Gjatë fazës përgatitore të janarit, sulmuesi 18-vjeçar është stërvitur me ekipin e parë të Achilas, por ai nuk kishte luajtur asnjëherë në ekipin e parë.

Drejtori sportiv i klubit të kategorisë së katërt italiane, Xhovani Paneta e ka cilësuar me brazilianin e Romës, Tadei. “Jurgeni është një sulmues i krahut të djathtë, shtatshkurtër, i shpejtë dhe zotëron teknikë të mirë. Për nga karakteristikat do të thoja që ngjan më shumë me Tadein e Romës, sepse është mjaft i aftë edhe në fazën mbrojtëse. Djaloshi ishte entuziast për aventurën te Palermo”, tha Paneta.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›