E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuqi, objektiv kryesor i Kalmarit

Kalmari është në kërkim të një sulmuesi, derisa Njazi Kuqi është objektivi kryesor i kësaj skuadre. Por edhe Kushtrim Lushtaku mbetet në planet e suedezëve. Nga Express më 02 shkurt 2011 në ora 12:30

Futbollisti kosovar, Njazi Kuqi është bërë objektivi kryesor i Kalmarit. Në fakt, skuadra suedeze e kërkonte një sulmues brazilian, mirëpo transferimi i tij ende nuk është realizuar.

Ndonëse braziliani është ende opsion, së bashku me sulmuesin tjetër kosovar, Kushtrim Lushtakun për të nënshkruar kontratë me Kalmarin, drejtuesit e këtij ekipi duket se më shumë po e pëlqejnë kosovarin me pasaportë finlandeze, Njazi Kuqi.

“Nuk e kemi qartësuar transferimin nga Brazili”, ka thënë për mediat suedeze shefi i Kalmarit, Svante Samuelsson. Në këtë mënyrë ai konfirmoi se skuadra e tij po kërkon futbollist tjetër.

Kuqi është dashur të udhëtojë drejt Suedisë të enjten e kaluar për ta zhvilluar një ndeshje testuese me Kalmarin, gjë që nuk e ka bërë për shkak se vuante nga një grip.

Megjithatë, Kalmar po e pret sulmuesin 27 vjeç. Madje, Samuelsson ka pohuar se edhe Kushtrim Lushtaku ka gjasa të mira të mbetet në skuadrën e tij, nëse Kalmar nuk ia del të përforcohet me Kuqin.

Lushtaku me sukses i kishte përfunduar provat disaditore në Kalmar dhe ai pritet të negociojë me drejtuesit e këtij klubi vetëm rreth kushteve ekonomike.

“Do ta testojmë Kuqin, ndërsa do të konsultohemi edhe me Kushtrim Lushtakun, i cili ishte në prova me ne javë më parë”, ka përfunduar Samuelsson.

Kalmar gjatë afatit të dimrit është përforcuar edhe me tre kosovar, Besnik Rrustemajn, Liridon Lecin dhe Alban Dragushen, derisa pjesë e këtij klubi është edhe portieri Etrit Berisha.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›