Topi refuzon daljen para komisionit hetimor të 21 Janarit
"Presidenti i Republikës është autoriteti që kërkon të dhëna me shkrim, pra informacione nga drejtuesit e institucioneve shtetërore për çështje që kanë bëjnë me veprimtarinë e tyre. Ai ka të drejtën e informimit, por jo detyrimin për të informuar. Prandaj kërkesa në fjalë e komisionit hetimor të 21 Janarit, pa përmendur objektin e saj që në vetvete përmban elementë, që realisht pengojnë kthimin e një përgjigjeje, është e pakuptimtë për aq kohë sa po ky komision me shkresën e datës 31 janar 2011, thërret Presidentin e Republikës për t’u paraqitur me qëllim realizimin e një seance pyetjesh”.
Kjo ka qenë deklarata e dhënë sot për mediat nga këshilltari juridik i presidentit, Spiro Peçi, lidhur me kërkesën zyrtare të komisionit hetimor për dhënie dëshmie mbi 21 Janarin.
“Presidenti i Republikës në respekt të institucioneve, siç është Kuvendi apo dhe komisionet e tij hetimore, shpreh gatishmërinë duke iu përgjigjur pozitivisht kësaj kërkese, por vetëm në përputhje me ligjet e këtij vendi. Duke marrë shkas nga sa më sipër, dëshirojmë të theksojmë se komisioni hetimor në kërkesën e vet, që Presidenti i Republikës të paraqitet para tyre për të dëshmuar, është në kapërcim të kompetencave duke shkelur ligjin”, tha Peçi.
Duke shtuar se “Presidenti nuk mund të thirret për t’u paraqitur ashtu siç kërkon komisioni hetimor, por jo vetëm kaq. Atij në dallim nga funksionarët e lartë të shtetit, nuk i lejohet të paraqitet para komisionit, gjykatës apo dhe prokurorisë”.
”Në këto kushte edhe njëherë, duke shprehur gatishmërinë për të dëshmuar, në respekt të ligjit, Presidenti i Republikës do të përcaktojë mënyrën dhe kohën e realizimit për t’iu përgjigjur pyetjeve të komisionit hetimor”, citoi ndër të tjera këshilltari juridik i kreut të lartë të shtetit.
Ndërsa lidhur me çështjen e tabulateve të kërkuar nga ky komision për gazetarët apo personalitete të tjera, ai tha se komisioni hetimor në kërkesën e vet është në shkelje të hapur të ligjeve të këtij vendi.
“Ky komision, vërtetë ushtron veprimtarinë përsa i përket metodikës së hetimit, si marrja e vendimeve të ndërmjetme për pyetjen e dëshmitarëve, thirrjen e ekspertëve dhe marrjen e dokumenteve, por në asnjë rast nuk mund të ndërmarrë atributet e prokurorit dhe gjykatës, që me ligjet e veçanta i atribuohen këtyre organeve”, përfundoi deklaratën e tij Peçi. /abcnews/