Skela në ligën amatore

E pabesueshme, por e vërtetë. Kapiteni i Kombëtares shqiptare, Ervin Skela ka vendosur që karrierën ta vazhdojë në NRW Liga (liga e pestë gjermane), te skuadra Germania Windeck.
Pak para mbylljes së afatit kalimtar të janarit, skuadra nga liga amatore gjermane, ka siguruar shërbimet e mesfushori shqiptar, i cili ishte futbollisti i lirë, që nga vera e vitit 2010.
“Ka disa javë që stërvitem me Germania Windeck. Por me presidentin ende jemi në bisedime rreth kontratës. Në ditët në vazhdim pritet të qartësohen disa gjëra rreth kontratës”, ka thënë Skela për Express.
Ish-mesfushori i Cottbusit, Eintracht Frankfurtit dhe Arminia Bielefeldit, tregon se presidenti i Germania Windeckut, Heinz Georg Willmeroth, ka një projekt ku synon të bëjë investime të mëdha në këtë klub.
“Oferta e këtij klubi është interesant për mua, pasi duhet të shikoj një të ardhme mbas futbollit. Unë jam në bisedime me Presidentin se si mund të shkojë kontrata, të luaj dy vite dhe tri vite të tjera të punoj në klub”, ka theksuar Skela.
34-vjeçari, sezonin e kaluar, ishte pjesë e skuadrës gjermane TUS Koblenz, me të cilën shkëputi kontratën pasi nuk arriti ta sigurojë mbijetesën në Bundesliga 2 .Ndërsa vetëm pra tri viteve, me Cottbusin ishte pjesë e Bundesligës.
Megjithatë, për Skelën kalimi te klubi nga liga e pestë gjermane nuk është hap mbrapa. Sipas mesfushorit me prejardhje nga Vlora, edhe në NRW Liga luhet futbolli sikurse në ligat e tjera.
“Do të kisha dëshirë të luaja në liga më të larta, por nuk kishe asgjë konkrete. Më mirë të luaj këtu sesa të rri në shtëpi. Po të isha 25 vjeç, do ta shkoja si hap mbrapa, por vitet po ikin dhe unë duhet të shikoj edhe të ardhmen pas futbollit”, thotë ish-mesfushori i Ascolit.
Skela pjesën më të madhe të karrierës e ka kaluar në futbollin gjerman, ku ka veshur fanellën e këtyre skuadrave, Union Berlin, Erzgebirge Aue, Chemnitzer FC, Waldhof Mannheim, Eintracht Frankfurt, Arminia Bielefeld, Kaiserslautern, Energie Cottbus dhe TUS Koblenz.