Presidentit te Hungarise i hiqet doktoratura
Universiteti “Semmelweis” në Budapest udhëhoqi një hetim që konfirmoi skandalin e ngritur nga një gazetë e përditshme në muajin janar. Rektori i universiteti lajmëroi se doktoratura është hequr si rrjedhojë e “shkeljes së normave shkencore”.
Schmitt, roli i të cilit si president është kryesisht ceremonial, i ka hedhur poshtë akuzat dhe është shprehur se nuk do të japë dorëheqjen. Një ish-kampion olimpik në skermë, Schmitt shkroi tezën e doktoraturës së tij në vitin 1992, duke u diplomuar pak kohë më pas nga Universiteti i Edukimit Fizik, pjesë e Universitetit “Semmelweis”.
Një komitet vlerësoi se në dokumentin e paraqitur prej 215 faqesh, më shumë se 200 prej tyre tregonin “ngjashmëri të pjesshme” apo ishin direkt përkthime nga punime të tjera. Ndërsa dhe vetë universiteti është bërë objekt polemikash, të cilit iu desh një denoncim nga mediat për të kuptuar se doktoratura ishte një plagjiaturë.