Hoxhaj: Zhvillimet e fundit nuk ndikojnë në politikën e jashtme

Kosova ka politikë të jashtme stabile dhe të zhvilluar në kontinuitet dhe në asnjë mënyrë në këtë drejtim nuk mund të ndikojnë zhvillimet e fundit politike në Kosovë, ka thënë ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj të mërkurën gjatë konferencës së parë të ambasadorëve të Kosovës që po mbahet në Prishtinë.
Hoxhaj ka thënë se qëllimi i tij si ministër i Punëve të Jashtme që është të ketë një politikë të jashtme më agresive dhe në këtë drejtim, sipas tij, do të debatohet edhe në konferencën e ambasadorëve, e cila do të zgjas dy ditë.
Kreu i diplomacisë së Kosovës ka mohuar të ketë ndikime në politikën e jashtme, rast i presidentit Behgjet Pacolli, zgjedhjen e të cilit, Gjykata Kushtetuese e Kosovës e ka nxjerrë si antikushtetuese.
“Absolutisht jo. Politika e jashtme e Republikës së Kosovës është një politikë shumë stabile, është një politikë që ndodhë në kontinuitet. Qëllimi im si ministër i Punëve të Jashtme, është që të ketë dinamikë, të ketë energji, ta kemi një politikë të jashtme shumë më agresive dhe ta përfaqësojmë interesin e Republikës së Kosovës në çdo cep të botës. Prandaj edhe gjatë kësaj konference ambasadorët do të marrin sugjerime, rekomandime, ide konkrete për atë se në çfarë forme duhet ta prezantojnë interesin shtetëror të Republikës së Kosovës”, ka thënë Hoxhaj.
Në konferencën e ambasadorëve ishte paraparë që të merrte pjesë edhe kryeministri Hashim Thaçi, mirëpo ai nuk ishte i pranishëm, përderisa ministri Hoxhaj ka siguruar ambasadorët që gjatë ditëve tjera të konferencës do të kenë rastin që t’i shtrojnë para kryeministrit dilemat dhe problemet me të cilat ballafaqohen në punën e tyre.
Hoxhaj ka theksuar se konferenca ka tre qëllime; fuqizimi shtetëror i Kosovës dhe mënyra se si duhet të prezantohet interesi shtetëror në politikën e jashtme, përfaqësimi i interesave politikë dhe ekonomikë të Kosovës dhe përfaqësimi i interesave të qytetarëve të Kosovës që jetojnë në vende të ndryshme të botës.
Megjithatë, një prej qëllimeve kryesore mbetet rritja e numrit të njohjeve dhe procesi i integrimit të Kosovës, për të cilat çështje, Ministria e Punëve të Jashtme dhe ajo e Integrimit Evropian kanë hartuar strategji.
“Gjatë kësaj konference, fokusi kryesor do të jetë në atë se si ne të arrijmë sa më shumë njohje për Republikën e Kosovës, prandaj edhe do të punojmë në mënyrë intensive për dy ditë rreth asaj se cilat vende nuk e kanë njohur Republikën e Kosovës, pse këto vende nuk e kanë njohur Kosovën, cilat janë arsyet e brendshme, politike, etnike, kulturore, cila është pozita e tyre rajonale dhe se si këto vende e kuptojnë shtetndërtimin e Republikës së Kosovës. Ky është fokusi i parë, dhe fokusi i dytë është se si ta mbështesim Republikën e Kosovës në procesin e integrimeve evropiane dhe në çfarë formë duhet Ministria e Punëve të Jashtme të bashkëpunojë me Ministrinë Integrimeve Evropiane dhe në çfarë forme duhet të bashkëpunojë me Ministrinë e FSK-së që ta mbështesim edhe integrimin euroatlantik të Kosovës”, është shprehur Hoxhaj.
Përveç çështjes së njohjeve si prioritet i kësaj konference, ministri Hoxhaj ka thënë se pret që nga ky takim me ambasadorët të dalin edhe sugjerime për hartimin e një dokumenti për politikë të jashtme, i cili në planin afatshkurtër, afatmesëm dhe afatgjatë do të definojë parime, objektivat, qëllimet dhe vizionin e përbashkët të të gjitha institucioneve të Kosovës, Presidencës, Kuvendit dhe Qeverisë për përfaqësimin e Kosovës në politikën e jashtme.
Kreu MPJ-së ka paralajmëruar se shumë shpejt do të ketë njohje të reja për Republikën e Kosovës, ngase siç ka thënë ai, gjatë javëve të fundit ka pasur shenja pozitive në këtë drejtim nga 4-5 shtete të ndryshme. /kosovapress/