E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministri me FFK-në

Ministria e Sportit e ka shprehur gatishmërinë ta ndihmojë Federatën e Futbollit të Kosovës, në rrugën e saj drejt ndërkombëtarizmit. Madje, udhëheqësit e futbollit kosovar tashmë po koordinohen me ministrin Memli Krasniqi, që nëpërmjet Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv, t’i detyrojnë këto dy organizata që t’i zbusin qëndrimet negative karshi Kosovës.

Pas injorimeve të njëpasnjëshme që FIFA e posaçërisht UEFA po ia bëjnë Kosovës, Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) shumë seriozisht po mendon që këto dy organizata t’i padisë në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv.

E, nëse shtëpia e futbollit kosovar përfundimisht vendos që t’i drejtohet gjyqit, atëherë nuk do t’i mungojë mbështetja e Ministrisë së Sportit, që udhëhiqet nga Memli Krasniqi.

Madje, krerët e FFK-së vazhdimisht janë duke u koordinuar me ministrin Krasniqi, para se çështjen ta procedojnë në gjyq. Këtë e ka konfirmuar vetë Memli Krasniqi për Express.

“Unë jam i informuar në lidhje me planet e FFK-së që t’i drejtohet Gjykatës së Arbitrazhit dhe e kemi diskutuar këtë çështje dhe do ta diskutojmë sërish në mënyrë që nëse rruga e vetme është kjo, atëherë të jemi të përgatitur siç duhet”, ka deklaruar për Express, ministri Krasniqi.

Në fakt, prijësit e shtëpisë së futbollit kosovar po konsiderojnë se vetëm gjyqi mund ta detyrojë FIFA-n, e posaçërisht UEFA-n që t’i zbusin qëndrimet e tyre negative karshi Kosovës. Kështu mendon edhe vetë ministri Krasniqi, i cili thekson se këto dy organizata e kanë tepruar duke e injoruar futbollin kosovar, me të cilin sikur ‘po luajnë pingpong’.

“Ne jemi gjithmonë në përkrahje të FFK-së, sikurse edhe çdo federate tjetër kosovare, të cilat janë gjithsesi të pavarura në punët e tyre. Sa i përket futbollit, në fakt FIFA dhe UEFA po “luajnë pingpong” me ne, dhe se në këtë rrafsh ka shumë padrejtësi, për faktin se kërkesat tona nuk janë trajtuar seriozisht”, ka theksuar Krasniqi.

“Me vejnë keq që duhet ta pranojmë se sidomos në UEFA ndikimet politike janë të mëdha”, shtoi ai, duke kujtuar se Ministria e Sportit në bashkëpunim me FFK-në dhe me shumë faktorë të tjerë vazhdimisht po bëjnë përpjekje për t’i zbutur qëndrimet e këtyre dy organizatave karshi Kosovës, por kot.

Vetë nënkryetari i FFK-së, Agim Ademi i ka thënë Expressit se gjasat janë shumë të mëdha që në këtë javë Komiteti Ekzekutiv i FFK-së përfundimisht të vendosë që çështjen ta procedojë në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv. Mirëpo, nuk është fort e qartë nëse nëpërmjet gjyqit FFK-ja do të kërkojë anëtarësimin e plotë të saj në këto dy organizata, apo vetëm marrjen e lejes për të organizuar ndeshje miqësore ndërkombëtare për përfaqësuesen e Kosovës dhe klubet e saj.

UEFA është ajo që po e zvarrit jashtëzakonisht shumë dhënien e lejes që kosovarët të zhvillojnë ndeshje miqësore ndërkombëtare.

Duhet theksuar, se ish-nënkryetari i FFK-së, juristi i njohur, Haki Demolli, në një intervistë për Express, pati thënë se ideja për t’i paditur në gjyq FIFA-n e UEFA-n është e qëlluar. Por, ai ishte skeptik nëse gjyqi do të mund t’i detyronte këto dy organizata t’i zbusin qëndrimet karshi Kosovës, falë statuteve të tyre.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›