Hulio Sezar: Kujdes nga Kaka
Portieri i Interit, Hulio Sezar, po bëhet gati për derbin e fundjavës ndaj Milanit, i cili mund t‘i dhurojë skuadrës zikaltër titullin kampion. Braziliani ka bërë të qartë se kjo ndeshje është shumë e veçantë në krahasim me sfidat e tjera me të cilat është përballur skuadra gjatë këtij edicioni. "Nuk e di nëse ky derbi është si një finale e Ligës së Kampioneve, pasi nuk kam luajtur asnjëherë në një ndeshje të tillë, por sigurisht që do të jetë një ndeshje pak ndryshe. Derbi është si një kampionat më vete, për faktin se ka shumë gjëra që do të varen nga kjo sfidë. Milani ka mundësinë për të shkuar në Ligën e Kampioneve, ndërsa ne mund të fitojmë titullin. Do të jetë një ndeshje shumë e veçantë". Në këtë sfidë do të ketë shumë futbollistë brazilianë. "Kaka është më i rrezikshmi, pasi mund ta vendosë i vetëm fatin e një ndeshjeje dhe e ka treguar këtë gjatë vitit të kaluar në Ligën e Kampioneve. Pato dhe Baloteli? Për Marion do të jetë një ndeshje e veçantë, pasi është derbi i tij i parë dhe do të zbresë në fushën e lojës me dëshirën për të treguar vlerat që ka. Të gjithë presin momentin e krahasimit mes tij dhe Patos, por ne shpresojmë që Mario të dalë nga fusha i gëzuar", tha Hulio Sezar.