E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bashkia sfidon prefektin: Buxheti hyn në fuqi



Nënkryetari i Këshillit Bashkiak, Petraq Simo: Nga dje, buxheti ka hyrë në fuqi. Prefekti dhe kryetari i Këshillit Bashkiak, në një mendje, kërkojnë ndryshim

Nga dita e djeshme, buxheti i Bashkisë së Tiranës është miratuar duke hyrë në fuqi sipas nënkryetarit të Këshillit Bashkiak, Petraq Simo. Duke mos njohur vendimin e prefektit të Tiranës, Bashkia e Tiranës është shprehur zyrtarisht se buxheti u miratua. Ka qenë pikërisht nënkryetari Simo që përmes një deklarate për shtyp ka quajtur të padrejtë dhe jo legjitim kthimin mbrapsht të buxhetit nga prefekti Keçi, edhe pse ky i fundit e ka kompetencë ligjore diçka të tillë. Sipas nënkryetarit të Këshillit Bashkiak, “në bazë të Kushtetutës, ligji i jep të drejtë Këshillit të Bashkisë dhe ai ka hyrë në fuqi sipas procedurës ligjore dhjetë ditë pas miratimit të tij”. Ndërsa për sa i përket vendimit të prefektit të Tiranës, Simo është shprehur se qëndrimi i tij është politik.

Përplasja

Nënkryetari i Këshillit Bashkiak, Petraq Simo, dhe njëkohësisht përfaqësues i PS-së në këshill, ka reaguar ditën e djeshme mbi kthimin mbrapsht të buxhetit nga ana e prefektit. “Kthimi mbrapsht i projektbuxhetit nga prefekti është në vazhdim të lojës së tyre dhe për mua kjo quhet fazë e mbyllur, sepse me votat e shumicës dhe në bazë të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, ligji i jep të drejtë Këshillit të Bashkisë dhe ai ka hyrë në fuqi sipas procedurës ligjore dhjetë ditë pas miratimit të tij. Prefekti nuk ka të drejtë të pezullojë vendimin e Këshillit të Bashkisë, pra, projektbuxhetin e Bashkisë së Tiranës, ai ka të drejtë të bëjë ankesë në gjykatë", - deklaroi Petraq Simo, nënkryetar i Këshillit Bashkiak.

Nënkryetari i këshillit thotë se është e drejta e Këshillit Bashkiak për të shqyrtuar sërish vendimet e marra. "Këshilli e ka kompetencë të bëjë amendime, rishqyrtim të vendimeve të cilat ka marrë", - vijoi Simo.

Prefekti – Këshilli

Pikat problematike të evidentuara nga kryetari i Këshillit Bashkiak janë të njëjta me ato të prefektit. Kthimi mbrapsht i projektbuxhetit të Bashkisë së Tiranës ka bashkuar në një mendje kryetrarin e Këshillit Bashkiak dhe prefektin e Tiranës, ndërkohë që për këtë arsye kërkohet që miratimi i tij të shtyhet deri në ndryshimin e buxhetit.

“Unë nuk i konfirmoj pesë nenet e ligjit për buxhetin të cilët nuk zbatohen. Procesi i votimit do të mbyllet deri në fund, kjo është një shkelje tjetër", - pati evidentuar Ruzhdi Keçi, prefekt i qarkut të Tiranës.

Nga ana tjetër, menjëherë pas vendimit të prefektit të Tiranës, kryetari i Këshillit Bashkiak, Sokol Dervishaj, ka pohuar se pas kthimit nga prefekti, p/buxheti do të rikthehet në Këshillin Bashkiak Do të jetë vetë kryetari i këshillit, Dervishaj, i cili do të thërrasë këshillin. Kohë më parë Dervishaj pati pohuar se procedurat për projektbuxhetin do të vazhdojnë sërish në drejtimin e tij, pasi kontestimet që ai i kishte bërë draftit, u vërtetuan dhe nga prefekti.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›