Humb lekët në kumar, vetëvaret i riu
VLORE/ QEMAL BIRAKU
Borxhet për shkak të lojës në kumar çojnë në vetëflijim një 24-vjeçar nga Vlora, baba i një fëmije. Në kushtet e një depresioni të rëndë, Miklovan Pazaj është vetëvarur me një tel elektrik, ndërsa ka shpjeguar në një letër shkakun e këtij vendimi fatal. Mësohet se i riu ka shkuar edhe dje, ashtu sikurse çdo ditë në punë. Ai ishte punonjës në një repart të prodhimit të mobileve në këtë qytet. Rreth mesditës, Pazaj është futur në banjën e ambienteve të punës dhe aty ka kryer edhe aktin e vetëvrasjes. Ndërsa afër vetes kishte lënë një letër lamtumire, ku i shkruante familjes së tij edhe motivin e vetëvrasjes. Viktima është gjetur nga punonjësit e tjerë të mobilierisë. Ata janë detyruar të shkallmojnë derën, kur kanë vënë re se kolegu i tyre i punës ishte vonuar ndërsa ai nuk u përgjigjej thirrjeve të tyre pas derës. Tronditja ka qenë e madhe, kur e kanë gjetur 24-vjeçarin të vetëvarur. Ndërsa tentativa për t'i dhënë ndihmën e parë rezultoi e kotë, pasi viktima kishte dhënë shpirt disa minuta më parë. Punonjësit dhanë menjëherë alarmin, duke lajmëruar policinë për ngjarjen e ndodhur. Kjo e fundit nisi hetimet, ndërsa në cilësinë e provës materiale bllokoi edhe letrën e lamtumirës që kishte lënë viktima para se të vetëvarej. Burime të policisë bënë të ditur se i ndjeri nuk kishte shkruar shumën konkrete të borxheve, apo personave që ai iu detyrohej. Por ai bënte me dijeni familjen se ishte i detyruar të ikte nga kjo botë, për shkak se ishte zhytur në borxhe. Viktima luante shpesh në lojërat e fatit, ku kohët e fundit kishte humbur sasi të mëdha, ndërsa kishte marrë hua tek të njohurit e tij. Por në pamundësi për të shlyer borxhet e marra ka kaluar në depresion të rëndë. Sipas policisë, Pazaj kishte lidhur një kabull elektrik në tavanin e banjës në punën e tij dhe më pas ishte vetëvarur. Ekspertët që mbërritën në vendin e ngjarjes kryen veprimet procedurale, ndërsa nga autopsia e kryer në morg rezultoi se shkak i vdekjes ishte asfiksia, si pasojë e telit të lidhur në grykë. Policia mori dje në pyetje edhe familjarët e 24-vjeçarit. Mësohet se ata kanë deponuar se familjari i tyre nuk iu kishte shfaqur asnjëherë më parë problemet e tij për borxhe. Sipas tyre, ata as nuk kishin vënë re ndonjë shqetësim aq madhor sa të ketë ndikuar në një vendim të tillë fatal. Ekspertët e policisë që po merren me hetimin e kësaj ngjarjeje morën dje në pyetje edhe punonjësit e tjerë të mobilierisë ku punonte viktima. Sipas burimeve, ata kanë dhënë një deklaratë thuajse identike me familjarët e tij. Ata nuk kishin vënë re depresion aq të rëndë tek kolegu 24-vjeçar dhe vetë viktima nuk ishte shprehur më parë tek ndonjëri prej tyre për borxhe të pashlyera. Policia tha se është duke hetuar ngjarjen, për të dhënë konkluzionet e sakta mbi rrethanat e vetëflijimit.