Humbasin dosjet e mësuesve, Drejtoria Arsimore: Do të ripërtërihen
Kompjuterizimi i të dhënave të mësuesve në qytetin e Tiranës ka nxjerrë në pah mungesën e disa dosjeve të tyre. Ndonëse kanë vite që punojnë në shkollat nëntëvjeçare dhe të mesme në kryeqytet, ditët e fundit ata zbuluan se “zyrtarisht” të dhënat e tyre nuk ekzistonin në Drejtorinë Arsimore Rajonale të Tiranës. Megjithatë, burime nga ky institucion bëjnë të ditur se nuk ekziston asnjë rrezik për mësuesit, pasi këto dosje do të ripërtërihen, ndërkohë për humbjen e tyre ata deklaruan se kishin humbur përpara se të niste procesi i kompjuterizimit.
Rrezik?
“Kam vite që punoj si mësues, – na tha një prej personave të prekur, i cili kërkoi që të mos i publikonim emrin, – dhe tani më thanë se nuk e kanë dosjen time të punës këtu”. Në prag të të gjashtëdhjetepestave, ai u shpreh se mund të rrezikohej pensioni i tij, për shkak të humbjes së dosjeve. Por, Drejtoria Arsimore deklaron se një problem i tillë nuk ekziston dhe se dosjet do të ripërtërihen.
“Mund të ketë probleme të këtij lloji që kanë dalë pas përfundimit të kompjuterizimit të të dhënave, – deklaroi për “standard” përgjegjësja e zyrës së personalit, në Drejtorinë Arsimore, – por nuk ka asnjë rrezik, pasi këto dosje ripërtërihen, duke mos rrezikuar asnjë mësues”.
Ajo sqaroi se mjafton një fotokopje e diplomës së shkollës së lartë dhe një certifikatë me fotografi për të rikrijuar dosjen, duke përjashtuar çdo mundësi rrezikimi të të dhënave të mësuesve e aq më tepër të atyre që janë në prag të pensionit.
Humbja
Në çdo rast, humbja e të dhënave të mësuesve mbetet e mbuluar nga misteri. Sipas Drejtorisë Arsimore, këto dosje nuk ishin në drejtori në çastin e fillimit të hedhjes të të dhënave në sistemin dixhital. “Nuk mund të them se kur kanë humbur këto dosje, pasi kur kemi ardhur nuk i kemi gjetur ato”, – u shpreh përgjegjësja e zyrës së personelit në Drejtorinë Arsimore.
Dixhitalizimi i të dhënave të mësuesve është një ndër projektet e shumta që kanë të bëjnë me kompjuterizimin e të gjitha institucioneve në vend. Në Drejtorinë Arsimore të Tiranës, ky proces ka përfunduar, duke bërë që të dhënat e tyre të mos rrezikojnë më të humbasin, siç mund të ketë ndodhur deri tani. Në çdo rast, sipas drejtorisë, problemet e hasura janë të kapërcyeshme, duke këshilluar mësuesit që të mos shqetësohen.
Ndryshimi i sistemit
50 klasa për nxënësit pesëvjeçarë
Rreth 50 klasa parapërgatitore do të çelen këtë shtator për fëmijët e moshës 5 vjeç.
Sipas Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, këto klasa do të çelen në të gjithë vendin, me synim që fëmijët të marrin njohuri paraprake për në klasën e parë. Projekti i MASH-it parashikon që hapjen e këtyre klasave ta shtrijë jo vetëm në kopshtet ekzistuese, por edhe në mjediset e shkollave 9-vjeçare. Për vitin 2009-2010 synohet të hapen dhe 50 klasa të reja, duke e çuar numrin e tyre në 100. Duke filluar nga ky vit shkollor, ndjekja e klasave të tilla për fëmijët e moshës 5 vjeç, tashmë do të jetë e detyruar. Të dhënat e MASH-it tregojnë se aktualisht kopshtet frekuentohen nga rreth 65% e fëmijëve, por qëllimi i politikave arsimore është që të gjithë fëmijët e grupmoshës 5-6-vjeçare të marrin një vit përgatitor para se të nisin klasën e parë. Fillimi i arsimit të detyruar për fëmijët 5-vjeçarë parashikohet në strategjinë 10-vjeçare për zhvillimin e arsimit parashkollor, i cili po konkretizohet nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës.
Konferencë ekonomike në Universitetin e Vlorës
Një konferencë ekonomike, me temë “Sfidat financiare dhe perspektiva ekonomike”, një bashkëpunim me Universitetin e Uashingtonit, WSU, nisi sot në Vlorë nën organizimin e Universitetit “Ismail Qemali”, ku për 4 ditë do të diskutohen dhe debatohen sfidat që kanë përfshirë botën për kapërcimin e krizës ekonomike. Zëvendësrektorja e Universitetit të Vlorës, Pranvera Resulaj, tha dje: "Kjo konferencë organizohet pas ndryshimeve strukturore dhe cilësore që kanë ndodhur në universitet, që është shoqëruar me rritjen e interesit në shkencat ekonomike dhe financiare”. Sipas saj, fakti që Shqipëria ende nuk është prekur nga kriza ekonomike botërore, është lajm i mirë, i cili do të transmetohet më gjerë përmes konferencës. "Faktorët që kanë ruajtur Shqipërinë nga kriza globale ka interes që të identifikohen, të analizohen dhe mundësisht të shërbejnë si instrumente për zhvillimin e mëtejshëm ekonomik të Shqipërisë. Kjo do të shoqërohet edhe me përvojën akademike perëndimore, që vjen në këtë konferencë përmes pjesëmarrësve, pedagogë në Kolegjin e Biznesit në Universitetin e Shtetit të Uashingtonit e nga emra të tjerë të njohur në fushën akademike, nga universitete të tjera, si ai i Bolonjës dhe Ankonës (Itali), Memphis University (SHBA) etj.",- tha ajo. Në ditën e parë të këtij aktiviteti, profesorët Eric Spamgerberg, David Sprott dhe John Nofsinger nga (WSU), përcollën përvojën në fushën e menaxhimit të biznesit dhe financave, sjelljen e investitorëve dhe faktorët, që përcaktojnë dhe ndikojnë vendimmarrjen në investime, portofoli i investimeve dhe diversifikimi i investimeve, të cilat janë çështje aktuale. Universiteti i Shtetit të Uashingtonit (WSU), bashkorganizator dhe pjesëmarrës në këtë konferencë, mjaft i njohur në SHBA, ndodhet në qytetin Pullman të shtetit të Uashingtonit dhe numëron rreth 25 mijë studentë të regjistruar, si dhe rreth 3000 studentë në distancë.
Kukës
Rriten investimet në arsim
Përqendrimi i investimeve në shumë objekte arsimore në qarkun e Kukësit po jep rezultate të kënaqshme në drejtim të përmirësimit dhe rritjes cilësore të mësimdhënies. Drejtori rajonal i Arsimit, Ibsen Elezi, tha dje: "Vetëm këtë vit në rrethin e Kukësit janë investuar nga buxheti i shtetit afro 90 milionë lekë, prej të cilave 60 milionë lekë për ndërtimin e një konvikti të ri për arsimin e mesëm dhe për të rinjtë e zonave rurale larg qytetit, ku mungon ky arsim, afro 30 milionë lekë për ndërtimin e shkollës së re të Nangës si dhe disa milionë lekë për pajisjen me mjete laboratorike bashkëkohore të shkollave. Të dyja objektet janë në përfundim e do të vihen në funksionim me fillimin e vitit të ri shkollor". Që nga viti 2005, nga buxheti i shtetit në këtë qark janë investuar 324 milionë lekë për rindërtimin e mjediseve shkollore, mes të cilëve edhe 11 objekte shkollore, kryesisht të zonave të thella rurale. "Përqendrimi i investimeve ka mundësuar eliminimin e rasteve abuzive me fondet e buxhetit të shtetit", - tha Elezi. Aktualisht, në rrethin e Kukësit funksionojnë 57 shkolla të arsimit parauniversitar, ku mësojnë mbi 12 mijë nxënës dhe japin mësim rreth 680 mësues.