Humbën provimin në Akademi 168 policë largohen
Deri në fund të vitit të ardhshëm, Policia e Shtetit do kualifikojë ose do të zëvendësojë të paarsimuarit e nivelit bazë
TIRANE- Efektivët e Policisë së Shtetit, që do të trajnohen në Qendrën e Formimit Policor në kryeqytet për 11 javë, nëse nuk kualifikohen në provimin përkatës duhet të lënë vendin e tyre të punës.
Lajmi është bërë i ditur për gazetën "Shekulli", nga burime të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, të cilët kanë pohuar se deri më tani, janë më tepër se 168 efektivë të nivelit bazë të saj. Kjo kategori të cilët pritet të humbasin vendet e tyre të punës nga humbja e provimit të tyre të formimit bazë në Akademinë e Policisë.
Që prej vitit 2005, më tepër se 2 mijë efektivë të Policisë të rolit bazë të cilët janë afruar në Qendrën e Formimit Policior janë trajnuar dhe arsimuar, me qëllim rritjen e nivelit të tyre profesional.
Nga ky numër 168 punonjës aktivë të organizatës me uniformë blu, nuk kanë arritur të marrin nivelin minimal të pikëve të vënë si kufi për fitimin e të drejtës për të vazhduar punë. Në këtë mënyrë të gjithë këta persona do të humbin të drejtën për të vazhduar punën në funksionet që kryejnë pas gjysmës së parë të vitit 2010.
Ndërkaq gjatë kësaj periudhe, edhe rreth 2 mijë efektivë të tjerë të Policisë së Shtetit të rolit bazë që janë ende të pakualifikuar në drejtim të arsimimit policor, do t'iu duhet të kalojnë në filtrin e Qendrës së Formimit.
Pas trajnimit 11 javor, të gjithë ata efketivë policie që nuk do të arrijnë të marrin provimin e formimit do t'iu duhet të lënë detyrat e tyre në radhët e bluve. Kjo sasi vendesh që pritet të mbeten boshe nga humbja e punës nga kjo kategori pritet të mbushet me efektivë të tjerë, që pritet të rekrutohen në Akademinë e Policisë me qëllim arsimimin e tyre 22 javor për patrullë të përgjithshme.
Kjo strategji sipas burimeve të Akademisë së Policisë synon që në fund të vitit 2010 në radhët e uniformave blu të mos ketë më asnjë punonjës policie i cili të mos ketë marrë arsimimin dhe trajnimin e duhur profesional, duke hedhur poshtë historinë e punonjësve të Policisë që rekrutoheshin pas përfundimit të shkollës së mesme dhe të Shërbimit të Detyrueshëm Ushtarak.
Deri më tani në Policinë e Shtetit, kanë dalë së paku 4 breza të Patrullës së Përgjithshme të formuar në Akademinë e Policisë e shndërruar tashmë në një Qendër të Formimit Policor në vend.
Veç arsimimit policor bazë, në këtë qendër janë organizuar edhe trajnime dhe kurse kualifikuese për efekt të gradës dhe zhvillimit të karrierës në Policinë Shtetit. Në këtë mënyrë gradat e karrierës, do të mund të fitohen në bazë të testimit të secilit prej punonjësve që kërkojnë rritjen në gradë dhe karrierë.
Vetëhelmohet për tek liqeni për borxhet
Një 42-vjeçar ka zgjedhur kodrat e Liqenit Artificial në Tiranë, për t'i dhënë fund jetë së tij. Nexhat Xhaferri, 42-vjeç, banues në lagjen "Ali Demi" në kryeqytet është gjetur i vdekur dy ditë më parë nga kodrat e liqenit artificial.
Kanë qenë kalimtarët e rastit të cilët kanë konstatuar trupin e pa jetë të një burri duke lajmëruar menjëherë policinë. Forcat e komisariatit të policisë nr.1, mbërritën në vendin e ngjarjes për të zbardhur rrethanat e vdekjes së 42-vjeçarit identifikimi i të cilit u krye pak orë më pas.
Burime nga policia thanë se nga hetimet e para rezulton se Xhaferri kishte konsumuar një sasi helmi fostoksinë për t'i dhënë fund jetës së tij.
Policia mori në pyetje familjarët e të ndjerit për të zbardhur shkaqet që kanë detyruar atë ti japë fund jetës. Ndërkohë që pas deklarimeve të familjarëve si dhe informacioneve të mbledhura në rrugë operative policia bëri të ditur se dyshohet se Xhaferri ka qenë përdorues i lëndëve narkotike çka ka çuar atë në borxhe.
Ndërsa gjendja e tij e depresionit ka qenë një tjetër motiv që mund të ketë çuar në vetëflijim 42-vjeçarin i cili ka shkuar te kodrat e liqenit artificial në Tiranë për të konsumuar helmin. Trupi i tij i pajetë u transportua në morgun e spitalit për ekzaminime të mëtejshme dhe më pas iu dorëzua familjarëve.