Krimi horror në Greqi, 39-vjeçari futi gruan në qilar dhe lajmëroi policinë
Pasi i ka prerë me sharrë elektrike këmbët gruas së tij, 39-vjeçari e ka mbyllur atë në qilar dhe më pas ka lajmëruar policinë për krimin e tmerrshëm. Ai kishte vetëm një javë që ishte rikthyer nga Shqipëria, bashkë me dy fëmijët, ndërkohë që qëndronte në vendin fqinj, pa dokumente të rregullta. Vetë 39-vjeçari jetonte në qytetin e Veria-s, në veri të Greqisë. E reja 28-vjeçare i është nënshtruar një operacioni të vështirë kirurgjikal, ku mjekët kanë arritur që të mbyllin plotësisht plagët, ndërkohë që do të duhen edhe 24 orë për të përcaktuar nëse ajo do të mund të mbijetojë. Gruaja 28-vjeçare i ka këmbët e prera deri në kofshë, por edhe duart, si pasojë e përfshirjes së tyre nga një sharrë me korrent. Sipas mjekëve, gjendja e saj është kritike, për shkak të prerjes së arterieve. Ngjarja që tronditi opinionin grek dhe atë shqiptar ndodhi para dy ditësh. 39-vjeçari I. Ramaj, lindur e banues në Librazhd, jetonte në qytetin e Veria-s të rajonit Makedonia të Greqisë. Ai kishte shkuar në Shqipëri para disa ditësh, ku kishte marrë fëmijët e tij, përkatësisht, tetë dhe dhjetë vjeç, të cilët jetonin me të afërmit e tij. Një javë më parë, 39-vjeçari bashkë më dy fëmijët ka mbërritur në Kalamatë, në shtëpinë me qira në rrugën “Navarinu” në zonën e Mesinia-s, ku jetonte e vetme gruaja e tij 28-vjeçare. Një ditë përpara krimit, ai kishte blerë një sharrë elektrike me zinxhir, të cilën e kishte vendosur tek qilari i shtëpisë. Rreth orës 14:00 të ditës së shtunë, çifti kishte pasur sërish një konflikt. 39-vjeçari i kishte kërkuar bashkëshortes së tij, që të rikthehej me të dhe të mos jetonin më të ndarë. Përgjigjja negative ka bërë që ai të rrëmbejë nga oborri pranë shtëpisë së tij sharrën elektrike, dhe i ka prerë 28-vjeçares të dyja këmbët dhe të dyja duart deri lartë në krahë në sytë e fëmijëve të mitur. Më pas, të gjakosur, ai e ka marrë të shoqen e tij dhe e ka futur në qilarin e katit të poshtëm të godinës së banimit. Pas këtij veprimi, I. Ramaj, ka marrë dy fëmijët, i ka futur në makinë dhe i është drejtuar bulevardit pranë detit, ku ka parë një patrullë policore, dhe ku i ka treguar për krimin e tmerrshëm të bërë. Ai i ka çuar punonjësit e policisë tek qilari ku gjendej e shoqja. Agjentët kanë parë se 28-vjeçarja kishte shenja jete dhe e kanë dërguar atë menjëherë në spital. Për të marrë një ndihmë më të specializuar, ajo është nisur më pas në spitalin shtetëror të Athinës. Ditën e sotme, 39-vjeçari pritet të dalë përpara gjykatës së Kallamatës, për të marrë masën e arrestit.