E Shtunë, 31 Tetor 2026

Humbësit e janarit

Në përgjithësi afati kalimtar i janarit shërben për të përmirësuar skuadrat dhe eventualisht zëvendësuar ndonjë futbollist të lënduar. Mirëpo, ka klube të cilat gjatë dimrit kanë shitur futbollistët e tyre kryesorë dhe, si rezultat, kanë zhytur veten në krizë të rezultateve. Nga Express më 20 mars 2011 në ora 14:34

Një rregull i pashkruar thotë se gjatë afatit kalimtar të dimrit nuk duhen shitur futbollistët më të mirë të ekipit sepse vjen deri te thyerja e harmonisë dhe kjo reflekton në rezultate.

Mirëpo, disa klube nuk janë në gjendje të mirë financiare dhe shesin yjet e tyre për të përmirësuar bilancin, por më pas ndodh që pësojnë rënie drastike.

Në vazhdim janë përzgjedhur pesë skuadra nga liga të ndryshme evropiane, të cilat me këtë metodë kanë komprometuar deri atëherë një sezon pozitiv.

Hoffenheim
Bilanci: 2 fitore, 1 barazim, 4 humbje
Përforcimet: Braafheid, Babel, Firmino, Alaba
Largimet: Gustavo, Demba Ba, Ragnick (trajner)
E vetmja gjë e keqe nga shitja e dy prej futbollistëve kryesorë të ekipit është që kjo të bëhet pa koordinim me trajnerin, i cili si rezultat i kësaj dha dorëheqje të papritur. Derisa Bayern bleu Gustavon për 17 milionë euro, sulmuesi Demba Ba u largua për vetëm tre milionë euro sepse nuk ishte marrë vesh me klubin rreth vazhdimit të kontratës. Tani janë të varur se sa shpejt do të jenë në gjendje të adaptohen futbollistët e rinj.

Espanyol
Bilanci: 2 fitore, 4 humbje
Përforcimet: -
Largimet: Ruiz, Vila
Në të njëjtën mënyrë siç ishte befasia më pozitive e pjesës së parë të sezonit, Espanyol ka gjasa të bëhet zhgënjim i vazhdimit. Bazën e suksesit të mëhershëm e ndërtoi në fushën vendase dhe mbrojtjes solide por largimi i dy reprezentuesve të ri spanjoll Ruiz dhe Vila ka bërë që ata të humbin sigurinë dhe të bijë në renditje.

Sunderland
Bilanci: 2 barazime, 4 humbje
Përforcimet: Sessegnon, Muntari
Largimet: Bent
Në shikim të parë shitja e Bentit dhe angazhimi i Sessegnon dhe Muntarit duket sikur lëvizje e mirë. Por, skuadra e Sunderlandit pas përfundimit të afatit kalimtar të janarit, ka pësuar krizë në rezultate e cila ende dridh klubin. Edhe pse 21 milionë eurot e fituara nga shitja e Bentit janë para të majme, përsëri u dëshmua se shitja e futbollistëve kryesorë nuk duhet të ndodhë në mes të sezonit.

Sampdoria
Bilanci: 1 barazim, 5 humbje
Përforcimet: Biabiany, Maccarone, Macheda
Largimet: Pazzini, Cassano, Marilungo
Me gjasë njëra prej skuadrave më të dobësuara gjatë janarit. Nuk nevojitet analizë e gjerë për të kuptuar se nuk është veprim i mirë largimi i dyshes sulmuese të Kombëtares italiane Pazzini-Cassano, përcjellë me largimin e Marilungos dhe angazhimi i futbollistëve të padëshmuar si Macheda dhe Biabiany si dhe ardhjen e veteranit të harruar Maccarone.

Wolfsburg
Bilanci: 1 fitore, 5 humbje.
Përforcimet: Helmes, Tuncay, Koo, Polak
Largimet: Dzeko, Barzagli, Ziani
Përveç shitjes së futbollistit më të mirë dhe kapitenit Edin Dzeko, Wolfsburg e vulosi kapitullimin sa i përket politikës së blerjeve duke pothuajse falur Zianin dhe Barzaglin, që dikur ishin përforcime të mëdha. Në ekip sollën futbollistë të denjë për pankinë dhe prej tyre nuk mund të pritet që brenda një sezoni të bartin barrën e zëvendësimit të një sulmuesi të klasit të lartë si Dzeko.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›