Humbi celularin në lokal, vret pronarin
Një sherr banal për një aparat celular ka përfunduar me vdekjen e një 50-vjeçari, pronar i një lokali në Durrës. Ngjarja e rëndë që tronditi qytetin bregdetar ka ndodhur mëngjesin e djeshëm, rreth orës 04:00, kur viktima Agim Seçi, 50 vjeç, me origjinë nga Tropoja, ndodhej në lokalin e tij “Diaspora”, në Durrës.
Ndërkohë, policia lokale ka mundur të identifikojë dhe po punon për kapjen e autorit të ngjarjes, që mendohet se është një pushues i zonës.
Sipas burimeve policore, dyshohet se vrasësi i 50-vjeçarit është Shpëtim Mema, me origjinë nga Shijaku. Arrestimi i tij nuk është bërë ende i mundur, ndërkohë që gjatë orëve të pasdites policia vuri shpërblim për personat që do të japin informacion rreth vendndodhjes së saktë të autorit të vrasjes.
Sipas dëshmive të mbledhura në vendin e ngjarjes, mësohet se grindja mes viktimës dhe autorit të ngjarjes ka nisur rreth orës 04:00 të mëngjesit të djeshëm. Autori i krimit, tashmë i identifikuar nga policia, ka debatuar me 50-vjeçarin pasi kishte humbur celularin në lokalin e tij.
Në sherr e sipër, Mema dyshohet se ka qëlluar mbi pronarin e lokalit me armë zjarri. Plumbat e kanë prekur pronarin e lokalit në bark dhe plagët kanë qenë fatale për të. Mjekët e Spitalit të Durrësit thanë se viktima ka ndërruar jetë pak minuta pasi është qëlluar me armë dhe nuk ka qenë e mundur t’i jepet asnjë lloj ndihme.
Ndërkohë, autori i krimit ka mundur të largohet nga vendi i ngjarjes, duke i shpëtuar prangosjes së policisë. Kjo e fundit ka mbërritur brenda pak minutash në lokalin “Diaspora”, por pa mundur të ndalojë në kohë vrasësin. Uniformat blu, fillimisht e kanë pasur të vështirë të identifikojnë autorin e ngjarjes. Vetëm pas mbledhjes së dëshmive dhe hetimeve paraprake, rreth orës 11:30 të ditës së djeshme, uniformat blu të Durrësit kanë mundur të identifikojë autorin e vrasjes së pronarit të lokalit “Diaspora” në Durrës.
Mema dyshohet se është një pushues i zonës së plazhit dhe grindja mes tyre ka ndodhur pas humbjes së celularit të vrasësit në lokalin e 50-vjeçarit. Ndërkaq, policia ka nisur hetimet për ngjarjen, duke marrë në pyetje disa dëshmitarë që kanë ndihmuar në identifikimin e autorit.
Policia njoftoi vendosjen e një shpërblimi prej 500 mijë lekësh për marrjen e informacionit të saktë, ndërkohë që garantohet anonimat i plotë për informatorin. Gjithashtu janë bërë publikë edhe numrat falas të telefonit, 126 e 129, për të gjithë ata që duan të kontaktojnë dhe japin detaje për ngjarjen dhe autorin e saj.