Berisha sot mbledhje, pas dy ditëve pushim
Kryeministri Berisha, pas dy ditëve mungese në jetën politike të vendit, do të drejtojë paraditen e sotme mbledhjen e radhës së qeverisë. Këtë mungesë dyditore të shefit të qeverisë, stafi i tij e ka justifikuar me punën që Berisha ka zhvilluar në zyrë. Në këtë mënyrë bien poshtë edhe pretendimet e opozitës që kreu i qeverisë ka qenë i sëmurë. Mungesa e Kryeministrit Berisha u vu re gjatë seancës maratonë të Kuvendit, ku u diskutua në parim dhe u miratua buxheti i shkurtuar për pjesën e dytë të vitit. Gjatë 13 orëve të debatit, kreu i qeverisë nuk ishte i pranishëm për asnjë moment në sallën e Parlamentit, madje ai nuk mori pjesë as në votimin në parim. Kjo është hera e parë në pesë vitet e fundit, kur Berisha ka qenë Kryeministër, që ai nuk merr pjesë në diskutimin dhe votimin e një projektligji me kaq rëndësi, siç është buxheti. Më të veçantë e bën këtë rast dhe prania e kreut të qeverisë në Tiranë, gjatë kohës kur ky dokument shqyrtohej dhe miratohej. Në seancën e buxhetit nuk mori pjesë as Kryeparlamentarja Jozefina Topalli, e cila ndodhej në një takim të homologëve të saj në Gjenevë.
#