E Shtunë, 31 Tetor 2026

Humbja Zllatan Ibrahimovic kritika ekipit

“Nuk mund të humbet kështu”. Shpërthen Zllatan Ibrahimoviç dhe suedezi nuk arrin dot të kapërdijë katastrofën 0-3 në “Emirejts” ndaj Arsenalit. “Kur luan në një ekip të madh nuk mund të pranosh të mundesh kështu, - heq vërejtje ai për shokët e tij tek Milani”. “Mund të humbet në shumë lloj mënyrash, - vazhdon Ibra, - por, kështu si në Londër është e papranueshme”. Pastaj një kritikë Alegrit: “Me 3 sulmues në fushë, u ndjeva jashtë rolit tim”.
Ylli më i madh i Milanit shprehet se u trondit thellë në ndeshjen e kthimit në Champions. “Arsenali luajti shumë mirë, shënoi shpejt 3 gola dhe, në pjesën e dytë, pati mundësi të shënonte golin e katërt dhe të pestë, - shprehet ai, - në çdo sulm të tyre, thoja me vete “po sikur të shënojnë golin e katërt”, por për fat nuk e shënuan. Duhet të nxjerrim mësime nga kjo”.
Një frymëmarrje të thellë ka pasur edhe Adriano Galiani, i cili gati i ka puthur dorën dhe këmbën portierit Abiati për pritjet e tij. “Abiatit i kam borxh një jetë, - shprehet administratori i deleguar i Milanit, - duket sikur kam lindur për të dyti. Nuk kam harruar disfatën në Stamboll, as atë në La Korunja, por më shumë mbaj mend pritjen e Abiatit më 1999 ndaj Bukit që na dha titullin, pritjen e tij ndaj Interit në Champions më 2003 që na ndihmoi për titullin dhe pritjen ndaj Van Persit, këto 3 pritje të Abiatit do të mbeten në historinë e Milanit”.
Kur Arsenali shënoi golin e tretë, Galiani u mbyll në dhomën e zhveshjes, duke mos pasur më nerva për të ndjekur ndeshjen. “Tashmë, më shumë kohë kaloj i mbyllur në dhomë sesa në tribunë”, - pohon ai. Tashmë, Galiani pret me kuriozitet shortin, ndërsa thotë “le të bjerë kush të bjerë”.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›