E Shtunë, 31 Tetor 2026

Milan, kualifikim i turpshëm

Nga ndeshja e djeshme

Kuqezinjtë munden në Londër, kalon për më tej edhe Benfika.

Milani dhe Benfika kalojnë për në turin tjetër të Kupës së Kampioneve, por nëse portugezët e merituan bindshëm këtë kualifikim, nuk mund të thuhet e njëjta gjë për italianët. Skuadra e Masimiliano Alegrit u shpërfytyrua në mënyrë të pakuptueshme në “Emirates”, duke u mundur 3-0 nga Arsenali i Arsen Venger. Tre gola në pjesën e parë të takimit me autorë Kosçielni, Rosicki dhe Van Persi, bënë që në 45 minutat e dyta të lojës, të gjithë tifozëve kuqezinj t’u vinte ndër mend sezoni 2004-2005, kur Milani, pasi kishte fituar 4-1 në Milano, humbiste 4-0 në ndeshjen e kthimit në La Korunjë ndaj Deportivos. Sakaq, më shumë për fat, por edhe për zgjidhje të disa rasteve mjaft të rrezikshme si nga ana e Abiatit, por edhe nga Meskes (të vetmit lojtarë që luajtën në nivelin e kërkuar nga milanistët e djeshëm), Milani arriti ta ruante këtë rezultat deri në fund të takimit, duke iu gëzuar fitores 4-0 të arritur në ndeshjen e parë në Milano. Ndërkohë, duhet thënë se një peshë të madhe në eliminimin e Arsenalit ka edhe kapiteni i kësaj skuadre, Robi Van Persi, i cili humbi një rast tejet të pastër nga gati një metër largësi nga porta me Abiatin të shtrirë përtokë, por çuditërisht sulmuesi e përplasi topin në krahun e portierit të Milanit. Një rast gati identik pati më vonë edhe Noçerino për kuqezinjtë, por edhe gaboi në mënyrë të frikshme. Ndërkohë, në ndeshjen tjetër të luajtur mbrëmë, Benfika mundi pastër 2-0 Zenit Shën Peterburgun, duke u kualifikuar për më tej. Në takimin e parë në Rusi pati fituar skuadra e Spaletit 3-2, por ky rezultat nuk u mjaftoi rusëve për të vazhduar më tej në këtë kompeticion. Sonte do të njihen edhe dy finalistet e tjera të Kupës së Kampioneve, ku në Qipro do të luhet APOEL-Lion, ndërsa në Barcelonë vendasit do të presin gjermanët e Bajer Leverkusenit.

SKEDA
Arsenal-Milan 3-0        Shënues:
Kosçielni 7′, Rosicki 26′, Van Persi 44′ (p)
Arsenal: Shçezni, Sanja, Kosçielni, Vermalen, Gibs, Song, Rosicki, Çamberlein (Shamak 74′), Ualkot (Çu Jong Park 84′), Van Persi, Zhervinjo.
Trajner: A. Venger
Milan: Abiati, Abate, Mekses, T.Silva, Mesbah (Bonera 89′), Noçerino, Van Bomel, Emanuelson, Robinjo, Ibrahimoviç,
El Sharavi (Akuilani 69′).
Trajner: M.Alegri

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›