E Shtunë, 31 Tetor 2026

Humbja e 28 qershorit, PS-ja voton për kryetarin e ri



Pavarësisht humbjes së zgjedhjeve të 28 qershorit, Edi Rama kërkoi dje vijimësinë e mandatit në krye të PS-së përmes votimit të anëtarësisë socialiste. Votimi për kryetarin e ri, mes dy konkurrentëve Rama dhe Lakrori, nisi mëngjesin e djeshëm, ku rreth 82 mijë socialistë në të gjithë vendin, në bazë të parimit “një anëtar, një votë”, kishin të drejtën e votës për kreun e ri të Partisë Socialiste. Për zgjedhjen e kryetarit të ri të PS-së, i cili do të drejtojë selinë rozë për katër vitet e ardhshme, në të gjithë vendin u ngritën rreth 400 qendra votimi. Ky moment politik në këtë parti erdhi fill pas zgjedhjeve të 28 qershorit, ku PS-ja mbeti sërish në opozitë dhe statuti i PS-së parashikonte ndërprerje të mandatit për kryetarin aktual. Pas shumë debatesh për përgjegjësitë e humbjes, Edi Rama vendosi të rikandidonte, i mbështetur nga një pjesë e strukturave të partisë me alibinë se zgjedhjet e 28 qershorit u deformuan dhe institucionet e dala prej tyre janë ilegjitime.

Me këtë justifikim, Rama u fut sërish në garë, nga e cila u tërhoq një tjetër kandidat, Arben Malaj, pasi e cilësoi shkelje të statutit rikandidimin e kryetarit aktual. Qendrat e votimit dje u hapën në orën 8:00 dhe u mbyllën në orën 16:00 pasdite. Gjatë paradites së djeshme votuan edhe dy kandidatët, Edi Rama dhe Maqo Lakrori, përkatësisht në njësinë 2 dhe 9. Pas votimit, Rama tha se procesi i votimit është real dhe i bukur, por ai denoncoi në media me emra kundërshtarët sipas tij politikë, të PS-së. “Ashtu sikundër Sali Berisha, Ilir Meta e Fatos Nano dhe kompania e altoparlantët e tyre kanë bërë çmos ta zhvleftësojnë e përbaltin procesin e sotëm, por votimi sot tregon që është jo vetëm i bukur e real, por që tregon se PS është forca më e madhe e demokratike në Shqipëri dhe pengesë e pakapërcyeshme për ta kthyer pushtetin e popullit në një pushtet që nuk mbron interesat e popullit”, - u shpreh Rama në një komunikim të shkurtër për mediat. Dita e sotme do të jetë vendimtare për shpalljen e kryetarit të ri të Partisë Socialiste dhe rezultati do të dalë nga komisioni i zgjedhjeve i ngritur në këtë parti.

Zgjedhjet në parti, bojkotojnë anti-Ramat

Zgjedhjet socialiste për kryetarin e ri të PS-së u refuzuan dje nga një pjesë e tyre, që nga ish-kryetari Fatos Nano apo deputetët e tjerë kundërshtarë. Ben Blushi e deklaroi tri ditë më parë gjatë një interviste televizive: “Në këto zgjedhje unë nuk marr pjesë si votues”. “Nuk kam asnjë alternativë, e cila më bind, për fat të keq, për më tepër askush nuk më kërkoi të votoj për një humbës. U them gjithë socialistëve sot se nuk kanë arsye të votojnë për një njeri i cili ka humbur zgjedhjet. Ata socialistë që shkojnë në 26 shtator për ta zgjedhur Edi Ramën si kryetar të PS-së, duhet ta dinë se po votojnë për një njeri që ka humbur zgjedhjet”, - tha Blushi. Ndërsa Fatos Nano deklaroi gjatë një emisioni televiziv se nuk do të shkojë të votojë, por u bëri thirrje socialistëve që në fletën e votimit të shkruajnë “Jo bojkotit”. Nga ana tjetër, ende të pavendosur mbrëmë kanë qenë ish-Presidenti Rexhep Meidani, Arben Malaj, Marko Bello.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›