Spitali Ushtarak bëhet 80 vjeç, Topi i jep urdhrin “Nënë Tereza”
Presidenti Bamir Topi, në 80-vjetorin e krijimit të tij, Spitalit Ushtarak Qendror i dha urdhrin “Nënë Tereza” . Me këtë rast në mjediset e Qendrës Kulturore të Forcave të Armatosura, mjekë, ushtarakë e specialistë u mblodhën në një ceremoni përkujtimore. Ministria e Mbrojtjes njoftoi dje se shefi i Shtabit të Përgjithshëm i FA-së, Gjeneral brigade, Maksim Malaj, shprehu mbështetjen e qeverisë shqiptare, të Ministrisë së Mbrojtjes dhe të Shtabit të Përgjithshëm të FA-së për përmirësimin e mëtejshëm të shërbimit mjekësor ushtarak. Më pas, sekretari i përgjithshëm i Presidencës, Aleksandër Flloko, i dorëzoi drejtorit të këtij spitali urdhrin "Nënë Tereza", akorduar nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi, për Spitalin Ushtarak Qendror Universitar. Në këtë ceremoni ishin të pranishëm edhe ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, atashe ushtarakë të akredituar në vendin tonë, mjekë ushtarakë veteranë, punonjës të këtij spitali etj. Spitali Ushtarak Qendror Universitar është themeluar 80 vjet më parë, më 26 shtator 1929, në një godinë dykatëshe, aty ku sot është spitali civil kirurgjikal, pjesë e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Spitali Ushtarak u transferua në vendndodhjen aktuale, në Laprakë, në vitin 1957. Gjatë viteve ka pasur emërtime të ndryshme, por në vitin 2002, me vendim të Këshillit të Ministrave, ai u emërtua Spitali Ushtarak Qendror Universitar. Sot SUQU është një nga institucionet mjekësore më të rëndësishme në vend, i njohur për traditën, përvojën e krijuar ndër vite, si dhe për kontributin në zhvillimin e mjekësisë shqiptare.