“Humbja e Ramës, më e thellë se e Alisë në ’92-shin”
Lideri i PD-së, Sali Berisha, para qytetarëve të Peqinit, i bën të ditur Edi Ramës se më 28 qershor, humbja do të jetë më e thellë se ajo e Ramiz Alisë në vitin 1992. Sipas tij, ky do të jetë ndëshkimi që do t’i bëjnë shqiptarët ditën e zgjedhjeve. Gjatë mitingut të mbrëmshëm në Peqin, z. Berisha i bëri thirrje Ramës që të hyjë në garë, në të kundërt është e turpshme të kërkojë vota, pasi shqiptarët nuk mund të votojnë dikë që e tmerron gara elektorale. “Dil në shesh! Mos kërko vota kur veten nuk e vendos dot në listë. Mos kërko vota, kur ty të tmerron vota. Mos kërko vota kur fshihesh pas karriges së bashkisë, bëhu burrë, ke edhe 48 orë afat, vëre veten në krye të listës, le të ndryshojmë ligjin dhe le të vazhdojmë garën. Përndryshe zoti Rama, ndëshkimi me votë i shqiptarëve do të jetë edhe më i rëndë sesa ndëshkimi që i bënë Ramiz Alisë në vitin ‘92. Dil në shesh, mos u fshih prapa lejeve të ndërtimit”, - u shpreh z. Berisha. Me apelin që qytetarët të marrin kartat e identitetit dhe të votojnë si evropianë, Berisha kujtoi se është qeveria e tij ajo që investoi me dhjetëra projekte. Berisha vuri në dukje se Peqini ka ndryshuar më shumë se kurrë në historinë e tij, duke investuar në rrugë kombëtare, në rrugë fshatrash, në shkolla, ujësjellës dhe kanalizime, 15 miliardë lekë, dhjetëra herë më shumë sesa qeveria e mëparshme. Z. Berisha foli për projektet e reja duke pohuar: “Në katër vitet që vijnë, ne jemi të vendosur të vazhdojmë rritjen e madhe të rrogave dhe pensioneve. Nuk mund të jesh qytetar evropian me xhepa bosh, jo dhe jo. Ndaj unë jam këtu për t’ju thënë se ashtu siç dyfishuam rrogat e mësuesve, siç dyfishuam rrogat e infermierëve, të mjekëve, siç dyfishuam pensionet në fshat, ne do të vazhdojmë rritjet më të mëdha të rrogave dhe pensioneve dhe në katër vjet. Ne do të lëmë pas qytetarët e gjashtë vendeve anëtare të Bashkimit Evropian”. Fermerëve të Peqinit ai u premtoi: së pari, financimin e çdo projekti të tyre për rritjen e prodhimit. Së dyti, subvencionimin e naftës dhe importeve të tjera për të gjitha sipërfaqet e mbjella. Së treti, rindërtimin e plotë të sistemeve të vaditjes. Së katërti, u premtoi investime në agrobiznes dhe nxitje të përpunimit të prodhimeve të tyre. U premtoi pensione të barabarta me pensionet e qytetit.