E Shtunë, 31 Tetor 2026

Humbja që na shokoi ne, jetimëve

Ende nuk mundem të pranoj dhe të përshtatem me atë çka ngjarë dhe ç‘ka kemi përjetuar dhimbshëm të gjithë ne si shqiptarë, si komb, si shoqëri humane dhe shoqëri civile.

Humbja tragjike e jetës së Atij Njeriu që do të mbahet mend për shumë kohë nga të gjithë ne, na ka shokuar dhe në ka lënë pa gojë…

Kjo humbje nuk i përket vetëm një rrethi të ngushtë mes familjarësh dhe të afërmve, apo qoftë edhe miqsh dhe shokësh që askush si Ai i ka pasur dhe i ka me shumicë…

Jo, Dritan Hoxha është rasti më unik, se si një individ mund të dominiojë në heshtje, edhe pas vdekjes, në jetën e gjithsecilit prej nesh…

Sepse Ai, ishte dhe mbetet mishërimi dhe modeli më unik i aspiratave të gjithsecilit prej nesh; ishte Njeriu më universal, i paparashikuar, që nuk dinte të bënte zhurmë, edhe pse e kishte këtë të drejtë legjitime si askush tjetër për të qenë kudo protagonist në këtë mjedis shoqëror dhe eterogjen.

Mbase, modestia dhe zemërgjerësia e këtij Njeriu të çuditshëm, ishte ngjizur fort në karakterin e tij qysh në fëmijërinë e tronditur prej jetimi, plot andralla, brenga, dhimbje, pasione dhe dëshira të mëdha.

Këto dëshira dhe ëndrra, Ai mundi t‘i realizonte në momentin dhe kohën e duhur për vete, familjen dhe për të gjithë ne, për të gjithë shoqërinë që sot jemi pa Atë…

E ndiej shumë mirë Atë Njeri, sepse shoh diçka prej tij edhe te vetja ime. Sepse e di fare mirë se ç‘përpjekje titanike i janë dashur Atij për t‘ia arritur i vetëm, pa ndihmën e askujt, deri atje ku nuk do të mund të arrinte askush në këtë vend të çuditshëm, plot mllefe e inate, intriga e sulme, skena e prapaskena të tipit bizantin.

Ai la Lorin, Sarën, Redian dhe Itanin këtej e tutje pa praninë e Tij atërore. Këta engjëj të bukur që kanë marrë aq shumë nga vitaliteti, zgjuarsia dhe mirësia e tij, jam i bindur se do të jenë krenarë për atë çfarë ka bërë dhe çfarë ka lënë pas Babai i tyre. Sepse, edhe pa praninë e tij, këta engjëj kurrë nuk do ta ndiejnë veten jetimë, sepse Tani me veprën e tij, bëri që Shqipëria, ky vend i njëmijë e një halleve, të kishte sa më pak jetimë, duke trajtuar në median e tij shumë probleme sociale që preknin këtë shtresë të pambrojtur, në këtë tranzicion të vështirë, të gjatë e të dhimbshëm.

Ndaj, jam i bindur se nëse gjërat kanë ndryshuar sadopak në jetën e atyre njerëzve të pambrojtur, që në gjuhën e përditshme zyrtare quhen jetimë, meritë ka për këtë edhe Tani i TOP-it, ish-fëmija jetim që mbretëroi në botën e medias moderne, në Shqipërinë që po ndryshon kaq shumë dita-ditës.

Me dashuri dhe respekt

Në emër të Institutit Kombëtar të Integrimit të Jetimëve Shqiptarë

Ilir Çumani

Tani, aleati i pakrahasueshëm

Janë të paktë ata njerëz në këtë jetë që jetësojnë pasionet. Dritan Hoxha ishte një ndër të paktët që i ngjau të jetë si Ata. Është kjo arsyeja që në ritin përcjellës për nën dhe, ai mori duartrokitjet e shumta të mijëra qytetarëve dhe bashkëkombësve të tij. Kjo i ngjet gjithkujt.

Dritan Hoxha ishte individi shqiptar që dha rastin e kontributit që thyen monotoninë integruese të shoqërisë kombëtare. Me pasionin, investimin dhe guximin e tij të pashoq, mediat shqiptare dhe garën mediatike i shtyu në avantazh kohor dhe kualitet kapërcyes. Ai kontribuoi që niveli teknologjik i mediave private në Shqipëri të thyente mitin e së pamundurës dhe të varfërisë që trashëgonte tregu mediatik kombëtar.

Dritan Hoxha ishte aleati i pakrahasueshëm i së Lartës, i së Mirës, i të qenit në nivelin sipëran, pra i së Parës. Kompania mediatike që ai madhoi me pasionin e një talenti shpërthyes është tashmë një pasuri me rrezonim të pakrahasueshëm dhe me vlerësi kombëtare.

Dritan Hoxha ishte rasti më tipologjik që besoi te profesionistët dhe profesionalizmi. Ky virtyt i tij do të mungojë në tregun mediatik shqiptar. Arkitekti dhe ati i mediave audiovizive të sistemit dixhital dhe HD në Shqipëri, tashmë është përcaktuar: Ai e ka emrin Dritan Hoxha.

Janë këto arsye dhe disa të tjera, që do t‘ia imponojnë gjeneratës së sotme të publicistëve dhe punonjësve të media kombëtare mirënjohjen për individin e veçantë, Dritan Hoxha.

Eshtë kjo arsyeja madhore që edhe në këtë konferencë, ne pjesëtarët e fushës ku ai sendërtoi pasionin e tij të pakrahasueshëm, gjejmë fjalën e ndjenjshme për t‘i dhënë një falënderim publik.

I paharruar kujtimi i Njeriut që jetën e veprës së vet e bën më të shumëfishtë se jeta e bashkëkombësve!

(Studentë, pedagogë dhe akademikë kanë mbajtur dje një minutë heshtje, në një takim të zhvilluar në Universitetin UFO në Tiranë. Letra e falënderimit u lexua nga gazetari Aleksandër Çipa)


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›