E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qindra mesazhe të tjera ngushëllimi për humbjen e Presidentit të "Top Media"-s, Dritan Hoxha

Qindra mesazhe të tjera ngushëllimi për humbjen e Presidentit të "Top Media"-s, Dritan Hoxha. Shkruajnë bashkatdhetarët tanë nga Miçigani i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Italia, por edhe shqiptarët nga Kosova. Ndërsa familjen Hoxha e vizitojnë deputetë, artistë e diplomatë të shumtë

Mikut që nuk e njoha nga afër

Me humbjen e Tanit u përballëm me një event të ri "revolucionar". Me humbjen e tij, në sytë e njerëzve rilindi figura e re e të perceptuarit të patriotizmit. Mënyra e ecurisë dhe e rritjes së tij, guximi për të ëndërruar edhe të pamundshmen dhe realizimi i ideve të tij krijojnë modelin e ri të patriotizmit.

Tani është Patriot i Ditëve Tona.

Ai kontribuoi në rritjen e dinjitetit të figurës shqiptare; krijoi spacio për mendimin intelektual, për "meritokracinë", kanalizoi liberalizimin e mendimit dhe të fjalës shqiptare si një fragment perëndimor, evitoi çdo lloj "flamuri" në ndërmarrjen e tij, rehabilitoi respektin ndaj artit dhe artistëve, arriti t‘i japë "ngjyra" figurës shqiptare, që nga mediat e huaja ishte interpretuar si "bardhë e zi".

Tani mori kurajon të polemizojë përmes veprës së tij, me "tranzicionin" tonë të ngadaltë e të përvuajtur, që ishte identifikuar si tranzicion "letargjik" i Shqipërisë. Ai i bëri njerëzit të besojnë që Shqipëria moderne është gjallë dhe ekziston, na bëri të besojmë ne, shqiptarëve në mërgim, se të ëndërrosh dhe të kesh ambicie është detyrë ndaj vetes dhe shoqërisë. Ai portretizoi "të bukurën" në gjithçka shqiptare.

"E bukura do ta shpëtoje botën", ka thënë Dostojevski dhe unë, si një "ëndërrimtar i pashërueshëm", arrij ta shoh të bukurën të mishëruar te miqtë e tij të ngushtë.

Udhë të mbarë Tani!

Selman Shametaj

Shipping & Forwarding Agency

Punto Franco Vecchio

Trieste

Gjeniu i ëndrrave të realizuara

"Lidhja qeparotase dhe miqtë e saj", me seli në Virxhinia (SHBA) u shpreh ngushëllimet më të përzemërta e njerëzore familjarëve, të afërmve dhe gjithë "Top Media"-s për vdekjen e papritur dhe të parakohshme aksidentale të Presidentit të madh të saj, z. Dritan Hoxha.

Dritan Hoxha, ky Ainshtajn shqiptar, bëri atë që Shqipërisë dhe shqiptarëve u duheshin vite të tëra për ta arritur. Veç mençuria, gjallëria, intuita, shkathtësia, zgjuarsia e këtij njeriu Gjeni, bëri realitet atë që kemi sot.

I urojmë familjes që dhimbjen për Dritanin ta kthejnë në forcë, "Top Channel"-it të vazhdojë sa më shumë ëndrrën e themeluesit dhe babait të medias shqiptare.

Për stafin,

Petraq J. Pali, shkrimtar

Dritani na e solli më afër vendlindjen

Jemi një grup bashkatdhetarësh nga Miçigani në SHBA.

Me dhimbje të thellë morëm lajmin e humbjes së të ndjeri, Dritan Hoxha. Kjo dhimbje nuk është vetëm e familjes dhe e juaja, por edhe jona. Sa herë që hapim kanalin tuaj televiziv, mendja na shkon te njeriu që na e afroi vendlindjen në Amerikën e largët, nëpërmjet TCH.

Na lejoni edhe një herë t‘u themi që të ndajmë dhimbjen tuaj me të gjithë shqiptarët e Amerikës dhe urojmë që rrugën që hapi Dritani ta vazhdoni më tej, që valët e "Top Media"-s një ditë të arrijnë edhe këtu te ne.

Me respekt

Bashkatdhetarët në Amerikë

Ideatori dhe realizuesi i ëndrrave

Të nderuar miq të "Top Media"-s ("Top Abania Radio", "Top Channel", "Radio Gold", gazeta "Shqip", "DigitAlb". Me dhimbje të thellë morëm lajmin e humbjes tragjike të frymëzuesit, ideatorit dhe realizuesit të ëndërrimeve mediatike gjithëshqiptare, zotit Dritan Hoxha.

Ju lutemi, pranoni ngushëllimet e sinqerta drejtuar Juve, kolegë të nderuar, familje e nderuar Hoxha dhe posaçërisht TI i dashuri ITAN i vogël, që të urojmë të rritesh së bashku me të gjitha sukseset e mëdha të "Top Media"-s...

"Top Radio Company"

103.3 MHz - Gjakovë-Kosovë

Astrit Dema - President

Themeluesi dhe vizionari bashkëkohor

Me hidhërim të thellë mësuam lajmin e vdekjes tragjike dhe të parakohshme të z. Dritan Hoxha, President i "Top Media"-s. Një humbje shumë e rëndë, veçanërisht për familjen dhe të afërmit, por dhe për mediat shqiptare. "Top Channel" kaq i dashur e i shikuar dhe këtu, në diasporën shqiptare të SHBA-së, mori një goditje të rëndë me humbjen e z. Dritan, i cili ishte themeluesi i mediave moderne me një vizion bashkëkohor, duke ndikuar në rritjen e kulturës demokratike të popullit shqiptar dhe përshpejtimin e integrimit të tij në Evropë.

Me këtë rast të dhimbshëm, stafi i "Albanian TV Michigan" (SHBA) i dërgon ngushëllimet e sinqerta familjes, të afërmve, kolegëve dhe bashkëpunëtorëve të z. Dritan Hoxha. Zoti ju dhëntë forcë për ta përballuar këtë humbje të madhe.

Me respekt

Gani Vila

Presidenti i "Albanian TV Michigan"

Ndaj po i qëndrojmë besnikë "Top"-it

E nderuara familje Hoxha, të nderuar bashkëpunëtorë të Tanit!

Me dhembje të madhe morëm lajmin për largimin e parakohshëm nga kjo jetë të Presidentit të "Top Media"-s, Dritan Hoxha. Edhe pse nuk e kemi njohur personalisht, vetë puna e madhe që ka bërë Tani na ka obliguar ta duam dhe respektojmë pa masë.

Përkushtimi i tij në media është një shembull se si duhet të funksionojë secili medium në hapësirën mbarëshqiptare. Prodhimi i Tanit të TOP-it na ka bërë që padyshim t‘i qëndrojmë besnikë TCH, sepse e vlerësojmë si ambasador kryesor që përkrah interesat e popullit.

Pranoni ngushëllimet më të sinqerta nga stafi i "Radio Haraçinës" në Shkup

Me respekt të veçantë

Florent Rustemi - redaktor përgjegjës

Dritani, një shembull i shkëlqyer

Presidentin e kompanisë "Top Media", zotin Dritan Hoxha, për shkak të emigracionit, fatkeqësisht nuk kam pasur mundësi ta njoh personalisht. Megjithatë, si miliona shqiptarë që punojnë dhe jetojnë në diasporë, kam prekur dhe përjetuar veprën e tij nëpërmjet televizionit satelitor, "Top Channel". Duke jetuar në Zvicër, bashkë me familjen, që prej 12 vjetësh, në një vend demokratik dhe multikulturor, i atribuoj "Top Channel"-it meritën e padiskutueshme që u ka mbajtur gjallë gjuhën tonë të dashur shqipe fëmijëve tanë. Unë me bashkëshorten time jemi dëshmitarë që në fundjavë fëmijët tanë braktisnin të gjitha kanalet televizive zvicerane dhe parapëlqenin të ndiqnin para së gjithash programin e mrekullueshëm të "Portokalli"-së.

Presidentin e "Top Media"-s, zotin Dritan Hoxha, nuk e konsideroj vetëm si një përfaqësues të devotshëm të mendjeve më të ndritura shqiptare, dinjitoz i shpirtit patriotik shqiptar, por edhe si një shembull të shkëlqyer të njeriut që e shkriu pasurinë e tij për Shqipërinë, duke iu kundërvënë VIP-ave që janë të gatshëm të lënë peng Shqipërinë për interesat e tyre personale. Dritan Hoxha u ka lënë një mesazh shumë të çmuar brezave të rinj shqiptarë. Fakti që ai udhëtoi me shpejtësinë e dritës gjatë gjithë këtyre viteve, nuk është i rastit. Ai bënte pjesë në atë plejadë të shqiptarëve ëndërrimtarë, që Shqipërinë e shihte të barabartë me kombet e tjera.

Faleminderit Dritan, që u mbajte dhe u mban gjallë ADN-në gjithë shqiptarëve kudo që ndodhen nëpër botë!

Kudret Isaj

Gazetar dhe mediator kulturor

Gjenevë

Ai ishte një shkencëtar i mirëfilltë

Më lejoni e nderuara familje e z.Dritan Hoxha dhe bashkëpunëtorët e tij t‘u shpreh ngushëllimet më të sinqerta për humbjen e njeriut të dashur. Dritan Hoxha nuk ishte një njeri i zakonshëm, por një shkencëtar i mirëfilltë dhe mund të barazohet padyshim me njerëzit më të shquar të këtij kombi. Dritan Hoxha krijoi i pari në Shqipëri një perandori mediatike komplekse, të paparë deri më tani. Ai krijoi një media komplekse, duke shpërthyer të gjithë kufijtë tokësorë të vendit, duke u shndërruar në një dritare e amshuar për të gjithë shqiptarët. Bashkëkombësit tanë në të gjitha vendet e botës vazhduan të ruajnë gjuhën amtare, duke ndjekur njëkohësisht programe profesionale gazetareske dhe artistike të nivelit bashkëkohor. Kudo në botë flasin me respekt të veçantë për këtë burrë të madh që krijoi një media shqiptare, e cila shtrihet nëpër botë dhe rriti krenarinë kombëtare. Dritan Hoxha ishte një revolucionar që nuk kishte vetëm ide, por i zbatonte ato me shpejtësi të rrufeshme. Ai jo vetëm u reshtua si i barabartë me botën mediatike ndërkombëtare, por në shumë raste edhe i sfidoi ato.

Me respekt të veçantë,

Ing. Bujar Pata

Ngushëllimet

Në shtëpinë e të ndjerit Dritan Hoxha ishin për ngushëllim deputetët Sali Shehu, Pandeli Majko, Frrok Gjini, Nikoll Lesi, Avokati i Popullit, Ermir Dobjani, këngëtaret motra Irma dhe Eranda Libohova, politikani dhe publicisti i njohur kosovar, Veton Surroi, gazetarët Armand Shkullaku, Ylli Rakipi dhe Remzi Lani, aktori Xhevdet Ferri etj.

Mesazhet

Një mesazh ka mbërritur nga përfaqësuesit e "NBC Universal", nga Martin Durel dhe Nadia Porati, të cilët shprehen: "Jemi pranë jush në dhimbjen e këtyre ditëve të vështira".

Administratori i përgjithshëm i kompanisë "Abkom" shkruan: "Stafi ynë i bashkohet dhimbjes që la pas largimi i papritur nga kjo jetë i Dritan Hoxhës. Ai do të mbahet mend prej të gjithëve si pionier i revolucionit në fushën e transmetimeve dixhitale. Me veprimtarinë e tij ai e radhiti Shqipërinë përkrah vendeve më të zhvilluara të rruzullit dhe përcolli imazhin e këtij vendi anembanë globit".

Armira Arnon, ambasadore e shtetit të Izraelit në Shqipëri, nëpërmjet një letre dërguar pranë "Top Media"-s, shpreh keqardhjen për vdekjen tragjike të Presidentit të kompanisë, Dritan Hoxha. Ambasadorja izraelite uron që vepra kurajoze dhe novatore e zotit Dritan Hoxha, e cila solli transmetimet mediatike më të spikatura në Shqipëri, të vazhdojë në mbështetje të fjalës së lirë dhe integrimit të Shqipërisë në familjen evropiane.

Artan Sano, drejtor i përgjithshëm i bankës "Credins", në letrën e tij shkruan: "E kam njohur nga afër Presidentin e ‘Top Media‘-s dhe pas çdo takimi me Tanin kam parë nga afër energjinë që ai transmetonte, duke ngulmuar e kërkuar për më të mirën. Për çdo gjë që të tjerët e mendonin, ai kërkonte ta realizonte".

Stafi drejtues i shoqërisë "Albaelektrika" ka dërguar një mesazh pranë "Top Media"-s, ku shpreh ngushëllimet më të thella për humbjen e Presidentit të kompanisë, Dritan Hoxha.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›