E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një letër për Tanin kurrë e dërguar

I dashur Tan,

Tash kanë kaluar plot shtatë ditë që ti nuk jeton më. Kanë qenë shtatë ditë të mbushura me dhimbje, me mpirje, trullosje dhe hallakatje, por edhe kohë, gjatë së cilës, shumë prej nesh, njerëzve që kemi punuar me ty, u kanë shërbyer për të kujtuar plot e plot gjëra, nga ato që kanë ndodhur, nga ato mendonim se do të ndodhnin, nga ato që nuk ndodhën kurrë e mbase kurrë më nuk do të realizohen.

Ne të dy kemi ndenjur shumë herë bashkë. Më shumë për punë, por edhe për të ëndërruar. Shumë herë kemi debatuar, ndonëse e dija se brenda teje respekti për njerëzit e punës kurrë nuk është tronditur. Ishte e kuptueshme. Për shumë prej nesh ishte e vështirë të ndiqnin vrullin marramendës të ëndrrave të tua. E tash, unë po mundohem të të shkruaj me dorë të dridhur gjëra që kurrë më parë nuk t‘i kam thënë. Dhe mbase kurrë nuk do të t‘i thoja, nëse do të ishe ende mes nesh.

Eshtë e çuditshme dhe fort e ngatërruar kjo jetë, përveçse e padrejtë. Për çudi duhej të ishte një fjalë e keqe, e zezë, "vdekja" ajo që nganjëherë na i kthjellon mendimet. E tani unë, atë që kemi bërë bashkë dhe ato që do të bënim bashkë, i shoh njësoj sikur të kem në dorë një kasetë që e kthej shumë herë para dhe mbrapa.

I dashur Tan,

Do të doja shumë të të bëja me dije, ty të parit se një nga ëndrrat e tua më të mëdha, Shqipëria në HD, ka nisur të realizohet. Shokët e tu këmbëngulën vetëm pak ditë pas ikjes tënde që të vazhdohej puna për atë që mezi e prisje. E kështu, bashkë me dy djem të rinj, i kam hyrë një udhe në një zonë të thellë malore mes Delvinës dhe bregut të Jonit.

Tani,

Ti shumë gjëra i dije fort mirë, por, mesa duket, ka pasur edhe nga ato që nuk kishe si t‘i dije. Ti nuk kishe se si ta dije, për shembull, që me emrin tënd në gojë, fshatarë, barinj, plaka të vjetra, të veshura me të zeza, dalin në rrugë dhe na përshendesin me lot në sy, njësoj sikur funerali yt të zhvillohej në ato cepa të humbur. "Po si ju ndodhi kjo gjëmë more djema? Neve e kishim si djalin tonë?". Kështu na tha, në anë të një rruge të zhuritur një plakë fort e vjetër, njësoj si ato që vijnë nga lashtësia. Operatorit tonë iu drodh dora, ndërsa ne të tjerët u mekëm. Nuk kishim as mundësi që t‘i thonim ndonjë fjalë falënderimi. Vetëm tundëm kokën dhe u larguam shpejt e shpejt që të mos na i shihnin lotët në cepat e syve. Ti, këtë punën e lotëve, kurrsesi nuk do ta aprovoje.

Ti nuk e dije, dhe as nuk kishe se si ta dije, se një Tiranë e tërë u mek kur trupi yt pa jetë kaloi ngadalë - për herë të parë dhe të fundit ngadalë - në rrugët e tij. Ti nuk e di se sa lule kanë hedhur mbi trupin tënd njerëz të panjohur, fëmijë, gra, të rinj… Ti nuk ke se si ta dish se çfarë mund të thoshte për ty një çoban me fanellë leshi, që djersitet duke qethur delet e tij. Ti nuk kishe si ta dije, mbase vetëm e ndieje instiktivisht, se ti dhe shokët e tu ishit njerëzit që u dhatë shumë shqiptarëve jo vetëm harenë, rininë, gëzimin, të vërtetën, ngjyrat në një botë krejt gri…

Jo vetëm këto.

Në radhë të parë, ti ishe ai që këmbëngule të thoshe: Ne shqiptarët nuk jemi vetëm vendi i prostitutave, i bunkerëve, i politikanëve të korruptuar, i trafiqeve. Ne shqiptarët jemi të aftë të bëjmë edhe gjëra që të tjerët mezi i kanë arritur. Ti ishe i pari që e the dhe e bëre këtë. Prandaj, edhe ne na presin në rrugët e humbura të vendit, që ti e deshe si gjënë më të shtrenjtë, fëmijë të hareshëm, barinj, mësues të lodhur nga vetmia, shtëpiake, jeta e të cilave është vetëm televizioni që t‘i krijove.

Prandaj, edhe ne ndjehemi krenarë sa herë që ndjejmë një fije dinjiteti te ata njerëz, të cilëve ti vetë i pari u shpure ndërmend se janë të barabartë dhe kanë të drejtën e jetës dhe të shijes së saj të veçantë. "A e njihje ti vetë?", më pyeti një i moshuar në një dyqankë fshati, mbi një shkëmb të zhveshur. Kur unë tunda, kokën fshatari më erdhi edhe më pranë dhe më shikonte në sy, njësoj sikur të të kishte parë diku vegimin tënd të largët.

I dashur Tan,

Shumë njerëz kanë shkruar për ty. Gazetat dhe televizionet ende buçasin me emrin tënd në gojë. Ti këtë sugurisht nuk do ta doje. Ti madje as nuk doje të filmoheshe. Por kësaj pune nuk kemi ç‘t‘i bëjmë. Humbja qe jo vetëm e madhe, por edhe e frikshme, e rëndë, absurde, gati-gati fatale. Kanë shkruar shumë dhe më shumë kanë folur.

Një miku ynë i vjetër, Carlo Bollino, edhe ai fort i ngashëryer për humbjen tënde, shkroi me pak fjalë një gjë të mençur. "Tani miku im - shkroi ai - të qajnë njësoj, miq edhe armiq". Eshtë e vërtetë. Gjatë këtyre shtatë ditëve të kanë qarë njësoj ata që të deshën dhe ata që ta kishin frikën. Se si të kanë qarë kjo pastaj është një punë tjetër. Por edhe ata që nuk të deshën i trondite edhe një herë që nga themelet. Nuk kishte se si të ndodhte ndryshe. Shumë herë e kam menduar që në këto rradhë të të shkruaja ndonjë fjalë për këta moralistët pa moral, për njerëzit cinikë, që bëjnë politikë edhe me vdekjen, për ata që edhe duke pasur mijëra vdekje mbi shpinë, vazhdojnë të hedhin vrer mbi trupin tënd tashmë pa jetë. Për këta tipa, do të doja që të përdorja ndonjë të sharë nga ato të fortat e Laprakës që përdornim mes nesh, sa herë binte fjala për hajdutët, dallkaukët, spiunët, kurvarët e fshehur, për shpirtvegjlit e djallosur dhe të pangopur.

Por e di se ty nuk do të të pëlqente që gazeta që ti ngrite vetë të shëmtohej me fjalë dhe emra të tillë. E kështu që, megjithëse e meritojnë një të sharë nga ato të fortat që të mbushin gojën plot, nuk po i shkruaj vetëm për hatrin tënd.

I dashur Tan,

Shumë gjëra do të të desha të shkruaja këtë mëngjes. Do të desha të shkruaja gjerë e gjatë për ato që bëre dhe për ato që kishe në mendjen tënde të furishme, porse poshtë më presin djemtë e "Top Channel", të paduruar për të kryer porosinë e fundit që ti na kishe lënë. Rri pa merak, miku im i mirë. Shpirti yt, më në fund, ka nevojë për pak qetësi. Do të kisha dashur me shpirt që sot të ishim në të njëjtën botë. Por jeta qenka kaq e padrejtë dhe ti e dije fort mirë këtë.

Me shumë mall

Tosi

Sarandë, 30 maj 2008



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›