"Shqipëria, kandidate për BE, PS rezolutë në Kuvend"
Kreu socialist, Edi Rama, bëri publike dje një rezolutë përmes të cilës i kërkon qeverisë që të aplikojë për vend kandidat të BE-së brenda vjeshtës. Rama vlerëson se Shqipëria ka humbur shumë kohë të vyer për shkak të një politike të vjetër dasish e konfliktesh me kosto të lartë për vendin. Ndërsa shton se interesat e Shqipërisë qëndrojnë mbi palët e përtej çështjeve të ditës. Kreu i opozitës shprehet i vendosur të kontribuojë për mbylljen e tranzicionit politik e ekonomik, duke ndërtuar institucione demokratike dhe një ekonomi funksionale tregu, me synim konsolidimin e demokracisë dhe zhvillimeve të qëndrueshme ekonomike në dobi të qytetarëve shqiptarë. "Jemi të gatshëm të bashkëpunojmë me të gjithë faktorët politikë e shoqërorë për rezultate konkrete në pavarësimin funksional të sistemit të drejtësisë, në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar", tha Rama. PS thekson se është e palëkundur në mbajtjen gjithnjë lart të flamurit të paqes, stabilitetit dhe bashkëpunimit shumëplanësh në rajonin tonë. Partia Socialiste i kërkon me ngulm qeverisë shqiptare të kryejë me përpikmëri të gjitha detyrimet që burojnë nga roli i saj kushtetues në përmbushjen e kërkesave të Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit. "Të përshpejtojë hapat për të realizuar procesin e prodhimit të pasaportave biometrike e të kartave të identitetit dhe të forcojë e modernizojë regjimin kufitar", u shpreh Rama. Ai kërkoi rezultate konkrete në luftën kundër korrupsionit e krimit të organizuar, si domosdoshmëri drejt liberalizimit të plotë të vizave për qytetaret e qytetarët e Shqipërisë. Si nismëtarë të procesit të diskutimit e bashkëpunimit për një reformë të thellë demokratizuese e modernizuese të sistemit të drejtësisë, Partia Socialiste kërkon mirëkuptimin e domosdoshëm të të gjitha forcave politike për ndërhyrje të studiuara e të debatuara gjerësisht, me të gjitha grupet e interesit e me publikun. Selia rozë rishpreh vullnetin e plotë për të realizuar pa humbur kohë reformën elektorale, përmes hartimit të një Kodi Zgjedhor të ri e koherent me ambicien e qytetarëve të Shqipërisë për zgjedhje të standardeve evropiane. Partia Socialiste ngulmon që qeveria shqiptare të parashtrojë zyrtarisht aplikimin e Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian në fillim të vjeshtës së ardhshme. Në vlerësimin e Ramës, ky është roli i socialistëve, të udhëheqin një proces transformimi të vetë procesit politik. "Duke u bërë zëdhënës të aspiratave dhe të ambicieve të shqiptareve dhe shqiptarëve e duke kërkuar në emër të tyre, një ecuri krejt të re drejt interesave strategjike të Shqipërisë dhe popullit shqiptar", nënvizoi Rama.