Husi: Detyrat e politikës shqiptare, deri në prill 2009
Koordinatori Kombëtar për çështjet me NATO-n, Glori Husi, ka përcjellë dje mesazhin se ka përfunduar me sukses raundi i dytë i negociatave me selinë e NATO-s në Bruksel. Negociatat zyrtare ndërmjet Aleancës së Atlantikut të Veriut dhe Republikës së Shqipërisë, në kuadër të procesit të anëtarësimit të plotë të Shqipërisë në NATO, dhe në përputhje me deklaratën përfundimtare te Samitit të NATO-s në Bukuresht, kanë ndezur akoma më shumë shpresën se Shqipëria do të jetë anëtare me të drejta të plota në NATO vitin e ardhshëm. Burime pranë qeverisë shqiptare bëjnë me dije se pas një muaji, ministri i Jashtëm do t‘i dërgojë një letër sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, ku do të paraqiten edhe detyrat e politikës shqiptare deri në prillin e vitit të ardhshëm. "Janë zhvilluar gjithsej dy raunde bisedimesh ndërmjet ekipit negociator të qeverisë shqiptare dhe përfaqësuesve të lartë të aleancës. Ne këto bisedime, Shqipëria u angazhua që, si anëtare e Aleancës, të mbrojë dhe promovojë parimet dhe vlerat e sanksionuara në Traktatin e Uashingtonit, si dhe të ndajë me aleatët të gjitha përgjegjësitë dhe detyrimet e vendit anëtar me të drejta të plota", tha Husi. Sipas tij, Shqipëria merr përsipër të jetë një aleate e denjë dhe luajale e NATO-s dhe e vendeve aleate, si dhe të japë kontributin e saj për garantimin e paqes dhe sigurisë së rajonit euroatlantik e më gjerë. Përfaqësuesit e lartë të NATO-s vlerësuan qartë se ishin arritjet e reformave të thella e të gjithanshme ato që bënë të mundur marrjen e ftesës në Samitin e Bukureshtit. "Ishte rezultati i këtyre reformave të suksesshme, që mundësoi mbylljen me sukses të plotë të negociatave zyrtare me NATO-n, në një kohe rekord, vetëm një muaj pas këtij samiti. Me mbylljen e negociatave hapet rruga për nënshkrimin e protokolleve të pranimit të Shqipërisë në Aleancën e Atlantikut të Veriut, të cilat pritet të nënshkruhen mbas dy muajsh, pra në korrik 2008, në selinë e NATO-s në Bruksel", tha Husi.