Topi u drejtohet deputetëve: Ja pse ktheva legalizimet
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka bërë me dije arsyet pse ka thyer për rishqyrtim ligjin "për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje". Kreu i shtetit është shprehur se këto ndryshime ligjore cenojnë parimin e decentralizimit të qeverisjes vendore. Dispozitat e këtij ligji bien në kundërshtim me aktet ligjore në fuqi dhe krijojnë një mbivendosje kompetencash, ku e njëjta kompetencë u atribuohet sipas ligjeve të ndryshme institucioneve të ndryshme. Në letrën drejtuar Kuvendit, Presidenti ka bërë me dije se sipas nenit 14 të ligjit, ALUIZNI me vendim të Këshillit të Ministrave ngarkohet të kryejë procedurat për kalimin e pronësisë së parcelës ndërtimore të objekteve informale nga shteti te poseduesi i ndërtimit pa leje, parashikim ky që bie në kundërshtim me nenin 32 të ligjit nr. 8652, datë 25.08.2000 "për organizimin dhe funksionimin e qeverisjes vendore", sipas të cilit, miratimi dhe tjetërsimi, ose dhënia në përdorim e pronave të tretëve, është detyrë e këshillit komunal dhe bashkiak.