E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të vegjlit, pro bashkëpunimit PD-PS

Rihapet debati për dorëzimin e imunitetit të zyrtarëve të lartë. Partitë e vogla, aleate me PD-në, kanë aprovuar dje idenë e lënies së imunitetit në rast se kjo gjë kërkohet nga drejtësia. Deputeti i PBDNJ-së, Spiro Peçi, ka kërkuar që kufizimi i imunitetit duhet të jetë për rastet kur ka të dhëna apo denoncime për korrupsion. Reagimi i Peçit vjen një ditë pas paktit PD-PS për kufizimin e imunitetit. "Problemi shtrohet që për aq kohë sa në Kushtetutë është i përcaktuar imuniteti, unë e shoh të pamundur ligjërisht, sepse çdo ligj që do të dalë për kufizimin e këtij imuniteti vjen në kundërshtim me këtë dispozitë të Kushtetutës", tha deputeti i PBDNJ-së. Peçi sheh si të vetmen mënyrë për të realizuar këtë "një deklarim vullneti të përbashkët nga të gjithë deputetët, për aq kohë sa nuk është ndryshuar Kushtetuta për këtë pikë". Partia Bashkimi Liberaldemokrat ka vlerësuar gjithashtu paktin PD-PS lidhur me nismën për heqjen e imunitetit të deputetëve. Kryetari i PBLD-së, Arjan Starova, tha se vlerëson bashkëpunimin e deritanishëm mazhorancë-opozitë për realizimin e reformave të rëndësishme në vend. Kryetari i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka, ka theksuar se "imuniteti nuk është një mburojë e korrupsionit, por është mburojë ndaj sulmeve të politikës". Ndoka tha se "imuniteti i jepet një politikani, deputeti për mburojë ndaj sulmeve politike, qofshin ato të mazhorancës apo opozitës". Duke e konsideruar çështjen e kufizimit të imunitetit si një problem që diskutohet prej disa kohësh në politikën shqiptare, Ndoka nënvizoi se një politikan duhet të jetë i hapur ndaj organeve të drejtësisë për problemet që mund të ketë me të.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›