PD-PR, "kafe pune" për legalizimet
Republikanët nisin negociatat me Partinë Demokratike, për të ndryshuar ligjin e legalizimeve. negociatat kanë në thelb jo ndryshimin në tërësi të ligjit të legalizimeve, por vetëm që të përcaktojë afatet. Rezultat i negociatave të para është dhënia e titujve ekzekutivë nga ALUIZNI, kështu që ligji nuk do të preket në tërësi, por do të përcaktohet vetëm afati. Dy partitë e djathta kanë rënë dakord parimisht për ndryshimet përkatëse dhe gjatë kësaj jave do të ulen të bisedojnë konkretisht se çfarë do të ndryshojnë në ligjin që u kthye nga Presidenti Bamir Topi. Të dyja kampet e kanë pranuar faktin se negociatat kanë nisur tashmë. Arjan Madhi nga republikanët dhe Astrit Patozi nga demokratët do të përpilojnë gjatë javës në vazhdim pikat mbi të cilat do të ndërhyhet. Takimi i radhës mes dy kryetarëve të grupeve parlamentare të PD dhe PR do të jetë ditën e hënë. Kreu i grupit kuvendor të PR-së, Arjan Madhi, u shpreh se i është propozuar grupit parlamentar të PD-së që në ligj të përcaktohet një afat konkret se kur do të dëmshpërblehen ish-pronarët e tokave në ndërtimet informale. "Kemi propozuar konkretisht që në momentin kur të jepen lejet e legalizimit për një subjekt, jo më vonë se tre muaj kohë, të jepet edhe dëmshpërblimi përkatës për subjektin e shpronësuar që ka tokën në ndërtimin informal", tha Madhi. Republikanët dhe demokratët kanë pranuar më në fund të bëjnë ndryshimet teknike në ligj. Madhi e ka konsideruar përcaktimin e afatit si të nevojshëm për t‘u respektuar dhe për t‘u parë në ligjin që u kthye nga Presidenti Topi. Numri dy i republikanëve e ka cilësuar si të paqartë ligjin e mëparshëm. "Kemi kërkuar që krahas legalizimit të ndërtimeve informale, të respektohen edhe ish-pronarët si pjesë e ligjit në këtë proces", tha Madhi, duke shtuar se besojmë te PD që në ditët në vijim do të ketë një reflektim në këtë ligj. PR kundërshtoi hapur miratimin e ndryshimeve në ligjin e legalizimeve, të cilat u miratuan në Kuvend me një minimum votash, vetëm 52 vota pro. Reagimi i republikanëve u mor në konsideratë nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i cili riktheu në Kuvend ligjin. Rikthimi në Kuvend u cilësua i drejtë edhe nga opozita, e cila e ka kundërshtuar këtë ligj. Edhe vetë Kryeministri Berisha ka deklaruar disa ditë më parë se dekreti i Presidentit do të shqyrtohet, ku do të merren parasysh të gjitha sugjerimet. Tashmë pritet që ligji të diskutohet në komisionet e posaçme parlamentare, ku pritet të bëhen publike ndryshimet që kanë vendosur palët me njëra-tjetrën. Gjithsesi, thelbi i problemit ngelet i pazgjidhur për çështjen e pronësisë.