Meta: Nga "Skënderbej" nis referendumi 3 me Berishën
Lëvizja Socialiste për Integrim dhe përfaqësues të shoqërisë civile kanë protestuar dje në Sheshin "Skënderbej" në lidhje me ndryshimet kushtetuese të bëra nga Kuvendi i Shqipërisë pas bashkëpunimit të dy partive të mëdha, PD-së e PS-së. Në protestë kanë qenë edhe krerët e PDS-së, PAD-së, si dhe deputetët e PS, Petro Koçi e Luan Memushi. Analisti i njohur, Andrea Stefani, gjatë fjalës së tij të qindra protestuesve ka kërkuar referendum për ndryshimet kushtetuese. Gjithashtu ai ka renditur disa nga sulmet që i janë bërë kushtetutës dhe demokracisë nga kryetari i PD-së dhe i PS-së. Më pas fjalën e ka marrë deputeti Petro Koçi, i cili ka akuzuar Berishën dhe Ramën për shkatërrimin e shtetit demokratik. Koçi ka hedhur akuza të rënda ndaj politikës shqiptare dhe konkretisht ndaj kolegëve të tij deputetë, duke thëne se për një vend në listën për deputet kanë shitur Kushtetutën, duke votuar pro këtyre ndryshimeve. Ai ka theksuar se republika jonë nuk është pronë e dy feudalëve dhe matrapazëve, por e gjithë shqiptarëve. Të njëjtin mendim me deputetin Koçi ka ndarë edhe kryetari i PAD-së, Neritan Ceka, i cili gjithashtu ka akuzuar Kuvendin për pazare në kurriz të shqiptarëve për të shkatërruar Kushtetutën. Të gjitha ato ndryshime në Kushtetutë, tha Ceka, janë bërë në mënyrë të fshehtë mes kryetarit të PD-së dhe PS-së, ndaj ai i ka kërkuar popullit që të reagojë për të ardhmen e demokracisë shqiptare. Gjithashtu edhe kryetari i PDS-së, Paskal Milo, ka kundërshtuar ndryshimet kushtetuese. Ai ka kritikuar qëndrimin e PS-së, e cila nuk është bashkuar me ta në këtë protestë për të mbrojtur Kushtetutën dhe demokracinë e kërcënuar. Kundër ndryshimeve kushtetuese është shprehur edhe kryetari i LSI-së, Ilir Meta, i cili gjatë fjalës së tij ka akuzuar deputetë të kapur, të cilët kanë ngritur dorën kundër sovranit. Meta ka theksuar se "nuk do të bëjmë asnjë kompromis në atentatin e ndarjes së pushteteve. Ne, tha Meta, duhet të kthejmë në duart e sovranit kompetencat e rrëmbyera më 21 prill. Ne sot nisim referendumin e tretë me Sali Berishën dhe do ta fitojmë atë".