Hyjnë për të grabitur, pronari vret 28-vjeçarin me maskë
Tiranë - Pronari i kompleksit “Llanaj” në Tiranë ka qëlluar për vdekje me pistoletë njërin nga dy personat me maskë, të cilët, mëngjesin e së shtunës kishin hyrë për të grabitur në pronën e tij private. Duke iu referuar dëshmisë së Fehim Llanajt në polici, dy grabitësit kishin hyrë me maska për të vjedhur në godinën 5-katëshe, pronë e tij, që ndodhet në rrugën “Teodor Keko”, pranë Unazës së Re në Tiranë. Me të marrë njoftimin forca të shumta policie dhe një grup hetimor kanë shkuar në vendngjarje për të mbledhur provat materiale, të cilat do të ndihmojnë në zbardhjen në detaje të motivit të kësaj vrasjeje.
Ngjarja
Burime policore thanë se biznesmeni, teksa qëndronte në apartament në katin e sipërm të kompleksit, aty rreth 02:30 të së shtunës, kishte dëgjuar zhurma, që vinin nga kati i parë. Bazuar në dëshminë e Llanajt, i cili kishte zbritur menjëherë dhe kishte parë atje një person me maskë të armatosur që kishte ikur me vrap duke hedhur edhe armën e tij. “Me pistoletën e grabitësit u ngjita në kat të dytë për të kontrolluar. Pashë se dera ishte shqyer. Vazhdova të kontrolloja, kur një person m’u drejtua me një levë në dorë. Qëllova drejt tij me pistoletën që kisha në dorë dhe e lashë të vdekur”, – ka dëshmuar Fehim Llanaj, pronari i kompleksit me të njëjtin emër.
Identifikimi
Për disa orë policia nuk dinte asgjë rreth identitetit të personit të vrarë, ndërsa po heton disa pista, mes të cilave edhe atë të grabitjes. Më pas grabitësi me maskë u identifikua si Petrit Pjetri, 28 vjeç, me origjinë nga Puka, por me banim në Unazën e Re, disa dhjetëra metra larg vendit të ngjarjes. Ndërsa Fehim Llanaj ndodhet i shoqëruar në polici deri në sqarimin e rrethanave të ngjarjes. Sipas biznesmenit, viktima kishte si qëllim grabitjen dhe se ai kishte qëlluar për t’u vetëmbrojtur.
Kompleksi “Llanaj” ndodhet në rrugën “Teodor Keko” pranë Unazës së Re në kryeqytet dhe përbëhej nga një godinë 5-katëshe. Në këtë kompleks është në funksion një servis makinash dhe gomash, një parukieri dhe shtëpia e banimit e familjes së biznesmenit Fehim Llanaj.
11 Janar 2009