E Diel, 1 Nëntor 2026

Mero Baze padit shefin e policëve që penguan gazetarët të hynin në redaksi

Baze kërkoi hetimin e shefit të policisë për të arritur te urdhëruesit e tij. Dy ditë më parë, policia refuzoi hyrjen e gazetarëve të “Tema”-s në redaksi

Habjon Hasani

Tiranë - Botuesi i gazetës “Tema” ka dorëzuar dje në Prokurorinë e Tiranës një padi penale në ngarkim të drejtorit të Ruajtjes së Objekteve Ahmet Matoshi. Sipas Bazes, Matoshi pengoi mesditën e së premtes zbatimin e vendimit të gjyqësorit duke kryer kështu një vepër penale. Botuesi i “Tema”-s tha se gjykata i ka dhënë të drejtë gazetës të qëndrojë në ambientin aktual, por vendimi nuk u zbatua nga drejtori i ruajtjes së objekteve. Baze tha se gazetarët kanë punuar dje në rrugë me laptop dhe se janë ndihmuar nga redaksitë e gazetave të tjera për të printuar dhe publikuar gazetën e ditës së sotme. Baze tha se bllokimi i gazetës është vepër e strukturave politike, por “Tema” do të vazhdojë betejën e saj të drejtë. Mesditën e së premtes, forcat policore të monitoruara nga kamerat e shumë mediave refuzuan të pranonin respektimin e vendimit gjyqësor. Mero Baze, drejtor dhe pronar i gazetës “Tema”, është shprehur gjatë protestës së të premtes para kordonit policor se redaksia e tij me ndërtesën ku do të prodhohen kartat e identitetit janë në distancë me njëra-tjetrën. Sipas tij, ky është thjesht një justifikim i qeverisë për të marrë këto masa, që ndër të tjera është edhe prishja e një marrëveshjeje mes kompanisë së tij mediatike dhe qeverisë për ta marrë këtë ambient me qira për disa vite.
Mbështetja
Në mbështetje të gazetës “Tema” reagoi mbrëmjen e së enjtes edhe Ambasada Amerikanë në Tiranë. Në reagimin e saj, kjo Ambasadë theksoi se ka një vendim gjykate që lejon vazhdimin e punës në këtë redaksi. Rreth katër orë më vonë, Baze ka treguar për “Zërin e Amerikës” arsyet që, sipas tij, kanë çuar në këtë sfidim të hapur që qeveria dhe policia po u bën vendimeve të drejtësisë. “Berisha ka urdhëruar të mos zbatohet vendimi i gjykatës. Ne nuk kemi hyrë ilegalisht në atë ndërtesë, por kemi nënshkruar një kontratë 20-vjeçare, prandaj mendojmë se kjo është dora e qeverisë. Është një hakmarrje ndaj gazetës “Tema””, - ka deklaruar Baze. Sipas tij, redaksia e “Tema”-s ka hyrë në ndërtesë para se qeveria ta shpallte atë si të rëndësisë së veçantë dhe bllokimi i saj nuk ka të bëjë fare me projektin e kartave të identitetit.
Protesta
Mero Baze, si dhe stafi i kësaj gazete, kanë kundërshtuar vendimin e qeverisë dhe e kanë cilësuar atë si një vendim politik dhe një hakmarrje e kryeministrit Berisha ndaj gazetës, e cila ka qenë shumë kritike ndaj tij. Protesta e stafit të gazetës “Tema” është mbështetur edhe nga dhjetëra gazetarë të tjerë të medias së shkruar dhe vizive, të cilët kanë vlerësuar se pas këtij akti është qëndrimi hakmarrës i kryeministrit Sali Berisha. “Zotëri, të lutem shikoje këtë vendim gjykate! Mua Kushtetuta më garanton të punoj i qetë në pronën time, pasi Gjykata ma ka njohur këtë të drejtë. As ju, as eprorët tuaj, nuk mundeni të dilni mbi gjykatat”, - i është shprehur Baze përfaqësuesit të forcave policore pranë redaksisë. Nga ana e tij, përfaqësuesi i togës policore ka deklaruar se duhej që këtë vendim gjykate ta paraqiste te eprorët e tij pasi ai vetë kishte urdhër të prerë për të mos lejuar hyrjen e stafit të gazetës në objekt. Ky përfaqësues ka qenë Ahmet Matoshi, i cili, prej ditës së djeshme, gjendet nën hetim pas padisë që bëri Baze. Me policinë kanë debatuar edhe përfaqësuesit e tri shoqatave të gazetarëve, të cilët gjithashtu kanë shprehur qëndrimin e tyre për dhunimin e hapur të ligjit. Ylli Rakipi, Aleksandër Çipa, Andi Bushati e Andrea Stefani kanë debatuar dy ditë më parë për rreth 40 minuta me përfaqësuesit policorë.

11 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›