E Diel, 1 Nëntor 2026

Universiteti i Korçës, hapet dega e Ekonomisë së turizmit



Çelet dega e Ekonomisë së turizmit në Universitetin e Korçës. Ky universitet, në bashkëpunim me Bashkinë e Pogradecit, nënshkruan dje një marrëveshje për hapjen e një dege të Ekonomisë së turizmit në këtë qytet, me synimin që në një të ardhme të afërt të krijohet aty një filial i këtij universiteti. Marrëveshjen e nënshkruan rektori i Universitetit “Fan. S. Noli” të Korçës, Gjergji Mero, dhe kryetari i Bashkisë së Pogradecit, Artan Shkëmbi. Pritet që ajo të vihet në zbatim me fillimin e vitit të ri akademik. Më pas, duke parë ecurinë, ky filial i Universitetit të Korçës mund të zgjerohet në Pogradec edhe me degë të tjera për të cilat ka më shumë kërkesa nga të rinjtë e këtij qyteti dhe fshatrave të tij. Rektori i Universitetit të Korçës bën të ditur se së shpejti në këtë universitet do të hapet edhe një degë e Infermierisë. “Arritëm një marrëveshje me Bashkinë e Pogradecit për të hapur në këtë qytet një filial të Fakultetit Ekonomik në degën e Turizmit, me perspektivë për të çelur dhe një degë të Infermierisë”, - pohon Gjergji Mero. Ai sqaron se Bashkia e Pogradecit ka marrë përsipër të vërë në dispozicion godinën ku do të vendoset dega e Turizmit, ndërsa Universiteti i Korçës ka si detyrim në këtë marrëveshje personelin mësimdhënës. Kjo bashki parashikon që godina e Qendrës Kulturore të Fëmijëve në qytetin e Pogradecit të përshtatet si mjedis për studentët e degës së Turizmit, të cilët fillimisht do të jenë një klasë e vetme. Sipas rektorit Mero, vetë perspektiva e Pogradecit për zhvillimin e turizmit, e bën të nevojshme përgatitjen e studentëve në këtë sektor dhe duke u nisur nga kërkesat që kanë të rinjtë pogradecarë për degën e turizmit në Universitetin e Korçës, drejtuesit e tij vendosën që të hapin një filial të kësaj dege në qytetin e Pogradecit.

11 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›