E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shalsi: “BERZH-i i ka dhënë miratimin kredisë”



Emanuela Sako
Bashkia e Tiranës vazhdon debatet për projektin e Unazës së Madhe. Ajo ka publikuar studimin voluminoz që një firmë e huaj, e kontraktuar nga BERZH-i, i ka bërë analizës financiare të Bashkisë. Eduard Shalsi, nënkryetar i Bashkisë, ka sqaruar se paraprakisht se BERZH-i e ka miratuar këtë kredi. Sipas studimit të kryer, Bashkia e Tiranës i ka mundësitë për të marrë kredinë 20 milionëshe, por edhe një shumë më të madhe se kjo. Shalsi u është kundërpërgjigjur të gjithë atyre zërave që mohojnë mundësitë e Bashkisë për realizimin e projektit të Unazës së Madhe. Shalsi i ka bërë edhe një herë apel qeverisë të vijojë me shpronësimin e objekteve, pasi Bashkia i ofron të gjitha mundësitë e realizimit të projektit. “Edhe për projektin e Unazës së Madhe ka një analizë financiare prej 171 faqesh, e cila është bërë nga një studio e huaj, të cilën e ka kontraktuar BERZH-i dhe mbi bazën e së cilës ne kemi marrë miratimin paraprak. Në këtë analizë është arritur konkluzioni se Bashkia e Tiranës ka kapacitet të thithë një kredi edhe më të madhe se ajo që nevojitet për këtë segment të Unazës së Madhe”, - theksoi nënkryetari i Bashkisë.
Kundërshtimet
Debatet për Unazën e Madhe i nisi kryeministri Berisha, i cili theksoi se qeveria do t’i ofrojë Bashkisë fondet për shpronësimet dhe për ndërtimin e saj. Sipas tij, Bashkia rrezikon të dështojë në sigurimin e kredisë për shkak të performancës së saj të mjerueshme fiskale. Pas kësaj u nxitën reagimet e krerëve të tjerë të politikës, të cilët akuzuan Bashkinë për pamundësinë e realizimit të projektit. Dy ditë më parë ministri i Transporteve, Punëve Publike dhe Telekomunikacionit, Sokol Olldashi, i është drejtuar Bashkisë së Tiranës me një letër, ky zyrtarisht kërkon që t’i dorëzohet projekti për ndërtimin e Unazës së Madhe. Kjo kërkesë shprehet me pretendimin se pushteti vendor e ka të pamundur të zbatojë këtë projekt.
Unaza e Madhe
Bashkia e Tiranës zbardh detajet për ndërtimin e Unazës së Madhe, që do të përshkojë zonat kryesore të kryeqytetit. Pjesë e këtij projekti janë dhe disa vepra madhore që do të shërbejnë për shmangien e trafikut në kryeqytet dhe do të kenë vlera estetike, të cilat do të përmirësojnë infrastrukturën rrugore. Unaza e Madhe është përcaktuar si një nga arteriet kryesore të sistemit rrugor të Tiranës. Ndërtimi i një pjese të Unazës së Madhe, që lidh Rrugën e Durrësit me atë të Kavajës, me një gjatësi 2.2 kilometra, është përfunduar në vitin 1999. Pjesa tjetër do të financohet në fazën e dytë të projektit, nga Rruga e Kavajës deri te Rruga e Elbasanit. Projekti i Bashkisë së Tiranës për ndërtimin e Unazës së Madhe prek atë pjesë të kryeqytetit që nis që nga Shkolla Teknologjike deri te Rruga e Elbasanit. Ndërtimi i një pjese të Unazës së Madhe lidh Rrugën e Durrësit me Rrugën e Kavajës dhe kjo pjesë ka një gjatësi rreth 2.2 kilometra, ku përfshihet edhe zgjerimi. Projekti për këtë rrugë është menduar të kalojë në zonën e Selitës, pranë Kopshtit Botanik dhe Zoologjik, në kodrat mbrapa Parkut të Madh të Tiranës, në Kodrat e Saukut, nga ku do të lidhet me Rrugën e Elbasanit pranë Akademisë së Rendit Publik. Sipërfaqja e tokës që duhet të shpronësohet është rreth 35 hektarë. Përveç tokës së bukës janë parashikuar të shpronësohen rreth 180 banesa private, plotësisht apo pjesërisht.

11 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›