Spitalet pa ngrohje, sistemi i kaldajave është jashtë funksionimit
QSUT-ja përfshihet sërish nga skandali i shërbimeve që ofrohen. Por këtë herë në qendër të vëmendjes është i ftohti, që ka zënë vend në të gjitha dhomat e pavijoneve. Sistemi i kaldajave në QSUT nuk punon prej disa muajsh, ndërsa pacientët janë të detyruar t’i plotësojnë kushtet në mënyrë individuale. Kështu, në shumë pavijone e shërbime të Spitalit “Nënë Tereza” dhomat janë pa ngrohje, ndërsa njerëzit detyrohen të blejnë vetë pajisje që kompensojnë mungesat e spitalit. Në Pavijonin e Kardiokirurgjisë sistemi i ngrohjes nuk punon prej disa muajsh, ndërsa pacientët pohojnë se janë të lodhur nga kjo gjendje. Gjithsesi, në një komunikim zyrtar Drejtoria e Spitalin "Nënë Tereza" është shprehur se po merren masa për riparimin e defektit në kaldajën e këtij shërbimi.
Ndihma për zonat e bllokuara nga bora
Në zonat e bllokuara nga bora janë shpërndarë ndihma në ushqime, ku duket se mungesa e tyre po theksohet çdo ditë e më shumë. Drejtori i Përgjithshëm i Emergjencave Civile në Ministrinë e Brendshme, Alfred Olli, u shpreh se 3 helikopterë të Ministrisë së Rendit dhe të Mbrojtjes kanë vijuar të shtunën shpërndarjen e ndihmave në komunën Qarishtë të Librazhdit si dhe në disa komuna të tjera të këtij rrethi. Sipas Ollit, fadromat e Ushtrisë po punojnë edhe për zhbllokimin e rrugëve në akset Kukës-Bushtricë, Qafën e Buallit, në 2 komuna të Kukësit si dhe 3 komuna të Dibrës, aktualisht të bllokuara nga reshjet e dëborës së rëna gjatë këtyre ditëve.
11 Janar 2009