E Diel, 1 Nëntor 2026

Vrasjet, viti nis i mbrapshtë dhe i frikshëm



Statistikat e këtij fillim janari për vrasjet në kryeqytet janë të frikshme. Plot gjashtë viktima janë shënuar në skedarët e ngjarjeve kriminale të policisë. Vetëm gjatë 24 orëve të fundit kemi dy viktima; djali vrau të ëmën dhe tjetra nga një grabitje në orët e para të mëngjesit të djeshëm në kompleksin “Llanaj”, në Unazën e Re. Si ngjarja më e rëndë është regjistruar vrasja dhe më pas djegia e taksistit 42-vjeçar Ramazan Hyka, për të cilën nuk ka ende një pistë hetimi, edhe pse janë shoqëruar disa persona dhe pyetur familjarë e të afërm. Nuk kanë marrë ende rrugë zbardhja e vrasjes së dyfishtë, pra ajo e Flutura dhe Elton Deliut, (nënë e bir), ekzekutim i kryer, sipas policisë, me silenciator në shtëpinë e tyre, pa pyetur fare për kamerat e sigurisë së apartamentit si dhe mbrojtjes që ata gëzonin. Hetimet janë kanalizuar në një hakmarrje të mundshme, duke pasur parasysh implikimin e Deliut në përplasjet me kundërshtarët në trafikun e drogës, por ende nuk ka një të dyshuar për autorësinë e kësaj masakre. Hetimet për këtë ngjarje duket se do të zgjasin, por le të shpresojmë se kjo dosje nuk do të jetë si disa të tjera, pa autor.
Mister mbetet vrasja makabër e taksistit Ramazan Hyka, i cili rezultonte i pastër, pra i paregjistruar në kartelat policore. S’ka ende një njoftim zyrtar se çfarë po ndodh, përveç njoftimit të vrasjes.
Në përmasa alarmi është edhe krimi në familje, i cili nisi me dërgimin drejt flijimit të një 27- vjeçareje dhe për vdekjen e saj policia arrestoi bashkëshortin, i cili e keqtrajtonte sistematikisht. Rasti i dytë ishte ai i dy ditëve më parë kur Valter Prendi ndjeu ftohtësinë e prangave, edhe pse i dehur, për ekzekutimin me një breshëri automatiku të nënës së tij. Gjithçka rezulton të ketë ndodhur në harkun e disa sekondave.
Drejtuesit e rinj të Policisë së Tiranës do të përballen tashmë me zbardhjen e ngjarjeve të rënda kriminale. Nga ana tjetër, ata duhet të jenë më vigjilentë për të parandaluar krimin në familje, i cili ka qenë një problem jo i vogël edhe vitin që shkoi.

11 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›