Hyka: “Kundër Bajernit përjetova minuta magjike”
Mesfushori i talentuar Jahmir Hyka ka “rizbuluar” veten në Gjermani. Në ndryshim nga sezoni i kaluar, kur Mainc 05 militonte në Bundesligë e minutat e tij ishin të pakta gjatë gjithë edicionit (), tashmë midis skuadrave më të mëdha gjermane, ato të Bundesligës 1, “Maradona” i Shqipërisë është aktivizuar si zëvendësues në tre nga katër takimet e luajtura: kundër Hanover 96, Bajern i Munihut dhe Borusia e Mënshengladbahut. Aktivizimi për disa minuta (të mira) në fitoren 2-1 historike të Maincit kundër Bajernit të Munihut, duket se e kanë bërë me “krahë” virtuozin e ri shqiptar, i cilin ndihet “Ok” me futbollin në një prej kampionateve më të forta në Europë dhe në Botë. Ndihet mirë fizikisht dhe Gjermania i ka mësuar shumë hile të futbollit. Tani, Jahmiri synon minuta edhe kundër Danimarkës.
Hyka, pas një sezoni të kaluar thuajse në bankinë kur Mainc 05 ishte në Bundesliga 2, tani gjithmonë e më shumë i aktivizuar me skuadrën tënde, edhe pse flitet për një kompeticion edhe më të rëndësishëm si Bundesliga 1. Si po i përjeton Jahmiri këtë ndryshim?
Natyrisht për mirë. E konsideroj diçka pozitive, për vetë faktin se në moshën time nuk është e lehtë të luash në Bundesligë. Megjithatë, unë kam qenë gjithmonë gati për të luajtur, dhe në ato pak ndeshje që jam aktivizuar në Bundesliga 2 kam dhënë më të mirën. Tani me largimin e ish-trajnerit Jërg Anderson dhe me ardhjen e teknikut të ri, Tucher, i cili për hir të së vërtetës ka një filozofi tjetër në lojë, ka pasur fatin të kem më shumë minuta më këmbë.
Në Shqipëri, të gjithë trajnerët kanë qenë të kënaqur me lojën tëndë, përfshirë dhe ata të Kombëtares, si Bariç, Hani e tani dhe Kuzhe. A është i kënaqur trajneri i Maincit me atë që ke paraqitur deri tani në Bundesligë, edhe pse flitet vetëm për tri ndeshjet e para të tua?
Besoj se po. Për aq kohë sa jam aktivizuar kam bërë gjëra pozitive. Normalisht, që dhe unë shpresoj për më shumë. Por, e rëndësishme është që Tucher ka një vizion tjetër në raport me mua apo me vlerat e mia. Le të shpresoj për më shumë.
Jahmir, ishe pjesë e skuadrës në fitoren historike 2-1 kundër Bajernit të Munihut, gjigantëve të Gjermanisë. Përjetuat emocione të mëdha, a po jo?
Po e vërtetë, luajta si zëvendësues, por të them të drejtën provova një kënaqësi të jashtëzakonshme. Ishte një stadium i mbushur plot dhe fundi i ndeshjes ishte me të vërtetë një çmenduri. Nuk ndodh shpesh të luash kundër Bajernit, e aq më tepër të fitosh. Unë të paktën se kisha menduar kurrë këtë gjë në kohën kur luaja në Shqipëri.
Luajta kundër disa prej lojtarëve më të mëdhenj të Gjermanisë, çfarë ndjeve kur trajneri të thirri për t’u futur në lojë?
Emocion e kënaqësi. Përjetova minuta magjike. Ishte e vështirë kundër tyre. Trajneri më dha këshillat e duhura në këtë rast. U futa për të ndihmuar shokët në ruajtjen e rezultatit. Për fat gjithçka përfundoi mirë. Për mua shkoi mirë, me deshi Zoti. Bëra ca driblime të bukura në ndeshjen kundër Bajernit.
Ju pret ndeshja me Hertën e Berlinit. Ke luajtur në 3 ndeshje rresht, një sinjal i mbarë për ty.
Shpresoj të vazhdoj kështu, me gjithë se nuk do të jetë e lehtë. Me Hertën synojmë fitoren pasi luajmë në shtëpi.
Kundër Danimarkës vijmë pas një fitoreje tenistike në miqësoren kundër Qipros, 6-1. Një ogur i mirë përpara sfidës ndaj një ekipi që na ka mundur thellë në ndeshjen e parë në Kopenhagen, 3-0.
Normalisht, që vijmë me moral të lartë. Jo vetëm nga ndeshja me Qipron apo me Gjeorgjinë (1-1). Besoj se bëmë një ndeshje shumë të mirë edhe me Portugalinë, pavarësisht se humbëm në minutën e fundit (1-2). Gjithsesi, nuk duhet harruar se ndeshja me Qipron ishte një ndeshje miqësore. Takimi kundër Danimarkës është zyrtar, dihet forca e saj, për më tepër që kërkon kualifikimin direkt në finalet e Kampionatit Botëror. Nuk do të jetë e thjeshtë. Në takimin e parë unë nuk isha në Danimarkë, pasi nuk u thirra nga trajneri Ari Han.
Si në ndeshjet miqësore e Shqipërisë (B) kundër Milanit, ashtu dhe në ato kundër Gjeorgjisë e Qipros, kemi parë një Hykë të rritur fizikisht.
Normalisht që jam rritur në shumë aspekte, jo vetëm atë fizike, por sidomos në atë taktike të lojës. Gjermania më ka ndihmuar në shumë gjëra.
Rekordmeni i golit më të shpejtë
Anësori i Mainc 05, është një nga 20 lojtarët e thirrur nga trajneri i Kombëtares shqiptare, Josip Kuzhe, për ndeshjen kundër Danimarkës. Ia vlen të kujtojmë, se Hyka nuk u thirr nga Ari Hani për ndeshjen e parë të humbur 3-0 me danezët në Kopenhagen. Hyka e ka veshur për herë të parë fanellën e Kombëtares, pikërisht në ndeshjen miqësore kundër Maqedonisë (7 shkurt 2007, të humbur 0-1 në Shkodër), kur ai ishte vetëm 18 vjeç, por “xhuxhi” ka vendosur një rekord absolut. Është autori i golit më të shpejtë në historinë e Kombëtares në miqësoren kundër Lihteshtejnit (2-0), kur realizoi në sekondën e 49-të.
Tetë ndeshje, gjashtë pikë
Pas tetë ndeshjeve të para, Kombëtarja jonë ka grumbulluar vetëm 6 pikë, duke pasur në bilancin e saj, 1 fitore, 3 barazime dhe 4 humbje. Shqipëria ka fituar me Maltën (3-0), barazuar me Suedinë (0-0, në Tiranë) dhe Portugalinë (0-0, në Braga) e Maltën (0-0, në La Valeta). Kemi humbur me Hungarinë (2-0, në Budapest e 0-1 në Tiranë), Danimarkën (3-0 në Kopenhagen) dhe së fundi me Portugalinë (1-2, në Tiranë).
Nis “anti-Danimarka”
Kombëtarja nën drejtimin e trajnerit Josip Kuzhe nisin përgatitjet për ndeshjen kundër Danimarkës, ndaj të cilëve kemi pësuar edhe humbjen më të thellë të Shqipërisë në këto kualifikuese, kemi listën e 20 të besuarëve të trajnerit të Kombëtares, Josip Kuzhe. Takimi kundër Danimarkës, kryesuese absolute e grupit tonë, do të jetë ndeshja e dytë zyrtare e Kuzhesë, pas asaj të humbur 2-1 në minutën e fundit me Portugalinë e Kristiano Ronaldos. Në tri ndeshje në drejtimin e përfaqësueses, një zyrtare e dy miqësore, trajneri Kuzhe i ka provuar të tre rezultatet: një fitore me Qipron (6-1, miqësore), një barazim me Gjeorgjinë (1-1, miqësore) dhe një humbje me Portugalinë (1-2, zyrtare).
Kujtimet e hidhura me Danimarkën
Në përballjen e parë në Kopenhagen, Shqipëria, atëherë e drejtuar nga Ari Han, humbi me rezultatin e thellë 3-0. Danimarka realizoi me Leon Andreasen (30’), Soren Larsen (37’) dhe Kristian Pulsen (80’). Humbja me danezët, e dyta rresht pas asaj me Hungarinë në Tiranë (0-1), e shoqëruar edhe me barazimin e zbehtë në Maltë (0-0), provokoi edhe shkarkimin e holandezit pas një presioni të jashtëzakonshëm popullor të specialistëve të futbollit, përfshirë edhe disa ish-trajnerë të Kombëtares shqiptare e teknikë i të shquar klubesh. Kundër qëndrimit të mëtejshëm të ish-trajneri të Kinës e Kamerunit ishte thuajse e gjithë tifozeria kuqezi në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e mbarë botën, çka e detyroi Federatën Shqiptare të Futbollit t’i kërkonte dorëheqjen ish-lojtarit të Ajaksit, por duke paguar një faturë jo të vogël financiare.
Danimarka përpara së të luajë me Shqipërinë në Tiranë (9 shtator) do të përballet në shtëpi me Portugalinë (5 shtator), ku nga fati i atij takimi do të varet edhe e ardhmja e dy skuadrave. Në ndeshjen e parë, Danimarka fitoi në Portugali 3-2. Më pas danezët kanë punë me Hungarinë e Suedinë. Ajo çka është prodhuar deri tani në grupin tonë kualifikues të zonës europiane të Kampionatit Botëror ka “sistemuar” një renditje aspak të menduar kur u hodh shorti dhe është një “rebus” i vërtetë. Portugalia (6 ndeshje, 9 pikë) dhe Suedia (6 ndeshje, 9 pikë) ishin konsideruar favorite të qarta për të ndarë vendet 1-2, të kualifikuarën direkt dhe atë që shkon në play-off, ndërkohë që skuadrat e Kristiano Ronaldos e Zlatan Ibrahimoviçit renditen në vendet 3-4, respektivisht pas Danimarkës (6 ndeshje, 16 pikë) e Hungarisë (6 ndeshje, 13 pikë).
ELIMINATORET E
KAMPIONATIT BOTËROR 2010
GRUPI 1, ZONA EUROPIANE
NDESHJET E SHQIPËRISË
Shqipëri-Suedi 0-0
Shqipëri-Maltë 3-0
Hungari-Shqipëri 2-0
Portugali-Shqipëri 0-0
Maltë-Shqipëri 0-0
Shqipëri-Hungari 0-1
Danimarkë-Shqipëri 3-0
Shqipëri-Portugali 1-2
Shqipëri-Danimarkë 09.09
Suedi-Shqipëri 14.10
RENDITJA
Ekipi N P
Danimarka 6 16
Hungaria 6 13
Portugalia 6 9
Suedia 6 9
Shqipëria 8 6
Malta 8 1
Takimi i parë
DANIMARKË-SHQIPËRI 3-0
1 prill 2009
Shqipëria: Isli Hidi, Kristi Vangjeli, Armend Dallku, Debatik Curri, Gilman Lika, Ansi Agolli, Ervin Bulku (46’ Hamdi Salihi), Klodian Duro, Ervin Skela, Dorian Bylykbashi (82’ Elvin Beqiri), Besart Berisha (85’ Migen Memelli). Trajner Ari Han
NDESHJET ME DANIMARKËN
29.06.1963
Tr.: Loro Boriçi
Danimarkë-Shqipëri 4-0
(El. Kamp.Europian)
30.10.1963
Tr.: Zyber Konçi
Shqipëri-Danimarkë 1-0
(El. Kamp.Europian)
02.06.1993
Tr.: Bejkush Birçe
Danimarkë-Shqipëri 4-0
(El. Kupa e Botës)
08.09.1993
Tr.: Bejkush Birçe
Shqipëri-Danimarkë 0-1
(El. Kupa e Botës)
09.10.2004
Tr.: Hans P.Brigel
Shqipëri-Danimarkë 0-2
(El. Kupa e Botës)
08.06.2005
Tr.: Hans P.Brigel
Danimarkë-Shqipëri 3-1
(El. Kupa e Botës)
01.04.2008
Tr.: Ari Han
Danimarkë-Shqipëri 3-0
(El. Kupa e Botës)
Bilanci: 7 takime; 1 fitore, 0 barazime, 6 humbje
2 Shtator 2009