Hyka: Tirana ka Kupën, Dinamo mendjen te play-out-i
Fantazisti Jahmir Hyka nuk iu druhet bluve. Ai do trofeun e parë dhe po studion ofertat
- 2 vjet është kontrata që Hyka ka nënshkruar me presidentin e Tiranës, Refik Halili. Ai iu bashkua kryeqytetasve janarin e shkuar dhe ka qenë një nga lojtarët kryesorë.
- 3 herë janë ndeshur këtë sezon bardheblutë dhe blutë në kampionat në fazën e parë, Tirana-Dinamo 0-0, në fazën e dytë, Dinamo-Tirana 1-2, në fazën e tretë, Dinamo-Tirana 0-0.
Mesfushori fantazist i bardhebluve, Jahmir Hyka, është përgatitur bashkë me shokët e skuadrës të ngrejë trofeun e Kupës së Shqipërisë. Hyka do të jetë sot një nga pikat e referimit te skuadra e trajnerit Krstiçeviç. Në një intervistë ekskluzive që ka dhënë para finales me Dinamon për “Sportin shqiptar”, ai tregon anët e forta dhe të dobëta të kundërshtarit, por edhe oreksin që ka ai dhe Tirana për të vënë diktatin në finalen e sotme si dhe për të fituar trofeun. Gjithsesi fusha e “Niko Dovanës” do të jetë për 90-minuta një arenë e vërtetë e një tjetër derbi, këtë herë i vlefshëm për finalen e Kupës së Shqipërisë.
- Pasi keni “larë duart” me kampionatin, sot ju pret finalja me Dinamon…
- Kemi afro një javë që mendojmë për finalen. Është ndeshja e sezonit dhe i vetmi objektiv që na ka mbetur. Do të jetë një ndeshje derbi dhe ka të bukurën e vet. Ne do të futemi në fushë për ta fituar betejën, kam vënë re që në radhët e skuadrës obligimi ka qenë maksimal gjatë këtyre ditëve, kështu që jam i bindur se do t’ia dalim mbanë.
- Në deklaratat e dhëna nga lojtarët e Tiranës, duket një shenjë euforie nisur edhe nga pozitat e dy ekipeve. Çfarë mendoni ju?
- Fakti është që ne jemi shumë mirë si nga gjendja fizike ashtu edhe nga ajo psikologjike. Kemi disa javë që mendojmë për finalen, qysh kur dolëm nga lufta për vendin e tretë. Kupa është synimi i Tiranës, ndërsa Dinamo ka edhe përballjen e play out-it dhe, me sa kam vënë re, kundërshtari e ka mendjen më shuë te ndeshja shtesë për të siguruar superligën se te finalja. Në këtë aspekt ne jemi më të favorizuar. Megjithatë janë vetëm 90 minuta.
- Tirana luan me grup të plotë më në fund…
- Mua më vjen mirë që ne jemi të gjithë të gatshëm, por më rehat ndihet edhe trajneri sepse do të ketë më shumë mundësi të përzgjedhë për të hedhur në fushën e lojës lojtarët më të mirë. Do të jetë një nga ndeshjet e pakta të këtij edicioni që ne jemi të plotë.
- Që nga koha kur jeni rikthyer te Tirana keni zhvilluar dy përballje me Dinamon. Cila është pika më e fortë e kundërshtarit?
- Sips mendimit tim, me aq sa unë e njoh Dinamon, dy janë pikat më të forta të kundërshtarit: mesfusha dhe sulmi. Janë dy reparte ku Dinamo ka shumë lojtarë cilësorë. Mesfusha kundërshtare e qarkullon shumë mirë topin, megjithatë ne do t’ia ndalim.
- Ndeshja është spostuar në “Niko Dovana” për arsye sigurie. Si është pritur nga ju dhe skuadra juaj?
- Jam zhgënjyer shumë kur kam mësuar se ndeshja finala do të zhvillohet në stadiumin “Niko Dovana”. Sepse në “Qemal Stafa” ne jemi ambjentuar, duke qenë se kemi zhvilluar pjesën më të madhe të ndeshjeve të këtij sezoni. Megjithatë, në këtë aspekt asnjë prej dy ekipeve nuk është i favorizuar, shanset janë të barabarta. Fusha nuk besoj se do të jetë faktor për finalen e sotme.
- Keni pasur oferta apo do t’i qëndroni besnik skuadrës aktuale?
- Kam pasur kontakte dhe mund të largohem në verë, duke shprsuar të gjej edhe gjuhën e përbashkët me presidentin Halili, pasi kam kontratë dy vjeçare me Tiranën. Por, periudha më e mirë për të menduar rreth kësaj të jetë pas finales. Do të studioj ofertën dhe mundësinë më të mirë dhe do të vendos”.