E Diel, 1 Nëntor 2026

Heroi Lika i dhuron kupën Tiranës pas penalltive. Bardheblutë e fitojnë për të 14-n herë trofeun

Tirana ka triumfuar ndaj Dinamos në finale e 59-të të Kupës së Shqipërisë, pas finales së luajtur të dielën në stadiumin Niko Dovana të Durrësit, duke e çuar në 14 numrin e trofeve të fituara në veprimtarinë e dytë të futbollit shqiptar.

Kjo sfidë e mbylli kohën e rregullt dhe atë shtesë në barazim 1-1, duke bërë që gjithçka të vendoset nga pika e bardhë e 11-metërshave. Bardheblutë tregohen më të saktë dhe fitojnë me rezultatin 4-3, duke bërë të tyren trofeun e Kupës.

Protagonist absolut portieri Ilion Lika, i cili ka pritur tre 11-metërsha, duke i dhuruar kështu skuadrës kryeqytetas trofeun që shpëton sezoni dhe duke u hakmarrë me ish-skuadrën e tij, Dinamo

Edicioni i 59-të i veprimtarisë së dytë të futbollit shqiptar, Kupës së Shqipërisë, ka ulur të dielën siparin e tij, me finalen e tij, që është diskutuar midis Tiranës dhe Dinamos, dhe në përfundim të saj, trofeu u ka takuar bardhebluve, të cilët janë treguar më të saktë nga pika e bardhë e 11-metërshave.

Kjo sfidë duhej të ishte zhvilluar në Stadiumin Kombëtar Qemal Stafa në kryeqytet, por që është zhvendosur në Durrës për shkak të protestave të Partisë Socialiste pranë KQZ-së, ka vënë përballë njëra-tjetrës dy rivalet kryeqytetase, që e kanë fituar Kupën nga 13 herë secila, por që e mbyllën sezonin në pozita zhgënjyere.

Kampionia në fuqi, Dinamo, e cila po diskuton mbijetesën, pasi do të ndeshet në play-off-in e Kategorisë Superiore me atë të Parë, me Besëlidhjen pas pak ditësh, ka kaluar e para në epërsi, kur Igli Allmuça ka shmangur kurthin e pozicionit jashtë loje të bardhebluve dhe ka pasuar saktë për Bërkiçin, i cili nuk e ka të vështirë të shënojë në minutën e 19-të.

Pavarësisht përpjekjeve të Tiranës, pjesa e parë do të mbyllet me epërsinë minimale të Dinamos, por bardheblutë do të kundërpërgjigjen brenda 7 minutave të pjesës së dytë, kur Pero Pejiç do të tregohet i saktë brenda zone dhe do të barazojë shifrat. Minutat e mbetura pjesës së dytë nuk do të sjellin gola të tjerë dhe gjithçka do t’u drejtohet dy kohëve shtesë nga 15 minuta secila.

Edhe gjysmëora shtesë nuk do të sjellë gola, madje do t’i reduktojë të dyja skuadrat në 10 lojtarë, pasi fillimisht Osmani për Tiranën e më pas Peqini për Dinamon, do të ndëshkohen me karton të kuq. Kështu, gjithçka do t’i drejtohet goditjeve nga pika e bardhë e 11-metërshave, ku, pas një serie dramatike prej 6 goditjesh për secilën skuadër, bardheblutë tregohen më të saktë dhe fitojnë me rezultatin 4-3, duke bërë të tyren trofeun e Kupës për të 14-tën herë në historinë e tyre. Ishte portieri Lika që veshi kostumin e heroit për bardheblutë, duke pritur tre 11-metërshat e ekzekutuar nga Miloviç, Ferraj dhe Opoku.  

Gjatë rrugës për në finale, Tirana eliminoi Skraparin (1-0, 4-0), Adën e Velipojës (3-0, 2-2) dhe Bylisin (1-2, 5-1). Gjatë rrugës për në finale, Dinamo eliminoi Luzi 2008 (3-0, 7-2), Kamzën (3-2, 2-2), Shkumbinin (1-2, 2-1, u kualifikua me penallti 9-9) dhe Vllazninë (1-2, 1-0).

Gjuajtjet e penalltive

Pejiç                           - gol                            Vila                 - gol

Gvozdeniviç             - gol                            Ferraj              - pret Lika

Bala                            - jashtë lart                Miloviç          - pret Lika

Sina                            - gol                            Malakarne     - gol

A. Lila                        - pret Hoxha              Allmuça         - gol

G. Muça                     - gol                            Opoku                        - pret Lika

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›