Hyn dëshmitar, del i pandehur
Një dëshmitar i bandave të Durrësit është arrestuar dje në sallën e gjyqit, pasi ka dhënë dëshmi të rreme. Eqerem Kazazi, 42 vjeç, banues në Kavajë, është shoqëruar mesditën e djeshme nga ambientet e Gjykatës së Krimeve të Rënda drejt Komisariatit të Policisë Nr. 2, me qëllim verifikimin e dëshmive që ka dhënë në gjykatë dhe para oficerëve të policisë gjyqësore. Menjëherë sapo është pyetur për më shumë se dy orë në procesin kundër Lul Berishës, Indrit Dokles dhe anëtarëve të tjerë të bandave, Kazazi është ndaluar me urdhër të prokurorit të Krimeve të Rënda, Anton Martini. Me pranga në duar ai është shoqëruar në polici, ku do t’i nënshtrohet një seance pyetjesh nga policia dhe prokuroria e kryeqytetit, pasi më parë ai u pyet në lidhje me një makinë të shitur shokëve të Lulzim Berishës, e cila u përdor për të vrarë Viron Currin dhe Marsel Sotirin, shokë të Dritan Sollakut. Sipas organit të prokurorisë, Eqerem Kazazi ka pasur njohje me anëtarët e bandës dhe i ka ndihmuar për një makinë, por dje 42-vjeçari ka mohuar gjithçka.
“Humbet” kujtesënDëshmitari i parë që është thirrur nga organi i akuzës kundër bandave të Durrësit ishte Eqerem Kazazi. Ai u pyet nga prokurorët Anton Martini dhe Behar Dibra, si dhe u dha shpjegime anëtarëve të Kolegjit Penal, avokatëve e të pandehurve. I dënuar në vitin 1997 për armëmbajtje pa leje, Kazazi mohoi të kishte njohje me Marsel Sotirin dhe Lulzim Berishën. Ai tha se nuk ka njohur asnjë nga personat që janë duke u gjykuar dhe gjatë gjithë kohës pohonte para gjykatës se nuk mbante mend, nuk njihte njeri dhe nuk kishte dëgjuar kurrë më parë për këta persona. Prokurori i bëri me dije se në deklarimet e dhëna në policinë gjyqësore në vitin 2006, ai kishte shpjeguar deri detaje të vlefshme për hetimet e akuzës. Pas tensioneve në sallën e gjyqit, prokurori kundërshtoi dëshminë e Kazazit. Fillimisht ai është pyetur se kur ishte arrestuar, ndërsa u përgjigj se nuk mbante mend vitin. Ai ka bërë të paditurin ndaj pyetjeve të prokurorit dhe gjykatës, duke insistuar se nuk e mbante mend shokun e dhomës së burgut. Pyetjes nëse e njihte apo jo Lulzim Berishën, ai iu përgjigj se nuk e kishte dëgjuar emrin e tij para se ta shihte në televizor. “Unë mbaj mend që një herë te bingoja ime, e cila ndodhej në qendër të Kavajës me të njëjtin emër, ka ardhur një person me emrin Titi. Ishte i shoqëruar me 2-3 të tjerë. Unë nuk u prezantova me këta persona. Tit Hasa, me këtë emër e njoh, dhe nuk e di se e ka emrin Petrit, nuk di të ketë qenë apo jo në burg”. Pas këtyre thënieve, prokuroria lexoi kundërshtimin e dëshmisë, pasi në dëshminë e vitit 2006, 42-vjeçari ishte shprehur se “kam qenë në burg me Tit Hasën dhe se e kam njohur Lul Berishën në bingon time në Kavajë”.
“Unë kam pasur një bingo në Kavajë dhe e kam filluar aktivitetin nga viti 1995 deri në vitin 1996. Në bingo vinin shumë çuna nga Durrësi e Kavaja. Jemi 8 vëllezër dhe kemi pasur rreth 20 makina. I kemi shitur. Kam pasur një makinë golf 2, të cilën ia kam shitur shtetasit Ervin Kariqi. Ky ka vdekur, por nuk e di se në ç’rrethana, kur dhe ku. Ky nuk ka qenë shok me mua, por me vëllain tim, Ervin Kazazi. Kam dhe një vëlla me emrin Spartak Kazazi. Ndërkohë që Ermir Dervishin, për të cilin më pyesni, e kam njohur nëpërmjet Ervin Kariqit. Të gjithë ishin çuna të rinj dhe nuk ia mbaj mend moshën. Unë e di që çelësat e makinës golf ia kam dhënë disa herë Ervin Kariqit”, ka deklaruar atëherë Kazazi. Kur është pyetur nëse e njihte Adriatik Colin, ai u përgjigj: “Nuk e njoh”. Më pas ka reaguar i penduari Coli, duke deklaruar se dëshmitari po gënjente. “Si nuk më njeh mua ti, të kam ardhur dhe në shtëpi”, i tha Coli. Dëshmitari vazhdonte të mohonte të gjitha deklarimet, duke pohuar se nuk njihte as Marsel Sotirin, i cili u plagos ditën kur u vra Viron Curri.
I pandehuri Lulzim Berisha ka bërë një deklaratë, duke pohuar se prokuroria po manipulon dëshmitarët.
Pas dëshmisë pa vlera me “humbje” të kujtesës nga dëshmitari Eqerem Kazazi, i cili u ndaluar në sallën e gjyqit, prokuroria thirri të depononte shtetasin Thoma Curri, babai i Viron Currit, ish-oficeri i doganës, i vrarë në vitin 1998. Dëshmitari tha: “Ditën e ngjarjes, në datë 29 tetor 1998, djali ishte duke ardhur nga dogana me makinë së bashku me Marsel Sotirin. Marseli kishte vajtur ta merrte në punë dhe po ktheheshin. Unë vetë nuk kam qenë në vendngjarje, por kam mësuar nga shokët e djalit dhe nga nëna e Marsel Sotirit se vrasjen e ka bërë Lulzim Berisha me shokët e tij. Nuk e di motivin përse e kanë vrarë djalin tim. Por di të them se nëna e Marsel Sotirit më ka ardhur në shtëpi pas vdekjes së djalit dhe më tha se e ka vrarë Lulzim Berisha. Shokët e djalit më kanë shpjeguar se atë ditë, kur është qëlluar makina, Marseli ka arritur të largohet, edhe pse u plagos, ndërsa djali im është vrarë në vend”.
Viktima Viron Curri ishte shok me Dritan Sollakun, i vrarë po në tetor të vitit 1998 në afërsi të shkollës “7 Nëntori” në Durrës. Bashkë me Viron Currin u vra edhe Arjan Paja. Më 5 korrik të 1999-s, Lul Berisha në bashkëpunim me “ushtarët” e tij vranë Eduart Ongarin, pasi ishte shoku i Marsel Sotirit dhe strehues i autorëve që vranë shokët e tyre, Ilir Xhunga e Arben Paja. Marsel Sotiri u vra në datë 22 gusht të 1999-s dhe si “karrem” është përdorur një person tjetër. Banda e Lulzim Berishës ekzekutoi Marsel Sotirin në vendin e quajtur zona e Plazhit në qytetin e Durrësit. I ekzekutuari i fundit, para se banda të ndahej në dy pjesë, ishte Dritan Disha, i njohur për lidhjet e tij me Sotirin.
#