E Diel, 1 Nëntor 2026

Hyn në fuqi ligji për gradat

Autori i Lajmit: red.
Mitarohet ligji për gradat në Policinë e Shtetit. Vendimi parashikon rritjen e pagave për uniformat blu mbi bazën e ligjit të ri për policinë. Kështu, paga me ulët për uniformat blu do të rritet me 4 mijë lekë ndërsa më e larta me 20 mijë lekë, e shpërndarë kjo sipas gradës që mban çdo punonjës. Në vendim përcaktohet përveç rritjes së pagave dhe përputhja e pozicionit me gradën. Ndërsa aplikimi i pagave të reja do të nisë nga data 1 korrik e këtij viti siç është parashikuar në ligjin e miratuar pak kohë më parë në Parlament.
Vendimi
Struktura dhe nivelet e pagave për punonjësit e Policisë së Shtetit janë përcaktaur në ligjin e ri, sipas të cilit, paga bazë mujore për gradë, është niveli i pagës së punonjësit të Policisë së Shtetit, në përputhje me gradën që ka fituar. Ndërsa shtesa për natyrë të veçantë pune dhe shërbimi jepet sipas funksioneve, të përcaktuara në këtë lidhje. Në vendimin e qeverisë mësohet se punonjësi i Policisë së Shtetit, për kohën e qëndrimit në gradë, përfiton shtesë për vjetërsi në punë, në masën 1 për qind, pas çdo viti pune. Masa e shtesës për vjetërsi në punë të jetë deri në nivelin e pagës bazë, të gradës pasardhëse. Ndërsa përllogaritja e shtesës për vjetësi në punë të fillojë në çastin e marrjes së gradës, sipas ligjit “Për Policinë e Shtetit”.
Specialistët
Specialistët, përgjegjësit e sektorit apo drejtorët në Policinë e Shtetit, që punojnë në pozicione që lidhen me procesin e informatizimit të veprimtarisë së Policisë së Shtetit dhe kërkojnë në mënyrë të detyrueshme, arsimin e lartë, në degët “Inxhinieri Elektronike” apo “Informatikë”, përfitojnë një shtesë, për kushte pune, prej 10.000 (dhjetë mijë) lekësh mbi pagën mujore të gradës përkatëse. Në vendim thuhet se zbatimi i kësaj shtese për pozicionet konkrete bëhet pas miratimit paraprak të Departamentit të Administratës Publike dhe të Ministrisë së Financave, sipas përshkrimit të pozicioneve të punës. Sipas të njëjtave burime, mësohet se efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi vendimit, do të përballohen nga fondet e parashikuara për politikat e pagave, për vitin 2008. Ndërkohë që vendimi hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i shtrin efektet financiare nga data 1 korrik 2008.

Rritja sipas gradave dhe intervali i rritjes
Agjenti nga 4000 deri në 7000 lekë
Agjenti i parë nga 4000 deri në 7000 lekë
Asistenti nga 4000 deri në 8000 lekë.
Asistenti i Parë nga 4000 deri në 8000 lekë
Kryeasistenti i parë nga 4000 deri në 8000 lekë
Nëninspektor nga 4000 deri në 6000 lekë
Inspektori nga 4000 deri në 6000 lekë
Kryeinspektori nga 4000 deri në 6000 lekë
Nënkomisari nga 4000 deri në 6000 lekë
Komisari nga 6000 deri në 8000 lekë
Kryekomisari nga 6000 deri në 15000 lekë
Drejtuesi nga 10000 deri në 20000 lekë

GRADAT NË POLICI
Neni 33
Sistemi i gradave
1. Sistemi i gradave përcakton hierarkinë, nivelet e administrimit, si dhe pasqyron marrëdhëniet ndërmjet funksioneve në Polici.
2. Sistemi i gradave, sipas këtij ligji, paraqitja, forma, emërtimet dhe mbajtja e tyre janë e drejtë vetëm e Policisë.
Neni 34
Kuptimi për nivelet dhe gradat
1. Nivelet pasqyrojnë nivelin e organizimit, drejtimit, kontrollit dhe kryerjes së detyrave në Polici, si
dhe tregojnë pozitën e punonjësve të Policisë në strukturën e administratës së saj.
2. Gradat shprehin pozitën që ka punonjësi në strukturën hierarkike të Policisë.
Neni 35
Nivelet
Emërtimet e niveleve në Polici, sipas hierarkisë, janë:
a) punonjës policie i nivelit zbatues, që përfaqëson nivelin bazë të veprimit policor;
b) punonjës policie i nivelit të parë drejtues, që përfaqëson drejtimin dhe veprimin operacional;
c) punonjës policie i nivelit të mesëm drejtues, që përfaqëson drejtimin ekzekutiv qendror dhe/ose vendor;
ç) punonjës policie i nivelit të lartë drejtues, që përfaqëson drejtimin strategjik.
Neni 36
Gradat
1. Emërtimet e gradave, sipas niveleve dhe ecurisë në karrierë, janë:
a) Punonjës policie i nivelit zbatues:
i) Nëninspektor;
ii) Inspektor;
iii) Kryeinspektor.
b) Punonjës policie i nivelit të parë drejtues:
i) Nënkomisar;
ii) Komisar;
iii) Kryekomisar.
c) Punonjës policie i nivelit të mesëm drejtues:
i) Drejtues;
ii) Drejtues i Parë.
ç) Punonjës policie i nivelit të lartë drejtues:
i) Zëvendësdrejtor i Përgjithshëm;
ii) Drejtor i Përgjithshëm.
2. Gradat, sipas pikës 1 shkronja “ç” të këtij neni, janë funksionale. Këto grada merren nga punonjësi i
Policisë në çastin e emërimit në detyrat e Drejtorit ose zëvendësdrejtorit të Përgjithshëm të Policisë,
sipas neneve 20 pika 1 dhe 23 pika 2 të këtij ligji dhe lihen me largimin nga këto detyra. Në këto raste
punonjësi i Policisë rimerr gradën “Drejtues i Parë” dhe vjetërsia në gradë, gjatë kohës që ka pasur
funksionet e përcaktuara në pikën 1 shkronja “ç” të këtij neni, llogaritet si vjetërsi në këtë gradë.
Neni 37
Hierarkia e niveleve dhe gradave
1. Hierarkia midis punonjësve të Policisë në nivele përcaktohet sipas kësaj renditjeje:
Drejtor i Përgjithshëm, drejtues, komisar, inspektor.
2. Brenda të njëjtin nivel, hierarkia e punonjësve të Policisë përcaktohet nga grada.
3. Hierarkia e punonjësve të Policisë me të njëjtën gradë përcaktohet nga funksioni, ndërsa për funksione
të njëjta hierarkia përcaktohet nga vjetërsia në gradë.
Neni 38
Paraqitja e gradave
Paraqitja, forma dhe ndërtimi i gradave miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave, pas zhvillimit
të një procesi konkurrimi për dizenjimin e tyre.
Neni 39
Përcaktimi i funksioneve për gradë
Tabela e funksioneve korresponduese për çdo gradë përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave.
Neni 40
Kalimi në nivelin pasardhës
Punonjësi i Policisë kalon nga një nivel në tjetrin vetëm pas përfundimit të shkollimit përkatës, në çastin
e marrjes së gradës më të ulët të nivelit pasardhës.
Neni 41
Ngritja në gradë
1. Ngritjet në gradë nga “Inspektor” deri në “Drejtues i Parë” bëhen nëpërmjet pjesëmarrjes në një
proces vlerësimi konkurrues, që përfshin raportet e vlerësimit të punës dhe një provimi, i cili teston
aftësitë e aplikantëve për të marrë gradën pasardhëse. E drejta për të marrë pjesë në këtë proces përcaktohet
në pikën 4 të këtij neni.
2. Me përjashtim të punonjësve të Policisë, sipas pikës 3 të këtij neni, grada “Nëninspektor” i jepet kursantit
pas përfundimit me sukses të periudhës së shkollimit në Shkollën Bazë të Policisë. Kjo gradë, e cila i jep punonjësit kompetenca të plota policore, mbahet nga punonjësi i Policisë gjatë periudhës së
provës.
3. Punonjësit e Policisë, të cilët konkurrojnë dhe hyjnë në Shkollën Bazë të Policisë, do të mbajnë
gradën dhe pagën e tyre ekzistuese si gjatë kursit, ashtu edhe pas përfundimit të tij. Nëse punonjësi nuk e kalon kursin, ai e mban gradën dhe merr pagën përkatëse derisa të gjithë punonjësit e nivelit zbatues
të kenë ndjekur Shkollën Bazë të Policisë, kohë në të cilën ai lirohet nga Policia.
4. Ngritja në gradën “Inspektor” bëhet pas përfundimit me sukses të periudhës dyvjeçare të provës, e cila pason Shkollën Bazë të Policisë.
5. a) Punonjësit të Policisë i lind e drejta të aplikojë për të konkurruar në procesin e përzgjedhjes, pas plotësimit të kohës së qëndrimit në gradë, sipas afateve të mëposhtme:
i) nga “Inspektor” në “Kryeinspektor” 2 vjet
ii) nga “Kryeinspektor në “Nënkomisar” 2 vjet
iii) nga “Nënkomisar në “Komisar” 3 vjet
iv) nga “Komisar në “Kryekomisar” 3 vjet
v) nga “Kryekomisar në “Drejtues” 3 vjet
vi) nga “Drejtues në “Drejtues i Parë” 4 vjet
vii) nga “Drejtues i Parë” në “Zëvendësdrejtor i Përgjithshëm” 4 vjet
viii) nga “Zëvendësdrejtor i Përgjithshëm”
në “Drejtor i Përgjithshëm” pa afat kohor
b) Punonjësit e Policisë që kanë përfunduar një shkollë të lartë të njohur nga shteti dhe që kanë plotësuar
së paku dy të tretat e minimumit të kohës që kërkohet për qëndrimin në gradë, mund të konkurrojnë në procesin e përzgjedhjes për ngritjen në gradë nga “Inspektor” në “Kryeinspektor” dhe nga
“Kryeinspektor” në “Nënkomisar”.
c) Në vjetërsinë për efekt gradimi llogaritet edhe koha e ndërprerjes së karrierës për shkak të:
i) paaftësisë së përkohshme shëndetësore, si pasojë e sëmundjes apo dëmtimit për shkak të punës;
ii) paaftësisë shëndetësore, e cila nuk ka ardhur si pasojë e punës deri në 6 muaj brenda afatit 12-mujor;
iii) ushtrimit të funksioneve, sipas nenit 45 të këtij ligji;
iv) pezullimit apo përjashtimit për shkaqe disiplinore, si rezultat i një urdhri ose vendimi të paligjshëm
dhe/ose të padrejtë;
v) pezullimit me pagesë deri në përfundimin e hetimit të një kallëzimi ose një ankese për sjellje në kundërshtim me Rregulloren e Disiplinës, derisa autoriteti kompetent të marrë vendimin përfundimtar
për çështjen.
ç) Në vjetërsinë për efekt gradimi nuk llogaritet koha e ndërprerjes së karrierës për shkak të:
i) lejes së përfituar pa të drejtë pagese;
ii) pezullimeve për shkaqe disiplinore.
6. Punonjësi i Policisë ka të drejtë të ankohet te Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, në përputhje me
Kodin e Procedurave Administrative, në rastet kur konstaton shkelje të rregullave të ngritjes në gradë,
të përcaktuara në këtë nen dhe në Rregulloren e Personelit në zbatim të këtij ligji, të miratuar nga
Këshilli i Ministrave.
7. Procedurat për kryerjen e provimeve të ngritjes në gradë përcaktohen në Rregulloren e Personelit të
Policisë dhe përfshijnë:
a) përbërjen e komisioneve të testimit;
b) procedurat e aplikimit;
c) kriteret për të aplikuar;
ç) strukturën e provimeve për ngritje në gradë;
d) përcaktimin dhe kohëzgjatjen e listës emërore, sipas radhës, të personave që kanë të drejtë të ndjekin
kursin për ngritje në gradë.

Neni 42
Fitimi i gradës
1. a) Ngritja në gradë e punonjësit të Policisë nënkupton ngritjen e tij në detyrë, sipas tabelës së funksioneve
korresponduese për çdo gradë, sipas nenit 39 të këtij ligji. Ngritjet në gradë bëhen vetëm për të plotësuar vendet e lira për çdo gradë. Në urdhrin për ngritje në gradë, autoriteti përgjegjës përcakton
gjithashtu funksionin përkatës të punonjësit të Policisë.
b) Punonjësit e Policisë mund të ngrihen në gradë vetëm pasi të kenë përfunduar me sukses kursin e trajnimit
përkatës për atë gradë.
c) Punonjësit e Policisë zgjidhen për të ndjekur kursin e trajnimit, duke u bazuar në listën emërore të së drejtës për gradë, të hartuar pas procesit konkurrues.
ç) Pas përfundimit me sukses të trajnimit, përzgjedhja për ngritje në gradë bëhet sipas listës emërore të së drejtës për gradë, të përcaktuar në pikën 1 shkronja “c” të këtij neni.
2. a) Ngritja në gradën “Inspektor” kryhet me urdhër të drejtorit të policisë së qarkut, sipas kritereve të
përcaktuara në nenin 41 pika 4 të këtij ligji.
b) Ngritja në gradën e “Kryeinspektorit” dhe të gjitha gradat në nivelin e parë dhe të mesëm drejtues bëhen me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, sipas kritereve të përcaktuara në nenin 41 të
këtij ligji.
c) Ngritja në gradën e nivelit të lartë drejtues bëhet në përputhje me nenet 20 pika 1 dhe 23 pika 2 të
këtij ligji.
3. a) Numri i përllogaritur për vendet e lira njoftohet brenda datës 31 mars të çdo viti.
b) Kuotat e pranimit në trajnim për secilën gradë përcaktohen nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, por
nuk kalojnë:
5 për qind mbi vendet e lira të përllogaritura për ngritjen në gradën e “Kryeinspektorit”;
10 për qind mbi vendet e lira të përllogaritura për gradat e nivelit të parë drejtues;
15 për qind mbi vendet e lira të përllogaritura për gradat e nivelit të mesëm drejtues.

Neni 43
Heqja dorë nga grada
1. Punonjësi i Policisë ka të drejtë të kërkojë të heqë dorë nga grada që mban për të kaluar në një gradë
më të ulët.
2. Heqja dorë nga grada, sipas pikës 1 të këtij neni, mund të kërkohet vetëm për një gradë paraardhëse dhe jo më shumë se në dy raste gjatë karrierës policore të punonjësit të Policisë.
3. Vendimi për kërkesën e punonjësit të Policisë për heqje dorë nga grada merret nga autoriteti përkatës,
që përcaktohet në nenin 42 pika 1 të këtij ligji.
4. Punonjësi i Policisë, i cili më parë ka hequr dorë me kërkesën e vet nga një gradë, ka të drejtë të
kërkojë ngritje në gradë vetëm pas certifikimit nga komisioni i testimit dhe sipas procedurave të përcaktuara
në nenet 41 dhe 42 të këtij ligji.

Neni 44
Ulja në gradë
1. Me përjashtim të nivelit zbatues, kur për shkak të ndryshimeve në strukturën organizative të Policisë
shkurtohet numri i funksioneve organike për gradë, punonjësi i Policisë, që mban gradën ku do të kërkohet ulja, mund të kërkojë në mënyrë vullnetare uljen një gradë më poshtë, kur ka vende të lira.
2. Me krijimin e vendeve të lira për gradë, punonjësi i Policisë, që ka kërkuar uljen në gradë, rimerr
brenda 2 vjetësh gradën e mëparshme, sipas të njëjtit kriter të përcaktuar në pikën 1 të këtij neni.

Neni 45
Ruajtja e gradës
Punonjësi i Policisë, që punësohet në struktura të tjera të administratës publike, në funksione që kanë
për objekt çështje të rendit e të sigurisë publike, si dhe kur ai shërben në një organizatë ndërkombëtare,
që mbulon çështje të rendit dhe të sigurisë publike, rikthehet në të njëjtën gradë që mbante në çastin e
lirimit dhe kjo periudhë i llogaritet vjetërsi për efekt gradimi.
Ky lajm është publikuar: 06/08/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›