E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rritja e pagave me 10 për qind aplikohet edhe në polici

Autori i Lajmit: Ornela Manjani
Rritja e pagave me vendim qeverie do të prekë dhe punonjësit e policisë. Aplikimi i shtesës 10 për qind mbi pagën do të ketë efekte financiare dhe mbi të ardhurat e uniformave blu. Burime nga Policia e Shtetit bëjnë të ditur se rritja e pagës e parashikuar për gjithë administratën dhe pensionistët ka përfshirë dhe punonjësit e policisë. Kështu, përveç rritjes së pagave pas aplikimit të ligjit të ri për Policinë e Shtetit kjo do të jetë një tjetër rritje që do të aplikohet mbi pagat e tyre. Efektet financiare do të nisin nga 1 korriku i këtij viti, por shteta pritet të merret në muajin shtator.
Rritja
Pagat e punonjësve të policisë do të pësojnë një tjetër rritje duke filluar nga korriku i këtij viti. Kjo rritje, që është parashikuar në masën 10 për qind mbi pagën bazë, do të aplikohet dhe për punonjësit e Policisë së Shtetit si për të gjithë sektorët e tjerë të administratës. Lajmi bëhet i ditur nga burime pranë Policisë së Shtetit, sipas të cilave saktësohet se, përveç rritjes së rrogave nga hyrja në fuqi e ligjit për Policinë e Shtetit, do të aplikohet dhe 10- përqindëshi. Burime zyrtare të Policisë së Shtetit kanë thënë se efektet financiare të rritjes së rrogave do të fillojnë në shtator dhe do të kenë efekt prapaveprues. Policët do të marrin shtesat e tre muajve bashkë, të cilat kanë filluar të jepen që më 1 gusht, për korrikun.
Propozimi
Në fillim të vitit 2008 në një takim të zhvilluar mes përfaqësuesve të Policisë së Shtetit dhe Qeverisë Shqiptare, është diskutuar në lidhje me pagat e reja të efektivave të uniformave blu, duke i barazuar, sipas gradës dhe pagës. Por me shmangien e roleve bazë të agjentit, në sistemin e ri të pagave, grada më e vogël do të jetë ajo e nëninspektorit të Policisë së Shtetit, që duke e barazuar me pagën, rritet në disa për qind, që për ekspertët e qeverisë dhe të Ministrisë së Financave ka qenë shumë e madhe. Pikërisht shtimi i buxhetit të mënyrë të menjëhershme për Policinë e Shtetit dhe sasia e madhe e parave që duhet të jepeshin, ka bërë që për gjashtë muajt e parë të vitit 2008, të hidhet poshtë tabela e re e pagave që është përgatitur nga ekspertët e policisë në bashkëpunim dhe me ata të Ministrisë së Financave.
Ndryshimet
Sipas vendimit të ndryshimit të gradave, të gjitha gradat e rolit bazë në Policinë e Shtetit janë hequr dhe janë rritur në grada të rolit të mesëm, të bërë me ligj të ri. Gradat e rolit të mesëm e deri te roli drejtues e madhor kanë pësuar ndryshime. Sipas vendimit të Këshillit të Ministrave, punonjësit e policisë, të cilët janë në periudhën e provës dhe sapo kanë mbaruar shkollën e policisë, do të mbajnë gradën “Nëninspektor”. Ndërsa uniformat blu me gradë “agjent” dhe "agjent i parë", do të marrin gradën e “Inspektorit”. Sipas kësaj përllogaritjeje, gradat do të njësohen deri tek ato madhore, ku grada më e madhe që ishte më parë ajo e “Drejtuesit të Parë”, do të ndryshohet me gradën “Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit”.

Koha për fitimin e çdo grade

- Nga inspektor në kryeinspektor, 2 vjet
- Nga kryeinspektor në nënkomisar, 2 vjet
- Nga nënkomisar në komisar, 3 vjet
- Nga komisar në kryekomisar, 3 vjet
- Nga kryekomisar në drejtues, 3 vjet
- Nga drejtues në drejtues i parë, 4 vjet
- Nga drejtues i parë në zëvendësdrejtor i përgjithshëm, 4 vjet
- Nga zëvendësdrejtor i përgjithshëm në drejtor i përgjithshëm është pa afat kohor.

Cilat do të jenë gradat e reja në Policinë e Shtetit

Gradat janë pika më e diskutueshme e policisë. Plot 16 nenet e pjesës së tretë të projektligjit të Policisë së Shtetit, u janë kushtuar gradave në polici. Sistemi i gradave përcakton hierarkinë, nivelet e administrimit si dhe pasqyron marrëdhëniet ndërmjet funksioneve në polici. Në projektin më të ri të ligjit të policisë është sqaruar shumë hollësisht kuptimi i klasave dhe i gradave. Gjithashtu në projektligj sqarohet edhe mënyra se si një punonjës policie mund të kalojë nga një gradë më e ulët në një më të lartë dhe anasjelltas, si dhe sa vjet duhen përkatësisht për çdo gradë për të kaluar në një më të lartë. E vetmja që nuk ka një afat të përcaktuar është kalimi nga zëvendësdrejtor i Përgjithshëm në Drejtor të Përgjithshëm.
Llojet e gradave. Gradat shprehin pozitën që ka punonjësi në strukturën hierarkike të Policisë së Shtetit. Deri tani janë përcaktuar 10 grada, të cilat ndahen sipas klasave dhe ecurisë në karrierë. Punonjësit e policisë në nivelin zbatues nuk mund të kenë një gradë më të lartë se “Nëninspektor”, “Inspektor” ose “Kryeinspektor” dhe punonjësit e nivelit të parë drejtues mund të kenë gradat “Nënkomisar”, “Komisar” ose “Kryekomisar”, por jo më lart se kaq. Ndërkohë për nivelin e mesëm drejtues janë gradat “Drejtues” dhe “Drejtues i Parë”, ndërsa për nivelin e lartë drejtues janë gradat “Zëvendësdrejtor i Përgjithshëm” dhe “Drejtor i Përgjithshëm”.

Neni 40
Ngritja në gradë
1. Ngritjet në gradë nga “Inspektor” deri në “Drejtues i Parë” bëhen nëpërmjet pjesëmarrjes në një proces vlerësimi konkurrues, që përfshin raportet e vlerësimit të punës dhe një provim, i cili teston aftësitë e aplikantëve për të marrë gradën pasardhëse. E drejta për të marrë pjesë në këtë proces përcaktohet në paragrafin 4 të këtij neni.

Propozimi
Punonjës policie - Nëninspektor 37170 lekë
Agjent - Agjent i parë, Inspektor 41090
Asistent, i parë, kryeasistent - Kryeinspektor 43750
Nëninspektor - Nënkomisar 46370
Inspektor - Komisar 48150
Kryeinspektor Kryekomisar 51420
Nënkomisar - Drejtues 62500
Komisar, Kryekomisar - Drejtues i Parë 87623
Drejtues - Zv/drejtor i Përgjithshëm 102000
Drejtues i Parë - Drejtor i Përgjithshëm 120000
Ky lajm është publikuar: 06/08/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›