E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Shqipëria në flakë”, digjen hektarë me ullishte

Autori i Lajmit: red.
Tre zjarre të fuqishme janë shënuar 24 orët e fundit në të gjithë vendin. Dëmet materiale arrijnë shuma të konsiderueshme financiare, por fatmirësisht, nuk shënohen viktima. Më të prekura nga flakët ishin masivet me ullishte. Burime nga policia pohuan se është vënë në pranga një minoren, pasi dyshohet se i ka vënë zjarrin me dashje një fushe të mbjellë më ullinj në zonën e Levanit, në Fier. Ndërsa kanë nisur hetimet në lidhje me të dyshuarit si autorë të ndezjes së zjarreve në zona të tjera.
Zjarret
Një zjarr i fuqishëm ka përfshirë një masiv me ullinj në Levan të rrethit të Fierit. Flakët e nisura kanë filluar të përhapen me shpejtësi të madhe, të favorizuar edhe nga drurët dhe e kanë bërë situatën alarmante. Burime nga policia bëjnë të ditur se janë përfshirë nga flakët së paku 10 hektarë me ullinj. Banorët kanë njoftuar policinë, e cila ka mbërritur së bashku me mjetet e zjarrfikëses. Por forca e madhe e flakët, duket se po e bën të pamundur punën e zjarrfikësve. Burime nga vendi i ngjarjes bëjnë me dije se në vend po punojnë 2 mjete zjarrfikëse, ndërkohë që flakët janë duke përparur edhe më. Nga ana e saj, policia rrugore ka bllokuar qarkullimin e automjeteve, pasi ullishtja ndodhet në buzë të rrugës nacionale Fier-Vlorë. Trafiku është i rënduar, pasi në këtë kohë ka shumë mjete që lëvizin në këtë rrugë. “Nuk ka asnjë të dhënë, nëse zjarri është i qëllimshëm apo jo. Ndërkohë situata është vënë nën kontroll pas disa orësh. Ndërkohë në Korçë djegia e fushave pas korrjes së grurit po kërcënon seriozisht zonat e banuara. Dje për shkak të djegies së një fushe pas korrjes së grurit në afërsi të fshatit Çiflik, dy kilometra larg Korçës, zjarri ka dalë nga kontrolli. Si pasojë e flakëve që nisën të përhapeshin me shumë shpejtësi, të ndihmuara edhe nga era që frynte, është rrezikuar një nga fabrikat e prodhimit të pajisjeve hidrosanitare. Banorët kanë njoftuar forcat e zjarrfikëses, të alarmuar, sepse flakët po u afroheshin banesave të tyre. Ndërhyrja e zjarrëfikësve ka bërë të mundur lokalizimin e zjarrit, i cili ka përshkuar sipërfaqe të tëra. Pak ditë më parë, një tjetër zjarr ka djegur e fshatit Libonik të mbjella me pemëtore dhe kjo për shkak të djegies së kashtrave pas korrjes së grurit. Ndërsa hetimet në lidhje me autorësinë e zjarrit që ra një ditë më parë në Lushnjë e që rrezikoi seriozisht edhe burgun e Kosovës, nuk ka ende asnjë të dyshuar. Policia dhe forca të zjarrfikëses vijojnë të jenë ende në vendin e ngjarjes, ndërkohë që burime nga zona bëjnë me dije se flakët vazhdojnë të djegin hapësira me shkurre. “Nuk dihet ende nëse zjarri ka qenë i qëllimshëm apo aksidental. Një grup hetimor ka nisur punën për të zbardhur ngjarjen dhe po heton për autorët që për pak shkaktuan katastrofë”, - thonë burimet nga policia. Zjarri ra në komunën Fierzë dhe më pas është përhapur me shpejtësi. Për pasojë u dogjën dhjetëra hektarë në afërsi të Burgut të Kosovës në Belsh. Flakët i janë afruar edhe burgut, duke prekur murin anësor, por kanë ndërhyrë ekipet zjarrfikëse dhe nuk kanë lejuar që zjarri të dëmtojë burgun. Në vendin e ngjarjes mbërritën me urgjencë 2 mjete zjarrfikëse nga Elbasani dhe dy mjetet nga Lushnja, që punuan me orë të tëra për lokalizimin e vatrës.
Arrestimi
Policia e Fierit ka bërë të mundur zbulimin e autorit që shkaktoi djegien e masivit me ullishte në Levan, paraditen e djeshme. Sipas burimeve të policisë, autori është një 14-vjeçar nga Patosi. “Autor i zjarrit është fëmija me incialet O.H, por do të hetohet në gjendje të lirë për shkak të gjendjes shëndetësore dhe moshës”, - thanë burimet policore. Policia ka njoftuar se fëmija vuan nga epilepsia dhe në këto kushte nuk është ndaluar, por vetëm shoqëruar në komisariat.

SHKODËR - Një 72-vjeçare ka mbërritur e vdekur në spital, e transportuar nga familjarët. Sipas burimeve të policisë, mësohet se Dake Brozi është gjetur e gjakosur në banjën e shtëpisë. “Ende nuk dihet se çfarë mund t i ketë ndodhur së moshuarës, që u gjet përtokë nga nusja e të birit”, - thanë burimet e policisë. Sipas hetimeve të para, gruaja ka pasur një shenjë në pjesën e qafës dhe ka qenë me njolla gjaku. Nuk dihet, nëse ajo ka dashur të vrasë veten apo e ka goditur dikush. “Trupi do t i nënshtrohet autopsisë për të përcaktuar shkakun e vdekjes”, - thanë burime nga spitali. Ndërkaq, policia po merr në pyetje familjarët e saj për të marrë detaje rreth ngjarjes.

Ky lajm është publikuar: 06/08/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›