E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hyn në fuqi rritja e pagave për mjekët

 

zirina llambro

Hyn në fuqi rritja e pagave të mjekëve dhe stafit tjetër në të gjitha spitalet e vendit. Menjëherë pas zbardhjes së vendimit të Qeverisë për rritjen e pagave të personelit shëndetësor në spitale, ISKSH ka dërguar për zbatim vendimin në drejtoritë rajonale përkatëse. Rritja, sikurse parashikohet në vendimin e qeverisë, nis që nga data 1 maj 2009. Konkretisht, pagat e mjekËve në të gjitha spitalet pësojnë një rritje nga 19 % në 26 %, ose në vlerë absolute nga 5.000 lekë në 13.000 lekë. Rritjen më të lartë e përfitojnë shefat e shërbimeve të reanimacionit, kirurgjisë, radiologjisë, neuropsikiatrisë, (24 %-26%) ose në vlerë absolute 12.000-13.000 lekë. Ndërsa për sa u përket mjekëve, rezulton se përfitojnë rritje 19-22 %, mjekët infeksionistë, të urgjencës, të laboratorit, onkologët, kirurgët, hematologët, obstetër-gjinekologët, etj., që në vlerë absolute do të thotë se do të përfitojnë nga 6.000 lekë në 9.000 leke në muaj. Në këtë mënyrë duke filluar nga 1 maji i këtij viti paga bruto e një mjeku me vjetërsi pune 25 vjet nuk do të jetë më vogël se 50.000 lekë në muaj nga 41.000 lekë në muaj që ka qenë më parë. Rritjet janë bërë veçanërisht në pagën për pozicion të vendit të punës të cilat nga 23.800 lekë që kanë qenë janë bërë 31.000 lekë në muaj ose 7.200 lekë më shumë. Pra, me një rritje rreth 30 %. Po kështu, një rritje prej 9 % ka pësuar edhe paga e grupit, e cila tashmë është 12.000 lekë në muaj nga 11.000 lekë që ishte. Për rrjedhojë një rritje prej 9 % ka pësuar edhe paga për vjetërsi për çdo vit pune. Nga kjo rritje kanë përfituar rreth 1.800 mjekë me një efekt financiar mujor rreth 15 milionë lekë ose deri në fund të vitit 2009 rreth 110 milionë lekë. Pagat e personelit tjetër infermieristik pësojnë një rritje mesatarisht 10 %. Pagat e infermierëve me arsim të lartë me vjetërsi pune 25 vjet arrijnë në 37.500 lekë në muaj, ndërsa të atyre me arsim të mesëm arrijnë në 34.000 lekë në muaj bruto. Rritja në vlerë absolute shkon nga 2.500–3.100 lekë në muaj.

shpjegimi i tabeles

Në tabelën e mëposhtme jepen shtesat në pagë për të gjithë personelin e mesëm sipas emërtimit të pozicionit të punës. Në çdo rresht është vendosur saktësisht emërtimi, ndërsa në kolonat përkarshi është përcaktuar vlera në para për secilin nga tre grupet e pagave. Bëhet fjalë për pagën e vjetër,atë aktuale si dhe pagën e re me shtesat që ka bërë qeveria. Ato e kanë efektin financiar që nga data 1 maj. Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor ka nisur zbatimin e vendimit në fjalë.

PER TE PARE LISTEN E PLOTE SHKARKONI GAZETEN NE VERSIONIN PDF

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›