E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shehi: Administrata publike, jo pjesë e zgjedhjeve

 

Lëvizja për Zhvillim kombëtar ka vijua dje fushatën elektorale në zonën e Kinostudios në kryeqytet, ku është fokusuar tek përfshirja e administratës në procesin zgjedhor. Kreu i LZHK-së, Dashamir Shehi tha gjatë takimit me elektoratin e Polit të Lirisë se administrata shtetërore duhet të qëndrojë larg zgjedhjeve, në të kundërt nëse do të ketë rrotacion pushteti, shumica e nëpunësve do të hiqen nga puna. “Ne duam të zgjidhim disa gjëra, pas këtyre zgjedhjeve. Ne duam të rikthejmë në funksionin e saj administratën publike, e cila është duke u shkatërruar dhe po përdoret për fushatën elektorale. Përdorja e administratës për qëllime elektorale rrit, edhe korrupsionin dhe burokracitë. Administrata duhet të mbetet jashtë zgjedhjeve, në të kundërt, nëse do të ketë rotacion shumë prej tyre do largohen nga puna dhe dëmi është i shtetit shqiptar”, theksoi Shehi. Në të njëjtën kohë ai u përqendrua edhe tek problemi i papunësisë. Sipas kreut të LZHK-së ky është një problem shumë serioz në periferi të Tiranës, ku mijëra të rinj nuk kanë një punë të qëndrueshme. Shehi premtoi krijimin e mundësisë për hapjen e vendeve të reja të punës dhe uljen e numrit të papunësisë gjatë katër viteve të ardhshme. Në të njëjtën kohë LZHK-ja përshëndeti dje fitoren e partive të djathta në parlamentin evropian. “LZHK përshëndet fitoren e forcave të djathta në zgjedhjet për PE. Ne vlerësojmë zgjerimin e spektrit të djathtë në Parlamentin Evropian, duke theksuar se qytetarët evropianë më votën e tyre i dhanë shans gjithë formacioneve të djathta duke përfaqësuar edhe parti të vogla të spektrit të djathtë, që edhe ato të bëhen pjesë e vendimmarrjes si europarlamentarë”, thuhet në njoftimin për shtyp.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›