Zbulohet letra e Kadri Hazbiut: E vërteta për vdekjen e Tuk Jakovës
Afrim Imaj/ Fatos Mahmutaj
“Tuk Jakova vdiq apo e vranë?!” Dilema për rrethanat si ndërroi jetë i burgosuri politik në spitalin e burgut në Tiranë mbrëmjen e 26 gushtit 1959, u pëshpërit nën zë që në atë periudhë.Pavarësisht se propaganda zyrtare mundohej të fashiste çdo hije dyshimi, përsëri njerëz afër shërbimeve sekrete pohonin se Tuk Jakovën e vrau shpërfillja e mjekëve për vet pozicionin përbuzës si element antiparti. Kadri Hazbiu, ish-ministri i Brendshëm pranon neglizhencën e mjekëve të spitalit civil të Tiranës si shkak që çoi në vdekjen e Tuk Jakovës më 26 gusht 1959. Me një dokument të klasifikuar “Tepër sekret” dhe të adresuar te Hysni Kapo, Hazbiu ka paraqitur një rezyme të plotë të ngjarjes që nga momenti i krizave të apendicitit dhe deri të operacioni dhe vdekja si pasojë e konsideratës jo të mirë të mjekëve për të sëmurin “Element antiparti”...
Raporti
Tepër sekret
Tiranë më 14/IX/1959
Nr.05-338
Lënda: Mbi vdekjen e të dënuarit Tuk Jakova.
Komitetit Qendror të P.P. Shqipërisë,
Shokut Hysni Kapo.
Më datën 26 gusht 1959, ora 23:35 mbas 8 ditësh i shtruar në pavijonin e 15-të të spitalit civil Tiranë, vdiq i dënuari Tuk Jakova, në rrethanat që poshtë shënojmë:
Në datën 19 gusht 1959, rreth orës 9:00 para dite, duke qenë në burgun numër 5 ku vuante dënimin, Tuk Jakova ankohej për dhimbje barku. Me këtë rast me interesimin e administratës së burgut vizitohet nga mjeku patolog Qazim Cerga (i burgosur), i cili në fillim nuk konstaton ndonjë gjë urgjente dhe megjithëse Tuku i tregon se vuante prej shumë kohësh nga apendiciti, mjeku për qetësimin e dhimbjeve i jep disa pika belladon dhe kompresa të ftohta. Në të njëjtën kohë mjeku Qazim Cerga rekomandon që i sëmuri të vizitohet nga një mjek kirurg, meqë pretendonte se vuante nga apendiciti. Në ora 10:00 të datës së sipërme, kryetari i Degës II-të të Drejtorisë së Sigurimit të Shtetit, Kolonel Filat Muço, i sinjalizuar për këtë nga administrata e burgut, shkon së bashku me mjekun kirurg Llambi Ziçishti, i cili mbasi e vizitoi nuk konstatoi ndonjë dhimbje të veçantë apendiciti, (kjo ndofta nga qetësimi që i kishte shkaktuar pirja e belladonit). Megjithatë, rekomandon të mbahet në Observacion dhe në rast se do t’i përsëriteshin dhimbjet, të dërgohej me njëherë në spital.
Meqenëse rreth orës 15:00 dhimbjet filluan të ndihen prapë mbështetur në rekomandimin e mjekut kirurg Llambi Ziçishti, i shoqëruar po nga Kolonel Filat Muço, i sëmuri çohet në spitalin civil ku merret në dorëzim nga mjeku Qirjako Lezho, i cili i shoqëruar dhe nga mjeku Arqilea Andrea dhe infermiere Naile Ranku mbasi i bënë të gjitha përgatitjet e nevojshme për operacion, në orën 18:00 e operuan me sukses. Mbas operimit i sëmuri e ndiente veten mirë dhe për këtë falënderoi mjekët dhe kolonelin për kujdesin e treguar.
Prej datës 19 gusht 1959 deri më datën 24 gusht 1959, përveç dhimbjeve të zakonshme të operacionit, jo vetëm nuk pati ndonjë shqetësim dhe dhimbje, por plaga shkonte drejt normalizimit saqë mendonin ta çonin për qetësim dhe kurim të mëtejshëm në ambulancën e burgut ku vuante dënimin.
Më datën 25 gusht 1959, d.m.th., 5 ditë pas operacionit i sëmuri Tuk Jakova pësoi një komplikacion paralitik të zorrëve, i shkaktuar (sipas kartelës klinike dhe autopsisë) nga peritoniti që dha intoksikacion në gjithë organizmin. Kjo gjendje vazhdoi deri në ora 23:35 të datës 26 gusht 1959, kohë në të cilën me gjithë ndërhyrjet e vazhdueshme të mjekëve të spitalit civil numër 2, nuk qe e mundur të shpëtohej nga vdekja. Gjatë gjithë ditës së datës 26 gusht 1959, i sëmuri ndodhej në gjendje shëndetësore të keqësuar, siç tregohet edhe në kartelën klinike. Nga ana e mjekëve janë bërë përpjekje për të përmirësuar duke përdorur mënyra të ndryshme mjekimi si dhënie gjaku, etj., por nuk pati asnjë rezultat. Mjekët që e kanë kuruar gjatë datës 25 dhe 26 gusht 1959 kanë qenë: Dr. Qirjako Lesho, Dr. P.Paparisto dhe Dr. Aleko Bozgo. Vlen të theksohet në këtë rast se organet tona nuk janë vënë në dijeni nga ana e spitalit civil mbi gjendjen e rëndë shëndetësore të së sëmurit. Neve e kemi marrë vesh këtë vetëm në orën 12:00 të datës 26 gusht 1959, ku shkuam në spital si zakonisht për të mësuar rreth shëndetit të tij dhe për të biseduar me mjekët, për tërheqjen e tij në ambulancën e burgut.
Nga shënimet në kartelën klinike dhe autopsia e bërë mbas vdekjes, rezultoi se teknikisht operacioni është bërë në rregull dhe vendi i operuar ishte mbyllur mirë dhe fort, se i sëmuri ishte dërguar për operacion brenda kohës së nevojshme. Porse më vonë nga peritoniti iu shkaktua paralizimi i zorrëve dhe helmimi i gjithë organizmit. Gjatë autopsisë iu gjet gjithashtu një gjëndër në qafë (thymus), e cila në njerëzit e moshës së rritur duhet të jetë zhdukur krejtësisht. Qenia e kësaj gjëndre te të rriturit e bën organizmin shumë të ndjeshëm dhe të paaftë për t’u rezistuar mjekimeve të nevojshme. Në zemër u gjetën dhe dëmtime të enëve të gjakut.
Sipas konkluzioneve të mjekëve, rreth vdekjes së tij nuk mbetet gjë për t’u dyshuar. Sidoqoftë, ky është një problem që nga ana e organeve tona duhet të ndiqet sidomos për të sqaruar se mos mbas kryerjes së operacionit, nisur nga konsideratat që mjekët ose personeli shërbyes i spitalit kishin karshi të sëmurit si element i dënuar antiparti, nuk kanë treguar interesimin e duhur në kurimin e rregullt dhe të vazhdueshëm të tij. Megjithëse edhe në këtë drejtim, mbështetur edhe në interesimin e organeve tona, nuk rezulton të ketë vend një neglizhim i tillë.
Mjeku që e operoi Qirjako Lezha është A.P. (ndoshta asistent profesor. red), kirurg i mirë dhe zëvendësdrejtor për anën teknike të spitalit civil numër dy. Gruaja e tij është me origjinë jugosllave, por në drejtim të saj organet tona nuk kanë asgjë negative. Në të njëjtat garanci janë edhe mjekët e tjerë që kanë marrë pjesë në kurimin e tij.
Për këtë çështje organet tona kanë përgjegjësi të rënda për faktin se: a – Nuk vlerësuan çështjen sa duhet dhe të kishin vënë njëherë në korrent Komitetin Qendror të Partisë për sëmundjen dhe operimin e tij; b- nuk morën masat e nevojshme që familja e tij të ishte në korrent të sëmundjes dhe të vihej në kontakt me të sëmurin para dhe mbas kryerjes së operacionit, për të evituar në këtë mënyrë çdo keqkuptim ose koment negativ, që mund të bëhet në të ardhmen lidhur me vdekjen e tij.
Bashkëlidhur relacionit: 1) Kopje e kartelës klinike që përcakton gjithë historikun e sëmundjes dhe ndërhyrjet mjekësore; 2) akti i autopsisë mbi shkaqet e vdekjes, si dhe një relacion shkoqitës nga mjeku Qirjako Lezha, dhe; 3) një relacion nga mjeku i burgosur Qazim Cerga që i bëri vizitat e para.
Ministri i Punëve të Brendshme
Gjeneral-Leitnant
Kadri Hazbiu.
Kush ishte Tuk Jakova
Tuk Jakova është një ndër figurat më të njohura të së majtës. Në fillim të vitit 1939 ai ishte njëri nga 73 komunistët e dënuar në procesin e njohur të asaj kohe (me vendimin e 11 shkurtit 1939 u dënua me 4 vjet burg). Më themelimin e PKSH-së ishte ndër themeluesit e saj, duke u deleguar me punë në veri e në Pogradec. Në gusht 1943 u caktua komisar i Brigadës 1-rë dhe pas saj komisar i divizionit 1-rë. Në vitet 1944 – 1951 ishte anëtar i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PKSH-së (më pas PPSH-së). Pas lufte, ishte kryetar i misionit të Shqipërisë në OKB. Më 1946 kryetar i Asamblesë Kushtetuese. Më 1946 – 1955 deputet. Më 1947 –1948 ministër i Shqipërisë në Jugosllavi. Më 1946 – 1948 ishte ministër pa portofol. Më 1948 – 1950 ishte zëvendëskryeministër dhe ministër i Industrisë. Më 1953 – 1954 ministër i Financave. U godit në Plenumin e 9-të të PPSH-së të shkurtit 1951 së bashku me Bedri Spahiun. Plenumi i mbajtur më 15 – 17 qershor 1955 e rrëzoi Tuk Jakovën dhe Bedri Spahiun. U internua në Berat ku ushtroi sërish zanatin e marangozit. Më 4 janar 1958 arrestohet së bashku me Bedri Spahiun dhe Hulusi Spahiun. Më 18 prill 1958 Gjykata e Lartë i dënoi “për agjitacion e propagandë dhe tradhti ndaj atdheut”, me 25 vjet burg. Për të gjithë personat që Partia e Punës i kategorizonte si “elementë antiparti”, niste një përndjekje e ashpër nga Sigurimi, duke përbërë kështu kontingjentin përkatës. Disa prej tyre (deri në 30% të grupit që përbënte kontingjentin) u rekrutuan nga Sigurimit i Shtetit. I kategorizuar si “element antiparti”, ndaj Tuk Jakovës ka filluar përpunimi (përndjekja) e tij në kohën kur ishte përjashtuar nga partia si dhe në kohën kur ndodhej në burg. Pikërisht dosja operative ku janë të shënuara të gjitha veprimet, që janë kryer për të gjurmuar Tuk Jakovën, ka edhe procesverbalin e vdekjes së tij, si dhe shkaqet që çuan deri në fundin e jetës së tij. Mbyllja e kësaj ka si “kapak” pikërisht procesverbalin, ku mësohet fundi i jetës së Tuk Jakovës.
Mjekët: Vdekja e Tukut mund të shmangej
AFRIM IMAJ/ FATOS MAHMUTAJ
“Po të zbatohej regjimi klinik i nevojshëm, vdekja e Tuk Jakovës mund të shmangej”. Në këtë përfundim ka konkluduar komisioni zyrtar i ngritur me urdhër të ministrit të Brendshëm Kadri Hazbiu për të shqyrtuar rrethanat në të cilat ndërroi jetë i burgosuri Tuk Jakova. Tre nga mjekët më të mirë të kohës Fejzi Hoxha, Xhavit Gjata dhe Pero Cani, pas një studimi të kujdesshëm të kartelës dhe dokumentacionit spitalor, bëjnë të ditur se pacienti Jakova është sjellë me vonesë së klinikë, nuk i është dhënë terapia e plotë për diagnozën e konstatuar dhe i ka munguar asistenca sanitare! Po çfarë thuhet tjetër në raportin e tyre...
Raporti mjekësor
Komisioni mjekësor i përbërë prej mjekëve Dr. Fejzi Hoxha, dr. Xhavit Gjata dhe dr.Pero Cani me urdhrin e shokut ministër të Brendshëm mori në shqyrtim kartelën klinike dhe dokumentet e raportet anatomo-patologjike të së vdekurit Tuk Jakova dhe konstatoi sa vijon:
1. Nga anamneza e shënuar në kartelë del qartë se i sëmuri është paraqitur në spital me një vonesë shumë të madhe më tepër se 30 orë nga fillimi i shenjave të para të sëmundjes, kjo vonesë shkaktoi shpimin e apandesitit me shkaktimin e një peritoniti akut.
2. Diagnoza e vënë nga kirurgu i rojës dr, Q. Lezho ka qenë e saktë
3. Operacioni i është bërë menjëherë sipas rregullave të artit kirurgjikal
4. Kura pas operacionit ka qenë e drejtë mbasi ka bërë penicilinë, streptomicinë, kaferinë etj., por nuk ka qenë e plotë për këto arsye:
-Duke marrë parasysh formën e rëndë të sëmundje (apandesit i shpuar me peritonit) ishte e nevojshme që të luftohej me të gjitha mjetet që në fillim për të evituar komplikacionet kryesore që ndodhin në këto raste si intoksikacioni dhe hilusi paralitik
konkretisht qysh ditët e para nuk figurojnë si solucion fiziologjik në sasi të mjaftueshme, solucion glukozë, transfuzion gjaku ose plazmë. Këto janë bërë vetëm ditët e fundit kur ka qenë në gjendje tepër të rëndë.
-Për komplikacionin e dytë (Ileus paralitikes) nuk është luftuar sa duhet dhe me të gjitha mjetet, është mjaftuar vetëm me bërjen e një sasie shumë të vogël ohleruri hiportanik, pitutitrinë dhe ndonjë lavash të stomakut. Megjithëse vjelljet vazhdonin nuk i është aplikuar sondë duandenale permanente me aspiracion të vazhdueshëm, nuk figuron e shkruar asnjë klizmë me shterure hipertonik ose me sifon, as një sondë rektale për gazrat.
-Në kartelë nuk shënohet mbi ushqimin e dhënë, mbi të dhënat e temperaturës dhe mbi sasinë e urinës së eliminuar
-Të tërheq vëmendjen fakti që pacienti megjithëse ishte në gjendje të rëndë me komplikacion, vazhdonte të vente e të vinte në nevojtore siç dokumentohet në kartelë ku thuhet se pacientit i kishte rënë të fikët (në nevojtore) kjo tregon se në atë pavijon janë të dobët organizimi i punës dhe asistenca sanitare e nevojshme
KONKLUZIONI: Vdekja sipas mendimit tonë është shkaktuar nga këta faktorë;
-Ardhja me vonesë në spital, e cila mund të konsiderohet si një nga faktorët kryesorë
-Terapia jo e plotë mbas operacionit në proporcion me kuadrin e rëndë të sëmundjes
-Asistenca sanitare e dobët
-Mund të konsiderohet si faktor favorizues dhe gjendja tymo-lymphatike (persistenca e gjëndrës e sekrecioneve të brendshme) të dokumentuar në autopsi, gjë që ul deri në një farë shkalle rezistencën e përgjithshme të organizmit
Tiranë më 26. 09.1959
Ç’më thanë mjekët që e mjekuan për herë të fundit
Rrëfimi i të shoqes: Tukun e lanë të vdiste në spitalin e burgut
Rrethanat në të cilat ndërroi jetë për ne kanë mbetur enigmë. Sidoqoftë vetëm pas vitit ‘90 mundëm të mësojmë diçka. I pari që na ka sqaruar rrethanat e asaj nate fatale, ka qenë një banor nga Velipoja, i cili ka qenë shok i dhomës në spital me të. Ja si na i rrëfeu ai: Na i sollën në dhomën tonë pa shpjeguar se kush ishte. Që nga çasti që e sollën, shtuan rojet. Pas dy tre ditësh u përmirësua dhe filloi të komunikojë. Morëm vesh se e kishte operuar kirurgu Aleko Bozgo. Ditën e katërt shëndeti i tij u përkeqësua. I hipi një temperaturë shumë e lartë dhe dridhej i tëri. Natën e fundit erdhi një doktor tjetër që e vizitoi. Kur e pyetëm për gjendjen e tij nuk na foli fare. Pak momente më vonë erdhi doktor Ylvi Vehbiu. Si duket e kishin thirrur dhe atë për Tukun. Kur doli nga vizita e pyeta se çfarë ka. Nuk ka shpëtim, mu përgjigj dhe më sqaroi se në kartelë ishte shkruar që i kishte plasur tëmthi, por nuk është e vërtetë, nuk i ka plasur”. Ne kemi folur më vonë vetë me doktor Ylviun. Atë natë e kishin lajmëruar për ta vizituar disa orë para se të ndërronte jetë. Ja si na i kallëzoi doktor Ylviu: Kur shkova, Tuku ishte në kllapi. Me temperaturë shumë të lartë. Ishte në agoni të plotë. Unë nuk kisha se çfarë të bëja, vetëm sa t’ia lehtësoja agoninë. Mbaj mënd që një moment u kthjellua dhe tha “E kanë gabim që veprojnë kështu dhe ecin në kundërshtim me zhvillimet botërore...”. Pak a shumë edhe sot e kësaj dite janë ende të paqarta rrethanat në të cilat ka ndërruar jetë Tuku. Sidoqoftë një gjë mund të thuhet me siguri: Tukun e lanë për të vdekur me shërbimin neglizhent në spital, me sjelljen arrogante dhe mjekimin e papërgjegjshëm.
Autopsia e vdekjes
Pak rreshta dhe asgjë bindëse në dokumentin e autopsisë. Poshtë të dhënave të Tuk Jakovës, i cili ka ndërruar jetë në orën 23:35 minuta të datës 26. IX. 1959, eksperti i autopsisë formulon në një mënyrë të çuditshme arsyet që kanë sjellë vdekjen e tij. “Nga sa u konstatua, shpjegohet aty, operacioni i apandesitit ishte bërë në rregull sipas artit të kirurgjisë dhe vendi i operacionit ishte mbyllur. Por u gjet një masë e paralizimit të zorrëve të shkaktuar nga peritoniti, i cili kishte helmatisur rëndë krejt organizmin”. Pra ishte bërë një ndërhyrje kirurgjikale e suksesshme sipas mjekut ligjor, madje kirurgu ishte kujdesur për t’i hedhur pacientit penicilinë në pjesën e hequr apandesitit, por befasisht (!) kishte kaluar në peritonit! Nuk ka ku të shkojë më shumë se kaq papërgjegjshmëria profesionale.