E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hyn në treg kompania e katërt celulare, pritet ulje e madhe e tarifave

Plus premton teknologjinë më të mirë dhe më të fundit në shërbimin telefonik

Kompania celulare e katërt celulare Plus përgatitet për futjen në tregun e telekomunikacionit në Shqipëri. Plus, operatori më i ri në tregun shqiptar prezantoi dje arritjet e tij të deritanishme dhe planet afatshkurtra për ofrimin në treg të shërbimeve të tij.

Drejtori Ekzekutiv i Plus, Moni Buchnik njoftoi dje se kompania ka nënshkruar tashmë marrëveshjet tregtare me furnitorët kryesorë të rrjetit, pas procesit tenderues. Sipas tij, disa kompani shqiptare janë kontraktuar për kryerjen e punimeve të nevojshme për ndërtimin e rrjetit, ndërtimin e stacioneve të backbone, stacioneve në terren, stacioneve në godina, ofrimin e shërbimeve dhe pajisjeve elektrike, mirëmbajtjen e rrjetit si dhe shërbimin e sigurisë fizike për rrjetin etj. Gjithashtu, Nokia Siemens është përzgjedhur si furnitori i RAN (Radio Açess Network) dhe pajisjeve të Core Network (centralit). Ndërsa NEC është përzgjedhur si furnitor i rrjetit backbone dhe linqeve të tij microwave. Po ashtu, Comverse është kompania e përzgjedhur për të ofruar pajisjet BSS/ VAS (tarifimi dhe shërbimet me vlerë të shtuar. Buchnik ka shprehur vlerësimin për teknologjinë dhe furnitorët e kësaj kompanie, duke siguruar se tashmë që kontratat janë nënshkruar, kjo kompani zotëron teknologjinë më të mirë dhe më të fundit që do të mundësojë shpejtësi drejt tregut, fleksibilitet, inovacion/diferencim, avantazh konkurrues dhe një rrjet të konsoliduar për të përballuar sfidat teknologjike të kohës. Buchnik ka shprehur gjithashtu gatishmërinë për të bashkëpunuar me kompanitë shqiptare, me qëllim maksimizimin e efikasitetit të këtij aktiviteti.


Parimet e Biznesit
Kompania celulare Plus e cila pritet të hyjë në treg së shpejti, ka prezantuar parimet e biznesit dhe vizionin e saj. Buchnik bëri të ditur se Plus do të fokusohet në ndërtimin e një rrjeti cilësor në një kohë rekord, me qëllim përmbushjen e detyrimeve ligjore dhe rregullatore, si dhe në ofrimin e vlerave më të mira të shërbimit ndaj klientëve. Ai theksoi që kompania synon të shndërrohet në një lider tregu në fushën e telekomunikacionit, duke sjellë vlera të shtuara tek klientët. Plus ka përfunduar procesin e kontraktimit për më shumë se 100 stacione bazë dhe është aktualisht në procesin e ndërtimit të 50 stacioneve të tjera. Mbulimi do të shtrihet në faza, duke filluar nga zona Tiranë Durrës Rinas dhe më pas do të shtrihet në qytetet kryesore dhe rrugët kombëtare. Investitorët kanë planifikuar të investojnë rreth 100 milionë euro gjatë dy viteve të para, prej të cilave rreth 35 milionë janë vendosur aktualisht në dispozicion nga ana e investitorëve shqiptarë. Kompania do të vazhdojë të investojë për optimimizimin e rrjetit dhe shtimin e portofolit të shërbimeve në vitet e ardhshëm. Ndërsa, kryetari i Bordit Drejtues të Plus, Petraq Shomo, u shpreh i bindur se megjithëse Plus është i vetmi biznes shqiptar në fushën e telefonisë së lëvizshme dhe po hyn në një mjedis mjaft konkurrues, kjo kompani do të ketë sukses për shkak të sigurimit të teknologjisë më të mirë dhe më të fundit, ekipit më të mirë të punonjësve, që të gjithë shqiptarë, që po punojnë për të sjellë kompaninë në treg me avantazhe shumë të forta konkurruese (si teknologjike ashtu edhe tregtare), bashkëpunimit përmes partnerëve shqiptarë të biznesit që do të maksimizojnë efiçencën e kostos, aftësive financiare për të mbështetur rritjen e këtij biznesi si investitorë, si dhe për shkak se ky aktivitet do të jetë një kontribut direkt në ekonominë e vendit dhe në jetën e shqiptarëve. Ne do të hapim në mënyrë direkte dhe indirekte mundësi punësimi si dhe do të krijojmë bashkëpunim me biznesin. Ne do të ri-investojmë paratë e klientëve në Shqipëri për përmirësimin e standardeve të vendit tonë. (dhe jo jashtë vendit si konkurrentët tanë). Për të gjitha këto arsye dhe për vlerat që ne do të ofrojmë, ne besojmë se klientët do të bashkohen me ne dhe do të qëndrojnë me ne, pohoi Shomo. Kompania Plus u themelua më 26 Qershor 2009, me vendimin nr NUIS K91811014B të Gjykatës së Tiranës. Plus i është akorduar licenca e GSM-së pas ofertës më të lartë prej 7.2 milionë eurosh në tenderin ndërkombëtar mbajtur më datë 23 Janar 2009. Aktualisht kompania numëron më shumë se 105 FTEs dhe është në procesin e ndërtimit të sistemeve dhe procedurave të brendshme për mbështetjen e aktivitetit tregtar që fillon së shpejti. Kompania do tu ofrojë klientëve të saj gamën e plotë të shërbimeve GSM, sikurse parashikohet në Autorizimin Individual, me synim penetrimin e shpejtë në treg.

Last Updated on E Enjte, 27 Maj 2010 08:26

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›