E Diel, 1 Nëntor 2026

Hyn sonte në fuqi vendimi për udhëtimin pa viza drejt BE-së

Qytetarët e Shqipërisë të pajisur me një pasaportë biometrike do të mund të udhëtojnë në të gjitha vendet e përfshira në zonën Shengen. Në këtë hapësirë nuk përfshihet Britania e Madhe si dhe Irlanda.

Kështu, shqiptarët do të mund të udhëtojnë në 25 shtete anëtarëve të Bashkimit Evropian dhe në tre shtete të tjera, si Zvicra, Islanda dhe Norvegjia, vendet këto jo anëtare të BE-së, por pjesë e marrëveshjes Shengen. Vlen të theksohet se për të udhëtuar në këto vende, qytetarët shqiptarë nuk do të duhet të deklarojnë garanci financiare. Megjithatë, udhëtim pa viza nuk do të thotë se liria e lëvizjes është e pa kushtëzuar.

"Personave që zotërojnë pasaportë biometrike, në mënyrë që të udhëtojnë lirisht drejt shteteve Shengen, nuk u duhet të plotësojnë kërkesa të tjera financiare apo administrative. Megjithatë, qytetarëve nga vendet e treta mund t'u kërkohet në kufi të tregojnë mjetet e udhëtimit dhe mjetet e jetesës gjatë qëndrimit të tyre në zonën Shengen. Atyre mund t'u kërkohet specifikimi në vendin ku do të qëndrojnë, p.sh, të tregojnë rezervimin e hotelit apo adresën e vendit ku do të qëndrojnë", thuhet në manualin e KE-së.

Personat ndaj të cilëve është marrë një vendim më parë ndaj tyre si të refuzuar nga ndonjëri prej vendeve anëtare, nuk mund të udhëtojë. "Ata nuk duhet të jenë persona ndaj të cilëve është dhënë ndonjë vendim për të refuzuar hyrjen në zonën Shengen. Autoritetet kufitare të shteteve anëtare kanë të drejtë të refuzojnë hyrjen e personave që nuk plotësojnë këto kërkesa dhe të vendosin përfundimisht nëse do të lejojnë hyrjen e atij personi në zonën Shengen", thuhet më tej.

Gjithashtu, udhëtimi në këto vende nuk mund të bëhet për arsye punësimi."Ato, pra rregullat nuk u japin qytetarëve shqiptarë të drejtën për të qëndruar më shumë se tre muaj, si dhe as të drejtën për t'u punësuar në këto shtete. Nëse keni ndërmend të punësoheni apo të të studioni për një periudhë që tejkalon 90 ditët, më parë duhet të aplikoni për vizë afatgjatë ose për leje qëndrimi në ambasadën apo konsullatën e shtetit ku do të shkoni. Është e ndaluar të punoni në zonën Shengen pa leje pune apo të jetoni aty pa lejen përkatëse të qëndrimit", thuhet në manual. /S.Lleshi/Start/

                                                                                             2010-12-14 10:07
  [ 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›