E Hënë, 2 Nëntor 2026

Hyri si endacak, doli me pranga

27/02/2005  Arrestimi i Bujarit, duke kërkuar bukë

SHKODËR – “Nuk jam Bujari, jam Agimi, më keni ngatërruar”. Kjo ka qenë fjalia e parë e shqiptuar nga buzët e Bujar Dakës përballë oficerëve të policisë së komisariatit të Shkodrës. Bujar Daka, i arratisuri i tretë nga qelitë e paraburgimit, është vënë përsëri në pranga. Ka qenë ora 13 e ditës së djeshme, kur një “grusht” uniformash blu, të veshur të gjithë civilë, kanë arritur që të kapin në flagrancë, në një banesë, në lagjen “Mark Lula”, të shumëkërkuarin Daka, i vetmi nga tre të arratisurit e më shumë se 2 javëve më parë që kishte mbetur i lirë.

Arrestimi

Sipas burimeve zyrtare të komisariatit të policisë së Shkodrës, mësohet se dje, Bujar Daka është kapur në një distancë jo shumë të largët nga banesa e tij, ku po kryheshin ceremonitë e fundit mortore për vëllanë e tij, Agimin, të vetëvrarë dy net më parë në zyrën e njërit nga krerët e komisariatit 4 në kryeqytet. Po sipas të njëjtave burime, mësohet se operacioni për kapjen e 23-vjeçarit Daka është organizuar dhe është kryer nga një grup shumë i ngushtë uniformash blu. Një natë para arrestimit, punonjës të policisë kriminale, me në krye shefin e komisariatit, Nikolin Bala, kanë kryer kontrolle të veshur civilë në fshatin e Bardhajve, ku Daka kishte gjetur më parë strehim. Por një informacion i mbërritur në rrugë operative ka nisur drejt lagjes “Mark Lula”, kreun e komisariatit, shefin e rendit, Armir Gjikola, shefin e krimeve Pjetër Lazri dhe një grup oficerësh të policisë kriminale. Të gjithë të veshur civilë dhe më disa makina kanë arritur që të gjejnë banesën ku po fshihej Daka, si dhe ta mbajnë nën vëzhgim, deri në momentin që është vendosur që të ndërhyhet, pa shkaktuar viktima. Sipas burimeve zyrtare të policisë, Bujar Daka nuk kishte shumë kohë që i kishte trokitur derës së shtëpisë, ku po fshihej për të kërkuar bukë dhe strehim, pasi ishte i dërrmuar. Familjarët, duke mos e njohur i kanë dhënë për të ngrënë pa ditur se djali rreth 500 metra më larg kishte shtëpinë ku po bëhej morti i të vëllait. Ndërhyrja e saktë e uniformave blu i ka dhënë fund brenda pak minuta aksionit për kapjen e tij dhe lirisë së Bujar Dakës, i cili është dërguar menjëherë në komisariat për t’u marrë në pyetje. Së bashku me të janë shoqëruar dhe pjesëtarët e familjes, ku kishte gjetur strehë, por më pas mësohet se këta të fundit janë lënë të lirë, pasi është konstatuar se nuk kishin patur asnjë dijeni për identitetin e tij.

Arratia

Ka qenë e stërmundimshme arratia e Bujar Dakës. Sipas rrëfimit të vetë atij, të bërë dje, gjatë kësaj kohe ai ka qenë duke u fshehur në fshatrat Bardhaj, Shllak, Vilë, Muri i Turkut, Kroni i Madh e ka tentuar që të shkojë edhe deri në Lekbibaj të Tropojës, por është kthyer pas, kur ka parë një grup forcash policie. Gjatë kohës që ishte në arrati, 23-vjeçari, me origjinë nga Cërnaja e Tropojës, i dënuar me 20 vjet heqje lirie për vrasje, është strehuar në banesa të fshatarëve të zonave të thella, duke iu thënë se sapo kishte ardhur nga Greqia, ku kishte humbur gjithçka, ose se kishte humbur rrugën dhe ka kërkuar strehë e bukë për disa ditë. Disa ditë më parë, pikërisht në ditën që ka ndërruar jetë kunata e tij, ai dyshohet se ka ardhur në Shkodër, duke u fshehur në periferi. Sipas dëshmisë së tij, që, gjithsesi është për t’u verifikuar, dje ai e ka marrë vesh vdekjen e të vëllait në tren. Një dëshmi tjetër e dhënë nga Bujar Daka ka qenë dhe ideja e tij që të bënte të pamundurën që të shkonte në Greqi, ndoshta duke kaluar nga Korça.

10 shkurt 2005

Arratisja e tre të dënuarve

Shtetasi Bujar Daka, së bashku me dy të paraburgosur të tjerë, Mican Çarku dhe Arben Nika u larguan nga dhomat e paraburgimit të Komisariatit të Policisë Shkodër, më datë 10 shkurt të këtij viti. Tre të burgosurit, të cilët vazhdonin të vuanin dënimin në qelitë e paraburgimit të komisariatit të Shkodrës, arritën që të arratisen rreth orës 03.00, të 17 ditëve më parë. Shumë shpejt u arrit që të konstatohej largimi i të paraburgosurve Miçan Luc Çarku, i vitëlindjes 1982, lindur dhe banues në Theth, Dukagjin, i dënuar me vendim të formës së prerë me 13 vjet heqje lirie për veprën penale të vrasjes, Bujar Prel Daka, i vitëlindjes 1981, lindur në Cërnicë, Tropojë dhe banues në Shkodër, dënuar me 20 vjet heqje lirie për veprën penale të vrasjes, vepër penale e konsumuar në bashkëpunim me të arratisurin e tretë, Arben Gjelosh Nika, i vitëlindjes 1983, lindur dhe banues në fshatin Shtoj i Vjetër, Shkodër, i dënuar me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Faktit Shkodër, pasi është autor i vrasjes së dy shtetasve. Në një periudhë të shkurtër kohore, pas këtij konstatimi, rreth 5 orë pas arratisjes, policia prangos Arben Nikën dhe Miçan Çarkun. Për vendndodhjen e Bujar Dakës policia e Shkodrës pati disa herë informacione dhe rrethoi dhe kontrolloi imtësisht disa banesa, por i arratisuri nuk u bë e mundur që të kapej deri në orët e para të mëngjesit të djeshëm.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›